Britanikët para dilemës për shkëputje

Jul 6, 2016 | 12:15
SHPËRNDAJE

qemal lameQEMAL LAME

Tronditja sizmike e shoqërisë dhe shtetit britanik, paqartësia dhe rënia e besimit në popull për garancitë për të ardhmen, shkaktuan pasojat e rënda të paparashikuara në masën e nevojshme të reagimit popullor, kërkesave konkrete e të artikuluara për ndarje gjeografike, rënien drastike të bursës e të vlerës së paundit, fillimit të pasojave të krizës më të rëndë ekonomike e financiare.

– Qeveria, Parlamenti i Britanisë së Madhe vendosën mbajtjen e referendumit, por nuk po reagojnë për kërkesën për shkëputje. Qeveria dhe Parlamenti i Britanisë së Madhe shprehen për respektimin e vullnetit të popullit të dëshmuar në referendumin e datës 23 qershor 2016, por nuk vendosin për nisjen e procedurës së shkëputjes, duan kohë për të reflektuar e vendosur.

Terapia angleze e qetësisë dhe e bisedimeve nuk mbështetet nga Bashkimi Europian. Parlamenti Europian miratoi rezolutën për shkëputjen e Britanisë dhe i kërkon zyrtarisht të bëjë kërkesën zyrtare të nisjes së procedurës, sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Këtë deklaroi edhe presidenti i Komisionit Europian, Junker, presidenti i Francës Hollande, Kryeministri i Italisë Renzi etj.

Kancelarja gjermane, Merkel, tregohet më e kujdesshme dhe mbron idenë që t’u jepet kohë britanikëve për të vendosur në qetësi. Referendumi britanik, me rezultatin e vogël për shkëputje, dëshmoi pasojat e politikës së njohur tradicionale të ndjekur nga Qeveria dhe Parlamenti, ndarjen e popullit afërsisht në mënyrë të barabartë për largimin apo për vazhdimin e integrimit, reagimin e fuqishëm të moshave të reja që e shikojnë të ardhmen në Europën e bashkuar etj.

Britania e Madhe ndodhet përballë rrezikut potencial të shkëputjes së Skocisë, Londrës, Irlandës së Veriut. Skocia që votoi për qëndrimin në BE, ka deklaruar se do të qëndrojë në BE dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në Bashkimin Europian. Këtë qëndrim mbrojnë edhe në Londër, ku u votua me mbi 75 për qind pro BE-së. Irlanda e Veriut paralajmëron se në rast shkëputje do të bashkohet me Irlandën. Spanja kërkon të marrë Gjibraltarin.

Qeveria dhe Parlamenti i Britanisë së Madhe është e domosdoshme të vendosin për të sotmen dhe të ardhmen e vendit të tyre. Ato ndodhen konkretisht para kërkesës ultimative të britanikëve dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe në fokusin e politikës ndërkombëtare, që shprehet dashamirëse ndaj anglezëve dhe respekton vullnetin e popullit në referendum.

Kërkohet të zgjidhet alternativa e pranueshme që plotëson interesat e të gjithë popullit britanik për të sotmen dhe të ardhmen e tij. Në radhë të parë: Në rast se përkrahin rezultatin e referendumit për shkëputje, duhet të bëjnë kërkesën, sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës.

Në radhë të dytë: Në rast se duan kohë për të reflektuar, reaguar me qetësi ndaj pasojave të rënda shkatërrimtare të shkëputjes për vetë britanikët, pa u nënvleftësuar edhe pasojat për bashkësinë europiane, atëherë kërkohet të matin masat ligjore kushtetuese për vazhdimin e integrimit europian. Mangësitë e politikës qeveritare, i shfrytëzuan nacionalistët me orientim antieuropian.

Fitorja në referendum u konsiderua si fitore e pavarësisë!!! Menjëherë filluan të demonstrohen qëndrimet antidemokratike të urrejtjes dhe deri edhe raciste ndaj të huajve. Kur e analizon me qetësi dhe objektivitet këtë propagandë, natyrshëm shtrohet pyetja: Nga kush u çliruan?! Mbretëria Britanike është monarkia me jetëgjatësinë më të madhe prej më se pesë shekujsh.

Britania është shtet i fuqishëm sovran, anëtare e Këshillit të Sigurimit, një nga pesë fuqitë bërthamore. Me të drejtë tërhiqet vëmendja në pasojat e rënda të mungesës së orientimit të qartë qeveritar dhe të shfrytëzimit të paqartësive në popullin britanik për interesat e grupimeve nacionaliste antieuropiane. Kombi britanik kërkon të ketë të garantuar të sotmen dhe të ardhmen e sigurt politike, ekonomike e mirëqenien e tij.

Fatet e popullit britanik mbrohen nga vetë interesat e britanikëve. Forca e Britanisë së Madhe si shtet sovran dhe reflektimi i pushtetit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare janë më konkrete dhe më të ndjeshme me anëtarësinë e saj në BE dhe rolin politik, ekonominë dhe tregun europian më të madh në botë. Largimi nga BE dëmton pozitat gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeoekonomike angleze.

Zvogëlimi i bashkësisë ndikon edhe në marrëdhëniet BE me Rusinë, si dhe gjeopolitikën europiane dhe ruse. Kuptohet se Rusia do të përfitojë nga kjo ndarje e Britanisë, por nuk mund të rritet ndikimi i saj në Europë, për shkak të gjendjes që ajo ka krijuar me aneksimin e Krimesë, përkrahjen e separatistëve në Ukrainën Lindore dhe mosplotësimin e detyrimeve për Marrëveshjen e Minskut me Ukrainën.

Largimi i Britanisë nga BE nuk është e drejtë të vlerësohet me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, pasi janë kushte të tjera politike. Ato ishin organizime të diktaturës komuniste nën hegjemoninë sovjetike. Zhvillimet në Bashkimin Europian janë demokratike dhe sipas parimeve të barazisë së bashkësisë, të rregullave të njohura për anëtarësimin dhe shkëputjen e shteteve anëtare, duke respektuar kriteret e pranuara nga të gjithë anëtarët.

Për këto arsye, dëmet janë më të mëdha për anglezët, sesa europianët. Kombi britanik nuk mund të pranojë të imponohet nga interesat e ngushta të nacionalistëve antieuropianë që spekulojnë me vështirësitë që kalon Bashkimi Europian, integrimin europian, politikat e emigracionit dhe fobinë ndaj të huajve, deri edhe me qëndrime racore të dënueshme nga vetë anglezët dhe i gjithë qytetërimi europian dhe botëror.

– Qeveria dhe Parlamenti i Britanisë së Madhe kërkohet të qartësojnë politikën për të ardhmen e britanikëve. Referendumi tregoi për rezultatin e ngushtë të shkëputjes dhe të distancimit nga politika e deritanishme europiane. Edhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë të qartë qëndrimin e shumicës së britanikëve.

Nuk mund të vazhdohet më tej politika britanike e deritanishme që zyrtarisht shprehej në përgjithësi për orientimin europian, ndërsa në fakt zbatonte politikën “brenda dhe jashtë bashkësisë”, “në bashkësi, por me status të veçantë”. Më qartë dhe hapur: “jashtë bashkësisë”. Qeveria dhe Parlamenti i Britanisë e kishin të qartë se referendumi për Brexit do të jepte rezultatin e padëshiruar të shkëputjes.

Përgjegjësia është në radhë të parë e Qeverisë britanike, të kryesuar nga Cameron, që vendosi për referendumin. Gjatë fushatës së referendumit, Qeveria dhe Cameron mbrojtën orientimin europian. Megjithatë, nuk arritën të bindnin shumicën e popullsisë. Në Britaninë e Madhe diskutohej shpesh për mbajtjen e referendumit për të qartësuar orientimin e së ardhmes. Politikanët britanikë reagonin sipas interesave të politikës së ditës.

Në politikën e brendshme propagandohej roli i madh britanik në Europë dhe ndërmerreshin shpesh iniciativa për reformimin e Bashkimit Europian, sipas idesë së njohur britanike të ruajtjes së bashkësisë si organizatë e shteteve të pavarura dhe si një treg i lirë ekonomik. Politika britanike vlerësohej dhe kishte vendin e saj të rëndësishëm në Bashkimin Europian. Por dalloheshin dhe thelloheshin gjithnjë e më shumë orientimi britanik kundër thellimit të integrimit dhe të ardhmes drejt federalizimit të bashkësisë europiane.

Britania u bë pengesa kryesore për Kushtetutën Europiane dhe ndikoi në rezultatin negativ të referendumeve në Francë e në Holandë, të cilat sollën si pasojë dështimin e reformës kushtetuese. Përkushtimi europian për konstituimin e bashkësisë, vazhdoi me Traktatin e Lisbonës, i cili arriti të miratohej, vetëm pasi u plotësuan kërkesat ultimative të qeverisë së Britanisë për statusin e veçantë që u parashikua në Protokollin shtesë të Traktatit.

Po kështu u bënë lëshime me kompromis edhe për Poloninë e Çekinë, të mbështetura nga Britania, që kërkonin më shumë pushtet në institucionet qendrore. Shtetet anëtare të Bashkimit Europian e bëjnë të qartë se parimet themelore të bashkësisë janë të detyrueshme dhe të barabarta për të gjithë anëtarët. Ekonomia dhe tregu i madh i hapur europian ka prioritet dhe u shërben të gjitha shteteve dhe popujve.

Nuk pranohet të bëhen më tej lëshime ndaj Britanisë së Madhe, në rast se ajo vendos për orientimin politik jashtë bashkësisë dhe njëkohësisht kërkon të ruajë marrëdhëniet ekonomike aktuale me Bashkimin Europian. Qëndrimi i ardhshëm politik britanik jashtë bashkësisë do të shoqërohet edhe me ndryshimin e marrëdhënieve ekonomike midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian.

– Bashkimi Europian vlerëson pasojat e Brexit dhe njëkohësisht thekson se është i vendosur dhe ka forcën e nevojshme për të ruajtur dhe çuar më tej integrimin. Përfaqësuesit e lartë të institucioneve qendrore europiane dhe të shteteve anëtare, që në fillim vunë në dukje rrezikun dhe pasojat e referendumit për britanikët dhe bashkësinë europiane. Megjithatë, mbajtën qëndrim të kujdesshëm për të mos ndërhyrë në vendimin e Qeverisë dhe fushatën për referendumin. Kjo politikë u zbatua edhe me pranimin e vullnetit të referendumit për shkëputje.

Këtë qëndrim mbajtën edhe SHBA-të dhe Presidenti Obama, duke u shprehur qartë për marrëdhëniet e veçanta me Britaninë, qëndrimin e saj në BE dhe respektimin e vullnetit të popullit anglez. Përballë rrezikut të pasojave të pritshme, bashkësia europiane ka vepruar për të marrë masat përkatëse të domosdoshme. Politika angleze do të përballohet dhe do të vazhdohet me përkushtim forcimi i bashkësisë. Është fakt se Brexit shkaktoi çarjen e madhe.

Mund të ketë edhe ndonjë presion tjetër nacionalist antieuropian, siç kanë deklaruar nacionalistët francezë të Le Pen, ata holandezë, finlandezë etj. Bashkimi Europian, nga 28, do të bëhet me 27 anëtarë. Eurozona me 19 anëtarë është kompakte. Edhe skenari më i keq që mund të parashikohet nga nacionalistët antieuropianë, nuk mund të përçajë shtetet që formuan bashkësinë dhe ata që iu bashkëngjitën asaj. Vizioni europian dhe reagimi ndaj Brexit ndikoi në masat për forcimin e mëtejshëm të bashkësisë.

Për këtë qëllim, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë e të Francës u bëjnë thirrje edhe vendeve të tjera për të vlerësuar më me përgjegjësi të ardhmen e përbashkët të bashkësisë. “Ne kemi nevojë të gjejmë mënyra më të mira për të trajtuar nivelet e ndryshme të ambicieve dhe të sigurojmë se Europa do t’u përgjigjet më mirë pritshmërive të të gjithë qytetarëve evropianë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Deklarata e këtyre dy shteteve është një iniciativë që merret për të kontribuar në forcimin e bashkësisë dhe bashkëpunuar me të gjitha shtetet e tjera anëtare, nën drejtimin e mekanizmave qendrore europiane. Para shteteve europiane shtrohen tri iniciativa: Një pakt europian mbi sigurisë. BE-ja do të vendosë prioritetet strategjike për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe do të promovojë një politikë të integruar europiane.

Shtetet anëtare të BE-së, të cilat duan të krijojnë një bashkëpunim të përhershëm të strukturuar në sektorin e mbrojtjes, duhet të jenë në gjendje për ta bërë këtë në një mënyrë fleksible. Nëse është e nevojshme, shtetet anëtare të BE-së duhet të konsiderojnë krijimin e forcës së përhershme detare. Një politikë e përbashkët për azilin dhe emigracionin. Ne jemi të vendosur se BE-ja duhet t’i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e parë shumëkombësh në botë dhe rojën e parë bregdetare shumëkombëshe.

BE-ja ka nevojë të gjejë një përgjigje të përbashkët për rritjen e numrit të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në BE për arsye ekonomike. Vendet anëtare do të punojnë për të reduktuar faktorët shtytës në migracionit të parregullt. Inkurajimi i zhvillimit ekonomik dhe unionit monetar. Për të zhbllokuar rritjen dhe për të rritur produktivitetin e ekonomisë europiane, është e nevojshme një përpjekje e re për më shumë investime, private dhe publike. Forcimi i unionit monetar të jetë rezultat i një progresi realist dhe gradual.

Iniciativa gjermano-franceze synon për të thelluar e forcuar pushtetin qendror të bashkësisë. Propozimet e publikuara i përshtaten situatës së krijuar, u kundërvihen tendencave për shkëputje të grupeve nacionaliste antieuropiane, kufizojnë avancimin e mendimeve që shkaktojnë pasiguri etj. Për të garantuar sistemin politik, ekonomik e shoqëror të bashkësisë, ritheksohet domosdoshmëria e krijimit të mekanizmave të rëndë- sishëm që konsolidojnë më konkretisht qeverisjen federative të Bashkimit Europian.

– Mundësia e një referendumi të dytë për të ardhmen e Britanisë së Madhe. Referendumi i dytë po merr mbështetje të gjerë dhe po bëhet i pashmangshëm. Në këtë zgjidhje ndikojnë reagimi i fuqishëm i mbështetësve të qëndrimit në BE. Peticioni londinez për referendumin e dytë po mbështetet gjerësisht.

Brenda dy ditëve, mbi 300 mijë shtetas britanikë, ndër të cilët edhe ish-kryeministri Toni Blear, kanë firmosur peticionin për të qëndruar në BE. Këto dy ditë janë bërë përpjekje për manifestime masive. Për arsye sigurie, u anulua nga Policia londineze një tubim i kërkuar nga afro 30 000 persona.

Shkak për referendumin e dytë është edhe legjitimiteti i diskutueshëm i referendumit të zhvilluar më 23 qershor 2016. Legjitimiteti nuk përputhet me zhvillimin referendumit, së pari sepse referendumi nuk plotësoi kushtet ligjore. Nuk u arrit pjesëmarrja 75 për qind e popullsisë.

Së dyti, në votim nuk u lejuan të marrin pjesë shtetasit britanikë që jetojnë jashtë Britanisë. Qeveria e Britanisë nuk vendos për një referendum të dytë. Cameron e ka bërë të qartë më parë se nuk do të ketë një mundësi të dytë. Pas rezultatit të referendumit për shkëputje, Kryeministri Cameron njoftoi dorëheqjen e tij, duke argumentuar se ai ishte shprehur pro qëndrimit në BE. Rezultati negativ. Për të realizuar një politikë të re dhe për të marrë masat e nevojshme për shkëputje, kërkohet të vendosë një kryeministër tjetër.

Cameron do të largohet nga detyra në muajin tetor 2016. Ai ka vendosur që, nisja e procedurës për shkëputje, sipas vullnetit të popullit britanik në referendum, të jetë në kompetencën e kryeministrit të ardhshëm. Qeveria aktuale e kryesuar nga Cameron vendosi për referendumin dhe nuk mundet që menjëherë të ndryshojnë qëndrim.

Kjo shpjegohet me situatën e komplikuar në Britani, reagimet e menjëhershme të politikanëve dhe medias së ndarë, si dhe ruajtjen e autoritetit të Qeverisë. Ngjarje të reja dhe vendime të rëndësishme priten pasi të zgjidhet kryeministri i ri, pasi të vendoset nga Parlamenti apo të merret një vendim gjykate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura