BRITANI/ “Punonjësi shqiptar i Interpolit” kapet duke shpërndarë kokainë

Jul 29, 2015 | 7:05
SHPËRNDAJE

Një shpërndarës droge me kombësi shqiptare është arrestuar në Radford, në Angli, ndërsa u ka thënë autoriteteve sa ishte pjesë e një ekipi ndërkombëtar të luftës kundër narkotikëve.

Nottingham Post
Nottingham Post

Mediat britanike shkruajnë se i arrestuari, Klisman Sykaj, kishte mbërritur në Angli rreth katër vite më parë dhe pas arrestimit, ai i tha policisë se ishte rekrutuar nga Interpoli.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, autoritetet i kanë gjetur Sykajt 7 gram kokainë në xhep, 2 mijë paund dhe dy telefona celularë.

Ndërsa gjatë kontrollit në apartamentit, Sykajt iu gjetën 213 gram kokainë të fshehur në një kapak tenxhereje.

Sipas “Nottingham Post”, prokurori Faye Mellor, tha se Sykaj ka deklaruar më parë se “kishte punuar për Interpolin në Shqipëri dhe ishte në përpjekje për të kapur një shpërndarës droge”.

Pas hetimeve thuhet se i arrestuari ka pranuar se pretendimet e tij ishin gënjeshtra. Gjithashtu ai ka pranuar se kokaina e kapur ishte e tija dhe e përdorte për tua shpërndarë të tjerëve.

Pas këtyre deklaratave ai është dënuar me tre vjet burg nga Gjykata.

Gjatë seancës, gjyqtari Gregori Dickinson i tha atij se nëse kishte ardhur në Angli për një jetë më të mirë në mënyrë ilegale dhe për t’iu shmangur rreziqeve që pretendon se kishte në vendin e tij, atëherë gjëja e fundit që duhet t’i shkonte ndërmend ishte që të merrej me ngjarje kriminale.

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit tha se Sykaj nuk kishte dosje penale në Angli dhe në Shqipëri, dhe kishte emigruar ilegalisht për “sigurinë e tij” duke shpresuar për të punuar në Britaninë e Madhe.

Mediat angleze shkruajnë se një tjetër seancë gjyqësore pritet të mbahet ndaj tij në tetor të këtij viti dhe fillimisht, ai duhet të paguajë 900 paund për shpenzimet e gjyqit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura