Budina, kërkesë Ramës: Më lejoni të jap një shfaqje në truallin e Teatrit

Jul 27, 2020 | 14:47
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Në ditën e 72-të prej shembjes së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, regjisori dhe aktori Edmond Budina bën një kërkesë mediatike për Kryeministrin e vendit, Edi Ramën.

edmond budina4

Ai i kërkon kreut të qeverisë, që siç thotë, tanimë sillet si pronar i vendit, ta lejojë të mbajë një shfaqje në truallin ku qe kompleksi teatror. Bëhet fjalë për një tekst të shkruar nga vetë aktori gjatë periudhës së pandemisë e që do të vihet në skenë dhe interpretohet nga vetë ai. Siç tregon, në fokus të rrëfimit është një personazh delirant, që e mendon veten si zot të botës. “Ka të bëjë edhe me dhunën e këtij personazhi, që i duket vetja sikur është zot dhe profet i kokoshkave, siç e tregon dhe titulli. Ka brenda ironi, sarkazëm, grotesk, dhimbje dhe dramë”, shprehet aktori, duke theksuar se historia nuk i adresohet asnjë personi konkret. Sa i përket Kryeministrit, ai është i ftuar si spektator, dhe siç shprehet Budina, para aprovimit të lejes mund të kontrollojë edhe “tekstin, konceptin regjisorial e çdo informacion tjetër, që do ta shikojë si të nevojshëm”.

“KAMMERSPIEL” ATY KU QE TEATRI

Regjisori Edmond Budina e shikon truallin e Teatrit Kombëtar si të përshtatshëm për shfaqjen e tij, jo vetëm për historinë, dhe si “vendi që shqiptarët njohin si teatër”, por edhe për të dhënë një mesazh. “Duam të themi se ne jemi për art e jo për dhunë. E kemi treguar këtë gjatë 2 viteve e 4 muajsh me mbi 80 shfaqje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, thotë ai. Me Shfaqjen e tij “Profeti i kokoshkave” ai kërkon të sjellë një mënyrë të bëri teatër jo shumë të lakuar në vend, siç është teatri i dhomës, ose i ashtuquajturi “Kammerspeil”. Në shfaqje të tilla, që bazohen mbi kohën, vendin dhe veprimin, publikut i jepet mundësia të shikojë më nga afër aktorin, interpretimin, lëvizjet e mimikën e tij. “Trualli i Teatrit është perfekt për këtë shfaqje, dhe kushtet nuk pengojnë, madje i përshtaten më së miri. Është bërë nëpër botë teatër, dhe në rrethana e ambiente më të vështira”, thotë aktori. Sa i përket mundësisë për një përgjigje negative ndaj kësaj kërkese (apo mospërgjigje), aktori thotë se është i gatshëm që ta japë shfaqjen e tij në një tjetër hapësirë që do t’i ofrohej. “Meqenëse për çdo hapësirë publike duhet t’i kërkojmë leje Kryeministrit dhe kreut të Bashkisë, pasi ata e kanë zaptuar këtë vend, në rast të një përgjigjeje negative, unë do të kërkoj një hapësirë të lirë në këtë vend. Çdo hapësirë e lirë mund të jetë një skenë teatrore dhe ne duhet t’i mëshojmë këtij fakti, që teatri të hyjnë në çdo qelizë të këtij vendi”, thotë ai.

BUDINA I PËRGJIGJET IRONISË SË RAMËS

Pak ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, që shënoi edhe fundin e karantinës, Kryeministri i vendit në fjalën e tij përballë deputetëve, shumica e të cilëve ishin pozicionuar përmes votës pro shembjes, u përpoq të justifikonte aktin. Në fjalën e tij, përpos se solli në valle luftën e minjve të godinës në të cilën protestuesit mund të kishin rënë dëshmorë, u mor edhe me aktorin Edmond Budina. Në tentativën e tij për të minimizuar kontributin e protestuesve në fushat që lëvrojnë, ose siç u shpreh “për t’u thëne njerëzve, kush janë e ç’na kanë dhënë”, ai e tregoi Budinën si një aktor që gjatë karrierës kishte luajtur role joprotagoniste. “Unë e njoh si aktor dytësor”, tha ai . Përgjigjen për këtë Budina e dha pranë sheshit të Teatrit, tashmë të rrethuar. “Unë bëj teatër. Ndonëse aktor i kategorisë së dytë, të tretë apo të shtatë, kjo ka pak rëndësi. Unë bëj teatër dhe përpiqem t’i sjell spektatorit idenë se dhunës së pushtetit do t’i përgjigjemi me art, siç e kemi bërë deri më tani”, u shpreh aktori.

POLITIKAN?! BUDINA: JO, FALEMINDERIT! ARTI ËSHTË GJUHA IME!

Emdond Budina tregohet i prerë sa i përket mundësisë për t’u bërë pjesë e politikës. “Mbetem artist, është arti gjuha ime dhe nuk kam ndërmend t’i futem politikës”. Po ashtu, ai përjashton mundësinë që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të bëhet pjesë e ndonjë koalicioni politik, pasi nuk është krijuar si një formacion i tillë.

Letra e Budinës drejtuar Kryeministrit Edi Rama

Sikundër jeni në dijeni, unë, Edmond Budina, jam pjesë e atij grupimi të shoqërisë shqiptare, që kundërshtoi e protestoi kundër shqyerjes së Teatrit Kombëtar. Për dy vjet e katër muaj protestuam në mënyrën më paqësore, duke shpërfaqur një sens qytetarie të pashembullt për Shqipërinë, por jo vetëm për të. Vetëm pas ndërhyrjes brutale të policisë suaj më 24 korrik të vitit të shkuar qytetarët protestues hynë në teatër.

Është krejtësisht e pavërtetë ajo që ju propagandoni, se protestuesit e kishin zaptuar Teatrin prej dy vjetësh e katër muajsh. Ata hynë në Teatër për ta mbrojtur, pastruar, mirëmbajtur e rijetëzuar, duke zhvilluar mbi tetëdhjetë aktivitete, ku morën pjesë artistë nga e gjithë bota. E gjithë nisma u krye pa asnjë lek prej buxhetit të shtetit, veç me kontribut vullnetar në një kohë, që shteti i drejtuar prej jush preu dritat dhe ujin.

Një veprim antinjerëzor dhe i paprecedent për asnjë vend demokratik. Shqyerja që ju bë teatrove atë agim të 17 majit, me gjithë vlerat e pallogaritshme materiale që ruanin, por mbi të gjitha me protestuesit ende brenda, lemerisi mbarë opinionin. Jo rastësisht shtypi botëror e cilësoi si një akt barbar, fashist e talebanesk.

Personalisht nuk arrij ta kuptoj se si është e mundur të shemben tri salla teatri me një histori tetëdhjetëvjeçare të një kryeqyteti njëqindvjeçar në një kohë që ishin gjetur rrugët nëpërmjet institucioneve europiane edhe të një financimi të mundshëm për restaurimin. Në një qytet njëmilionësh nuk do të ishte më mirë një teatër më shumë në një vend tjetër, se sa një më pak?! Aktualisht hapësirat teatrore janë ngushtuar së tepërmi e qyteti është më i varfër.

Meqenëse ju jeni pronari i hapësirave publike dhe i keni njohur të drejtën vetes të transferoni pronësinë nga pushteti qendror në atë lokal etj., po ashtu sikundër unë legjitimohem në të drejtën kushtetuese të shprehjes së fjalës së lirë dhe të ushtrimit të profesionit, ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar, që për qytetarët ka qenë konsideruar përherë si një hapësirë lirie.

Ju siguroj që nuk do të ketë eksploziv, molotovë, armë, por vetëm art. Po ashtu, ju siguroj se shfaqja do të jetë konform rregullave dhe protokollit të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga COVID-19, duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve.

Dashurinë tonë për artin e kemi treguar më së miri në atë dhjetë muaj të festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, e kundërta e asaj që bëtë ju, duke na dhunuar me ruspa e armë. Si qytetar i këtij vendi, që nuk e dëshiron dhunën dhe do të shmangë një përplasje mes policisë e forcave paramilitare (të tillë i konsideroj të gjithë ata që veshin uniformën e Policisë së Shtetit pa numër identifikimi), nga njëra anë, dhe qytetarëve, nga ana tjetër, ju kërkoj atë hapësirë publike të lirë, me qëllimin për të bërë art.

Nëse është në rutinën tuaj të kontrolloni më parë tekstin, konceptin regjisorial ose çfarëdo lloj informacioni, unë jam i gatshëm t’jua vë në dispozicion.

Po ashtu, nuk hezitoj t’ju ftoj të merrni pjesë në shfaqje, natyrisht si spektator.

Uroj që kërkesa ime të ketë një përgjigje pozitive prej jush!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura