Brokaj në krah të Ruçit: PD e sulmon si të ishte Kadri Hazbiu, politikë me eshtrat e Prek Calit

Sep 22, 2017 | 8:13
SHPËRNDAJE

Ish-ministri socialist Sabit Brokaj e cilësoi mjerane mënyrën se si po bën opozitarizëm Partia Demokratike. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Brokaj shprehet se sulmi që i bëhet Gramoz Ruçit është i padenjë, për 60 ditët e tij në krye të ministrisë së Brendshme më 1991, ndërsa e sulmoi si të ishte Kadri Hazbiut i cili drejtoi ministrinë e Brendshme për 30 vjet.

brokaj

Brokaj ndërhyn dhe në debatin për Prek Calin, për të cilin shprehet se po përdoret politikisht nga opozita.

Ka një garë mes PS-së dhe PD-së me projektligje për heqjen e dekoratave të ish-funksionarëve të lartë të shtetit komunist, që nga anëtarët e Byrosë Politike, kryetarja e Frontit Demokratik, kryeprokurori etj. Si e vlerë- soni këtë nismë?

Sikur këto të ishin brenda një strategjie të caktuar, pra të luftës kundër kujtesës së komunizmit, në përputhje me veprime konkrete të bëra nga ata që në atë regjim duheshin ndëshkuar, pra brenda asaj logjike, mund të thuhet që është e pranueshme.

Por, në mënyrën se si shtrohet apo si është shtruar, që sapo acarohet politika, që nuk ka objekt, nuk ka motiv konkret në përmirësim të proceseve që ne jetojmë tani, por u adresohen dekoratave të asaj kohe, gjykoj se është joserioze. Aq më shumë që këto kanë një karakter historik, janë dhënë në një kohë të caktuar, në një sistem të caktuar dhe në vlera të caktuara. P.sh., do t’i hiqet dekorata e trimërisë, fjala vjen, një anëtari të Byrosë Politike që është plagosur dy herë në luftën kundër fashizmit. Si do ta gjykojmë sot? Do të themi se ai nuk ishte trim kur u plagos në betejë?! Do t’i heqim dekoratën e kujtimit, dikujt, pse pati fatin të jetojë pas Luftës dhe të gëzojnë dhe periudhën pas fitores së luftës?! Në këtë kuptim nuk është serioze, e gjykoj unë. Madje është dëshpëruese që ne, pas kaq kohësh, merremi me diçka që në 3- 4 vitet e para pas ’90, pra antikomunizmi, do të kishte sens.

Ndërsa në 2017-n të flasësh për heqjen e dekoratave të atyre që shumica nuk jetojnë më, dhe besoj se nipërit e tyre janë në moshën 50-vjeçare. Çfarë përfitimi ka politika dhe shoqëria nga një veprim të tillë? Përveç faktit se tregon një labilitet në kuptim e historisë, në përmbajtjen e saj, por dhe në njohjen e proceseve të zhvillimit të një shoqërie, e cila brenda një sistemi, apo në sisteme të ndryshme, patjetër kalon nga një etapë në tjetrën dhe çdo periudhë ka vlerësimet e veta. P.sh., ne kemi “Heronjtë e Punës Socialiste”.

Në 27 vjet ata nuk janë përmendur asnjëherë. Një shofer i Korçës, punonte për 10 vjet avancë, pa marrë paratë e djersës që derdhte për shqiptarët dhe Shqipërinë. Asnjë nuk u kujtua të thotë për atë dhe ata që derdhën aq shumë djersë. Përse? Pse punuan në atë regjim?! Apo pse ndonjëri kishte teserë komunisti, kur kontributi i tyre është shumëfishi nga ata që kanë punuar në tunele, jashtë tuneleve, në burg apo jashtë burgut. Pra ne nuk kemi akoma refleksin e diferencimit në ndërgjegjen tonë politike dhe shoqërore të sistemit të vlerave, sistem vlerash që ka karakter të përhershëm, siç ka dhe sistem vlerash të tillë, që lidhet me kontekste të caktuara historike. Prandaj e shoh këtë propozim pa ndonjë përfitim të veçantë, madje do të thosha turbulluese në kuptimin e ndërgjegjes qytetare, një pështjellim.

Duket se tendenca antikomuniste u prek edhe në nisje të legjislaturës së re me kandidaturën e Gramoz Ruçit për kryetar të Kuvendit. Jemi në të njëjtën situatë si me dekoratat?

Mund të thuhet se është e njëjta gjë. Unë do të thosha se është joserioze, madje qesharake në tërësi për politikën. Gramoz Ruçi është një deputet i vjetër, nuk ka në sjelljen e tij politike absolutisht asnjë të dhënë, asnjë gjest apo fjalë që ta kapësh Gramozin dhe të thuash komunisti, ishkomunisti etj. Sjellja e tij është shumë më demokratike se e tërë atyre që e kritikojnë, për të mos thënë që po të flisje nga pozicioni i njërit nga drejtuesit e PS-së, që kam qenë unë, do të thosha se Gramozi ka qenë madje i tërhequr. Sepse e impononim ne, i thoshim që meqenëse të kanë vënë tabelë qitjeje, Saliu dhe të tjerët duan shkas që të godasin PS-në nëpërmjet teje, po të ruajmë ne. Dhe, nga ana tjetër, Gramozi ka qenë ministër në fund të shkurtit 1991. Dihet që pluralizmi u shpall, në dhjetor 1990, nga Partia e Punës dhe u konkretizua në janar 1991, dhe kur Gramozi ishte ministër i Brendshëm kishte rreth 7 parti politike në Shqipëri që funksionon ligjërisht dhe me egërsi. Qëndroi në këtë detyrë 2-3 muaj dhe natyrisht u tërhoq, siç ndodhën zhvillimet e atëhershme dhe u provua juridikisht dhe ligjërisht që në vrasjet e 2 prillit në Shkodër nuk kishte asnjë përgjegjësi. Këta e sulmojnë Gramozin si të ishte Kadri Hazbiu ministër i Brendshëm, që qëndroi 30 vjet ministër dhe jo Gramozi që qëndroi vetëm 60 ditë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një politikë mjerane, skandaloze nga ana e opozitës, e cila ka gjetur Gramozin dhe eshtrat e Prek Calit për të bërë politikë.

Ka strategji që ngrihen këto çështje brenda një kohe të shkurtër?

Këto janë tregues që identifikon opozitarizmin skandaloz, qesharak shqiptar të republikës së re të PD-së. Nga një pikëpamje është revoltuese se çfarë pritet nga opozita dhe çfarë kauzash ngre. Unë jam i bindur se Gramozi do të jetë pa diskutim drejtuesi më i mirë i Kuvendit në gjithë këto vite, sepse ka një përvojë, e di mirë se çfarë është rregullorja dhe si duhet respektuar ajo nga të gjithë.

Një tjetër çështje debatohet në politikën shqiptare, siç është ajo e kullës dhe historisë së Prek Calit në Vermosh. Çfarë ndjesie ju jep?

Historinë e Prek Calit do ta kap pak më thellë në kohë. Në vitin 1992-1993, kur PD ishte në pushtet, në Vermosh shkoi ambasadori amerikan Rajerson dhe kryetari i PDsë në atë kohë, Eduard Selami, i cili duke folur për Prek Calin, më cilësoi mua kriminel, duke më lidhur me vrasjen e tij, ndërkohë që kur Prek Cali u vra, unë kam qenë 3-4 vjeç. Me këtë dua të them se sa qesharake është përdorimi qoftë i këtyre figurave, që jetën e tyre e kanë të dyzuar, për t’i përdorur eshtrat e tyre për qëllime politiko-skandaloze.

Prek_Cali

Prek Calin mund ta mbroje se pati një rol patriotik në një periudhë të jetës së tij, por më pas iu kundërvu pushtetit politik me armë dhe natyrshëm, kush i ngrihej pushtetit me armë, regjimi nuk të fal. Tani merren me kullën. Skandali në këtë kohë është në faktin që aktorët që merren me të kanë interesa të tjera. Politika e opozitës së Tiranës, e cila është aq bosh, fërkoi duart duke u lumturuar që i doli subjekti për t’u marrë. Kjo opozitë duket sikur kërkon t’i shmanget një realiteti dhe të merret me eshtrat dhe kullën e Prek Calit. Antikomunizmi nuk luftohet duke u marrë me Prekën.

Antikomunizmi luftohet duke ngritur mirëqenien, bëje demokracinë, bëj një shtet ligjor të së drejtës, drejtësi për të gjithë, dhe atëherë vetiu nuk ka nevojë ta shajë Enver Hoxhën ndonjë i PD-së, por do ta shajmë të gjithë atë dhe regjimin e kaluar. Sepse kështu do të bënim diferencën, do të thoshim ç’ishin ata budallenj apo kriminelë kur paska pasur mundësi për të pasur një shtet serioz, me mirëqenie dhe me drejtësi dhe ata nuk deshën ta bënin. Por tani një shoqëri me njëmijë probleme, shumë nga ato më të rënda nga e kaluara, siç është gjakmarrja, varfëria skajore, korrupsioni, trafiqet dhe mungesa e drejtësisë, në vend që t’u vijë turp për këtë realitet që kanë krijuar për 26 vjet, merren me dekoratat, apo me Prekën, apo postin e Gramozit. Por, nga ana tjetër, PD bën shumë mirë që mbron emrin e Prek Calit, duke marrë për motiv patriotizmin e tij, që luftoi për kufijtë veriorë të Shqipërisë. Po kush e thotë këtë? Prek Cali luftoi kundër serbo-malazezëve dhe këta që dënojnë PS-në dhe komunizmin, ishin ata që armatosën serbët dhe malazezët kundër shqiptarëve. Pra këta realisht janë armiqtë e Prek Calit dhe jo mbrojtës të tij.

Preka luftoi me njerëzit e tij, derdhi gjak në mbrojtje të çdo metri katror toke shqiptare. Opozita e sotme i dha kilometra katrorë Greqisë, hapë- sirë detare më e rëndësishme gjeopolitikisht dhe gjeoekonomikisht sesa territoret për të cilat luftonte Prek Cali në Vermosh. Është skandaloze dhe është shumë ngacmuese për çdo shqiptar kjo hipokrizi e opozitës së sotme, kur flet për interesa kombëtare./ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura