“BRRYLI”

Sep 25, 2015 | 13:21
SHPËRNDAJE

BESNIK-DIZDARIBESNIK DIZDARI

   1.
Vështrojeni këtë foto të këtij pseudomonumenti me 6 germa: “Brryli”!
Është “skulpturuar” dhe vendosur këto dit mû aty ku nis kthesa për te rruga “Arkitekt Kasemi”, në vijë të së cilës vazhdon rruga “Bardhyl” e Tiranës. E thënë butë, kjo është një lloj kundërkulture. Është e vërtetë që njerëzit i thonë “Brryli”. Mirëpo, a këtu po mbërrijmë: që zhargonit t’i ngremë “monumente” e me të të emërtojmë pika nevralgjike të jetës publike a urbane?…

Ideatorët dhe realizuesit e këtij “Brryli” kaq “origjinal”, mund të kenë pasë kujdesin që ai t’i përngjajë “New Born”-it, që është vendosur në qendër të Prishtinës dhe që simbolizon Pavarësinë e Kosovës, apo lindjen e Kosovës së pavarur. Por, përveç konfiguracionit të germave, nuk kanë asgjë të përbashkët midis tyre. Sepse ndërsa “New Born” apo “lindja e re” e Kosovës simbolizon çlirimin e madh historik dhe shtetësinë e pavarun të Kosovës, “Brryli” i Tiranës simbolizon vetëm “Brrylin”.

Siç e dini, “Brryli” para së gjithash është brryli i krahut, aty ku krahu përthyhet. Fjalori zyrtar i gjuhës shqipe e përcakton kështu:
“Vendi ku përthyhet krahu, ana e jashtme e nyjës ku lidhet llëra me pjesën e jashtme të krahut: pjesë e mëngës së një rrobe, që mbulon këtë vend të krahut. Mbështetem mbi bërryla. Vë bërrylat. I bie me bërryl. Bërryli i sobës. Bërryla uji. Çau me bërryla. I tregoi bërrylin.”

Është vërtet kapricioz drejtshkrimi apo kuptimi i “Brrylit”. Fjalori i Thanas Floqit i thotë “bryll”, me “ll”, teksa i jep edhe sinonimin “qoshk”. E me “ll” e ka edhe Angelo Leotti: “bryll”. Ndërsa Antonio Baldacci i thotë “bryl”, ashtu si dhe fjalori i “Bashkimit” e deri te një më të parët, ai i Jak Junkut i  1895-s. Ec e gjeje. Por Fjalori ynë jep edhe një përcaktim tjetër kur e përcakton si “kthesë rruge ose lumi, dredhë, bërryl rruge”.

Me sa duket, këtë përcaktim të fundit ka marrë zhargoni popullor për “Brrylin” tonë, çka është përcaktimi më i paktë i kuptimit të fjalës. Nuk mund të qortosh natyrisht. Populli është popull. Mirëpo përveçse “popull”, ka dhe “kulturë” që e edukon popullin, si të thuash, i jep kulturë popullit. Ndonëse nuk u bë hataja nëse dikush, që do t’i bjerë shkurt, mund të të thotë “takohemi te “Brryli”.

Tjetër punë mandej, që për rastin tonë, po ta studiosh paksa “Brrylin” nga ana skematike apo planimetrike, do të shohim se “Brryli” ynë pra është më tepër një kryqëzim midis Bulevardit (rrugës) “Zhan d’Ark” dhe urës përkatëse të Lanës perpendikularisht. Kështu që mund të skalitej edhe “Kthesa” ose “Kryqëzimi” po me këto gërma kubike në ngjyrën e kuqe siç shkëlqen “Brryli” në fjalë. Aq më tepër që ky emërtim i bujshëm e spektakolar, nuk është një emër i përveçëm, ku dihet se janë të përveçmit ata që sundojnë në emërtimet kësisoj kudo në botë. Me “përjashtim” të Pragës së Shvejkut të Hashekut: pijetorja “Te gota”…

Ndërkaq, kujtoj se ndër ne njerëzit, kur shohin një të dehur “përsëmbari”, thonë: “qenka bërë brryl”. Një përcaktim i vjetër ndër shqiptarë ky, që për çudi e gjej edhe te Fjalori i Fulvio Cordignano-s kur te shqipërimi i fjalës italisht “gomito” (brryl) frazelogjizon “m’u bâ brryl”. E këtu emërtimi kësisoj pllakatesk i “Brrylit”, që ndodhet vetëm  nja 100 metra larg Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, shumë afër rreth tij pra, janë e pakta nja katër pijetore, klube apo lokale, ku mund të pish sa të duash, madje edhe duke u bërë “brryl”.

2.
Them me vete: “Si ka mundësi” që na e ulin nivelin kulturor të jetës sonë publike me një të rënë të lapsit, duke ngritur në piedestal emërtime kësisoj të zhargonit, gati “banale”, si ky “Brryli”? Madje, me një lloj arrogance, sepse për emërtime në lagje a qendra banimi asisoji, bota e sotme bën referendume me banorët.
Dhe më e rëndësishmja: a vërtet mund të shpresojmë se “pseudomonumenti”  “Brryli” te fillimi i rrugës “Arkitekt Kasemi” e vazhdimi i rrugës “Bardhyl”, mund të jetë shêji i parë se dikush do të nisë të kujdeset për këtë zonë që ndodhet vetëm nja 700 metra larg qendrës së Tiranës, madje vetëm nja 100 metra larg dy ministrive, asaj të Shëndetësisë dhe kësaj të Jashtme, teksa kjo e fundit përditë lidhet ose kërkon të lidhet me Europën moderne? Nuk e di.

Ajo që di është se mû këtu te “Brryli” nis një nga rrugët më të hershme të Tiranës. Nga planimetria e Tiranës e vitit 1940, botuar në librin me karakter historiko-turistik “Albania”, mësoj se kjo rrugë nevralgjike e Tiranës e paska pasë emërtimin largpamës “Arkitekt Kasemi” qysh para Luftës. E, “Albania” është një libër i rrallë, tejet i çmueshëm, ashtu i formatit të vogël, me kopertinë të kuqe që më është vjetruar tejet, një botim i drejtuar prej organizatorit italian për kulturën në Shqipëri, prof. Sestilio Montanelli, i ati i gazetarit legjendar Indro Montanelli.

Sot, në të dy anët e rrugës “Arkitekt Kasemi” ajo ka pallate të “realizmit socialist”. Ndërsa nga mbrapa shtëpi të ulëta, rrugica të ngushta, të drobitura jo pak; mandej dyqane të vogla të sajuara prej kateve të para të apartamenteve, ka kafene, bare, dhe një tufë të pafund lotarish sportive. Vetëm këtu ngjitur me “Brrylin” ka e pakta katër lotari sportive! Dhe asnjë institucion kulturor (e kush guxon të mendojë një bibliotekë të vogël të lagjes?). Po ashtu, nuk ka asnjë kënd sportiv.

Asnjë park, sado të vogël, për të luajtur fëmijët. Asnjë lulishte përsëri sado të vogël. E, për fat të keq, ende as edhe një treg përsëmbari e modern, e jo më një prej atyre që quhen joshqip “supermarkete”. Madje nuk ka as edhe një kioskë të shitjes së gazetave. Për fat ka “Brrylin”!…

E kam të vështirë të shpresoj se kjo “elegancë” me germa kubike, thuajse gjigante e “Brrylit”-t, do të nxisë bashkiakë, deputetë apo qeveritarë të vijnë të bëjnë një vizitë te “Brryli”, e të përjetojnë një kundërkulturë shembullore (emblematike) aty jeton një popull i tanë. Të shohin midis e mbrapa ndërtesave “socialiste” me tulla jashtë si të epokës së gurit, rrugëzat apo rrugicat e mjera të paasfaltuara, gropa e kanale, pluhur e zhavorre.

E pse jo, të njihen edhe me shpejtësinë e jashtë çdo rregulli të makinave, më saktë hazdisjen e tyre, teksa as që duan t’ia dinë për kthesën dhe kryqëzimin e rrezikshëm të “Brrylit” të germave kubike. Siç ndodhi këto ditë, kur një kamion i ushtrisë mû pranë “Brrylit”, mbasi hodhi përtej një veturë, i hyri brenda dhe e bëri copë një furgon! Për fat, pa viktima. Sepse te “Brryli” e dini që ka pasë edhe viktima.
Është vërtet i vetëm (unikal) “Brryli”.

Pak metra larg tij janë dy poliklinika përballë njëra-tjetrës, ajo e lagjes dhe ajo e specialiteteve, e cila për fat të mirë po ribëhet. Të mjerat ato se në çfarë rrugicash të rëna të shekullit XIX që ndodhen! Për të kaluar nga njëra poliklinikë te tjetra të pengon mesrruga e pa kalim. E ti duhet të sillesh e të shkosh pikërisht te “përmendorja” e sapopëruruar “Brryli”, për të shkuar nga poliklinika e lagjes tek ajo e specialiteteve, mbasi mjeku të ka dhënë një rekomandim, ndoshta edhe urgjent. Për ta bërë këtë të duhen e pakta nja 15 minuta rrugë, kur, po të ishte kalimi përmes me semaforë, siç sapo e kanë realizuar për vete midis tyre dy ministritë e sipërpërmendura, do të mbërrije për dy minuta.

3.
Megjithatë le t’i gëzohemi kundërkulturës urbane me “Brrylin”, edhe pse gjuha shqipe, historia shqiptare, kultura shqiptare, tradita e Shqipërisë, të blatojnë mundësi të papame emërtimesh qytetare, historike, fisnike. Ky është “Brryli” që mpak vetë emërtimin historik të Arkitekt Kasemit të madh. Do të kishte qenë vërtet kuptimplote që me germa po të tilla kubike të shkruhej “Arkitekt Kasemi”. Se as që guxojmë të na shkojë mendja që mû në vend të “Brrylit” të vihej bie fjala, një shtatore e Arkitekt Kasemit  – arkitektit shqiptar epokal të Perandorisë Osmane. Ngaqë zhargoni “popullor” qenka më “i fuqishëm” se historia e kultura, se vetë kuptimplotësia e gjuhës së bukur shqipe.

Dhe si fund, për fat, papritmas “zbuloj” se “përmendorja” “Brryli” qenka jo me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, por me Komisinë Letrare të Shkodrës së vitit 1917 që luftoi fort për pakësimin e përdorimit të “e”-së së pazane, asaj me dy pika pra (ë). Asaj për të cilën Luigj Gurakuqi ka lënë proverbialen e tij kur pat thënë fjalë për fjalë në drejtshkrimin e tij elegant: “…Toskët e kapërcyene kufinin n’përdorim t’e-s s’pázashme, tuej e përdorue shpesh edhe ku s’duhej”.

Kështu, pra, me të gjitha këto, emërtimi “zyrtar” “Brryli” – një motërzim zhargoni disi fyes – ia vlen të hiqet menjëherë, qoftë edhe pse ka shkelë ligjin e drejtshkrimit zyrtar të sotëm të shqipes. E nëse vërtet e duan fort “Brrylin” dhe mendojnë se me të kanë bërë diçka spektakolare, atëherë të paktën le t’i shtojnë edhe një germë, atë “t’e-s s’pázashme”, për të zbatuar ligjin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe Fjalorin shtetëror të Gjuhës Shqipe, që thotë se nuk duhet shkruar “BRRYLI”, por “BËRRYLI”.

Ndonëse kjo nuk e rregullon assesi zonën e banorëve përreth “Brrylit”. Rregullim që nuk nis me “ndërtimin” e këtyre pesë germave kubike, por me përkujdesjen, përtëritjen, rindërtimin, përsëmbari të mjedisit të krejt kësaj zone të Tiranës, të lënë mbasdore.

* “Dje në Tiranë” ka qenë një rubrikë e famshme e gazetës “Bashkimi” me tematikë shoqërore (sociale) menjëherë Mbasluftës (krijuar prej shkrimtarit dhe gazetarit të shquar Petro Marko), një prej autorëve të së cilës në vitet ’70 ka qenë edhe autori i këtij shkrimi të sotëm të “Panoramës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura