Bronzi i shqiptarizmës

Jul 28, 2021 | 10:20
SHPËRNDAJE

visar zhiti

VISAR ZHITI

Kthehet në bronz, në Kolonjën e tij, legjendari Sali Butka. Jeta e tij është histori, pjesë e kujtesës dhe e ndërgjegjes kombëtare, që i duhen së tashmes dhe ardhmërisë. Luftëtar, poet popullor e diplomat popullor, strateg e vizionar, Sali Butka shpëtimin e atdheut e shikonte te përpjekjet e përbashkëta dhe te dija, ndërsa tek Amerika shikonte shpëtimtarin nga copëzimi prej lakmive të fqinjëve…

E madhërishme nuk është vetëm shtatorja tani, por dhe akti: kthimi i Sali Butkës i bronztë në truallin e tij është dhe përgjegjshmëri e së sotmes, përlindje e besimit, vazhdim i triumfit të ndërgjegjes së Kombit.

Me Sali Butkën mësojmë se për atdhe përdoret jo vetëm pushka, por edhe pena, më shumë se llogoret duhet shkolla, mbi të gjitha dashuria patriotike e vëllazëria në breza e breza.

Shumë nga vjershat e tij Sali Butka i shkroi në Malin e Tomorrit – Olimpi i shqiptarëve, në shtëpinë e gjyshit tim, ndërsa me djalin e tij, patriotin dhe padagogjistin Safet Butka, im atë ishte bashkëpunëtor. Nipi i Sali Butkës, veprimtari Uran Butka, historian, shkrimtar, deputet shpirtëror, e vazhdon misionin e të parëve duke na pasur pranë, qytetarë të shumtë, në lëvizjen demokratike për një Shqipëri euro-atlantike. Shtatorja – vepër e skulptorit të mirënjohur Agim Rada, i ngërthen me art të gjitha këto me porosi atdhedashurinë, që s’është vetëm antike e as jo moderne, por thjesht e përjetshme.

Vendosja në Ersekë e kësaj shtatoreje është ngjarje kombëtare…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura