Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se Shqipëria dhe bankat greke që janë në vendin tonë nuk rrezikohen nga situata aktuale në Greqi, madje ai ka paraqitur edhe anën pozitive të kë- tyre zhvillimeve. Në një intervistë dhënë në “Top Channel”, guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se ndikimi kryesor në ekonominë shqiptare nga zhvillimet në Greqi dhe sistemin e saj bankar, ka nisur që pesë vite më parë edhe është kryesisht në aktivitetin e importeksporteve dhe në rënien e mëtejshme të remitancave, që sipas tij, do të ishte e papërfillshme, pasi kryesisht ato kanë rënë. “Dua të theksoj që sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikëqyrëse që nga nisja e krizës greke për të krijuar një funksionim sa më normal të bankave greke në vend”, tha Sejko. “Kemi marrë masa që nga pikëpamja ligjore dhe organizimi i tyre të kenë një pavarësi nga bankat greke. Bankat shqiptare me kapital grek në Shqipëri janë me tepricë likuiditeti dhe me tepricë kapitali. Pra, janë të mirëkapitalizuara”, ka theksuar Guvernatori i BSH. Ai ka sqaruar më tej se “Raporti i kapitalit për bankat greke është mbi mesataren. Është rreth 17 për qind, kundrejt 12 për qind që ne e kemi si kërkesë rregullatore.
Gjithashtu, bankat greke e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100 për qind depozita të shqiptarëve”, tha ai. Por guvernatori nuk ka mohuar se në një situatë mosbesimi nga ana e depozituesve mund të ketë një lloj tërheqjeje të depozitave, por ai siguroi se “ne kemi marrë masa që të jemi me tepricë likuiditeti dhe nuk parashikojmë asnjë problematikë”. Guvernatori Sejko madje e sheh këtë zhvillim në Greqi në anën pozitive për Shqipërinë. “Mund të ketë dhe zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, pasi kthimet e emigrantëve do të shoqërohen edhe me flukse kapitali. Kemi vënë re që në fillimet e krizës greke ka pasur hyrje të kapitaleve nga Greqia, pasi emigrantët i kanë tërhequr kursimet e tyre nga bankat greke, duke i sjellë në ato shqiptare. Ky fenomen po vihet re edhe gjatë këtyre ditëve. Ka rritje të depozitave në bankat shqiptare nga situata e mosbesimit në Greqi”, siguroi ai. Sa për situatën në Greqi, Guvernatori Sejko tha se “Politika dhe populli grek po ballafaqohen me dy opsione. Një opsion është pranimi i ofertës së kreditorëve me planin e masave që kanë të bëjnë me pensionet dhe taksat. Opsioni i dytë është mospranimi i planit të masave dhe kjo do ta çonte Greqinë në një kolaps politik dhe ekonomik”.
Në shkurt të vitit 2012, Banka a Shqipërisë vendosi shkëputjen e filialeve të bankave greke në Shqipëri nga bankat mëmë të tyre në Greqi, për të shmangur rrezikun e një “kontaminimi” nga falimentimit i mundshëm i tyre në atë kohë, kur pritshmëritë për daljen e Greqisë nga eurozona ishin aq të mëdha sa bursat u tronditën në të gjithë botën. Në atë kohë, Këshilli i Mbikëqyrjes në BSH miratoi kërkesat e shndërrimit të Bankës Kombëtare Greke dhe Bankës Alfa, nga filiale që janë aktualisht në degë, në zbatim të një projektligji që ishte miratuar në Kuvend. Ky ndryshim i bëri më të sigurta depozitat e shqiptarëve në këto banka, duke i vendosur aktivitetet e bankave greke nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë. Ligji për bankat, i miratuar në vitin 2012, kishte në themel të tij dhënien e disa atributeve më shumë të Bankës së Shqipërisë në mbikëqyrjen e bankave. Me këtë ligj, Banka e Shqipërisë mund të kërkonte shkëputjen e filialeve nga mëmat, në rast se shihte të arsyeshme të ndërpriste këtë bashkëpunim. Ndarja nga banka mëmë jep më shumë pavarësi në funksionimin dhe menaxhimin financiar të bankave.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al