Britma dhe dënime, ja si Ilir Daja e zgjoi Skënderbeun

Oct 21, 2019 | 13:00
SHPËRNDAJE

Skënderbeu tregoi forcën dhe cilësitë në ndeshjen e luajtur të shtunën përballë Kukësit në kampionat, një takim ku korçarët diktuan gjithçka dhe për më tepër nuk u vunë asnjëherë në pozitë të vështirë nga kundërshtari. Një rilindje kjo e Skënderbeut që ndryshonte pa fund nga ai ekip i një ndeshjeje më parë, për të mos folur nga takimet e tjera të këtij sezoni ku ka pasur luhatje te dukshme.

ilir daja

Grintë, pasime të shpejta dhe ekuilibra në të dyja fazat e lojës, këto ishin karakteristikat e formacionit të hedhur në fushë nga ana e trajnerit Ilir Daja. Duket se gjithçka ka qenë e mirëpunuar nga vetë trajneri bardhekuq përgjatë këtyre ditëve duke shfrytëzuar në maksimum ditët e fundit të fazës përgatitore. Por, si e sol li trajneri Daja Skënderbeun në këtë gjendje? Përgjigjen e japin disa nga pikat ku trajneri vendosi të besonte dhe të këmbëngulte që në fund i dhanë të drejtë.

BRITMA – Nëse Daja duket një trajneri i qetë në pamje të parë, kjo ju gënjen. Ai është i rreptë dhe një kërkues i perfeksionit e nëse nuk e shikon diçka të tillë, britmat janë nga më të ndryshmet. Por, kjo jo vetëm gjatë kësaj jave, por edhe në gjithë këtë fazë të parë, trajneri nuk ka reshtur së bërtituri gjatë seancave stërvitore në momentet kur shikon se ekipi nuk i përgjigjet ashtu si e kërkon ai.

Ilir Daja

Askush nuk kursehet nga trajneri, i cili ka kritika për gjithkënd, sidomos për sa i përket tranzicionit në fushën e lojës, ashtu siç e kërkon ai, qoftë difensiv ashtu edhe ofensiv. Një gjë e tillë nuk ka kursyer as Pollozhanin, i cili është ndër më të vjetrit në ekip dhe as Vangjelin si ndër më të rinjtë.

DËNIMET – Pas britmave radhën e kanë dënimet. Sidomos gjatë javës së fundit të përgatitjes së ndeshjes ndaj Kukësit. Trajneri bardhekuq ka kërkuar një ekip perfekt në të gjitha seancat stërvitore, madje nuk ka kursyer edhe dënimet për lojtarët që nuk bëjnë atë që u kërkohet dhe nuk kryejnë ushtrimin si duhet. Një gjë të tillë e kanë provuar nga Taipi deri te Muja apo Oto Xhon, të cilët kur gabonin në vendosje kalonin në grupin tjetër për të ripërsëritur ushtrimin.

iLIR DAJA

ALTERNATIVAT – Nëse në fillim të sezonit ekipi nuk kishte shumë alternativa për të hedhur në fushë, në javën e fundit lojtarët e Skënderbeut kanë pësuar një rritje të madhe fizike. Kjo ka qenë arsyeja që deri në momentin e fundit dilemat kanë qenë të shumtë në përzgjedhjen e formacionit.

Në të tilla kushte, Taipi dhe Muja së bashku me Ndekin dhe Marën kanë qenë në pritje për të mësuar se kush do të jetë titullari. Rivaliteti mes tyre i bën nder ekipit, pasi lojtarët tashmë nuk e kanë më të sigurt formacionin dhe duhet të luftojnë shumë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura