BSH: Jo më transport të parave nga makinat e blinduara pa rregulla

Nov 27, 2015 | 15:01
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë do të ndryshojë rregulloren për kushtet e sigurisë që duhet të zbatojnë bankat e nivelit të dytë. Një grup pune me përfaqësues të Komitetit të Sigurisë Bankare, të bankave të nivelit të dytë dhe Policisë së Shtetit, do të propozojë hartimin dhe miratimin e një akti ligjor për përcaktimin e rregullave të transportit të vlerave monetare në përshtatje sipas standardeve të BE-së.

bankomatet-vjedhja

Ndryshimet kërkohen pas inspektimeve që ka kryer Banka e Shqipërisë, ku ka konstatuar se siguria e mjeteve të blinduara që transportojnë lekët lënë për të dëshiruar. Banka Qendrore ka konstatuar mangësi profesionale të punonjësve në shoqëritë private të sigurimit fizik.

Drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në Transportin e Vlerave Monetare në Bankën e Shqipërisë, Dritan Aliaj, dje në Forumin e Katërt për Sigurinë Bankare ngriti shqetësimin e mungesës së sigurisë të automjeteve të blinduara.

“Transporti i vlerave monetare është shumë i rëndësishëm. Shpesh herë shohim automjete, të cilat nuk janë në kushte as për të udhëtuar, jo për transportimin e vlerave monetare nga shoqëritë private të sigurisë fizike. Policia e Shtetit ka bërë licencimin e këtyre mjeteve, por ende nuk janë të përcaktuara qartë rregullat për nivelin e blindimit të këtyre mjeteve. Mungon një akt ligjor, i cili duhet të përcaktojë rregulla të qarta për transportin e vlerave monetare.

Vendet e Bashkimit Europian, ku vendi ynë synon të aderojë, ka akte rregullative, të cilat në varësi të sasisë së vlerave monetare që lëvizin përcaktojnë nivelin e blindimit të automjetit, numrin e punonjësve të shoqërive private të sigurisë fizike, sistemet elektronike dhe fizike të mbrojtjes së këtyre automjeteve, mënyrat e lëvizjes së eskortës”.

Në Forum, Banka e Shqipërisë theksoi se sistemet e sigurisë që bankat përdorin kanë pasur përmirësime të ndjeshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura