Brishtësia e demokracive në ekspozitën “Onufri”

Nov 23, 2015 | 16:08
SHPËRNDAJE

Një “portë” xhami antiplumb e pas saj një rrugicë qelqesh të thyera, mbi të cilat dallohen njolla gjaku, të fton në “Onufrin XXI”.

Në të dyja anët fletë xhami me imazhe të shfytyruara të vrarësh. Demokracitë janë të brishta, ashtu si edhe qelqi.

11219341_1664547423793340_730424949736921603_n

Po ashtu edhe paqja, kërcënimin serioz të së cilës jemi duke e përballuar së fundmi. Po ashtu edhe jeta e njeriut, e brishtë dhe e kërcënuar nga çmenduria e të marrëve. Edicioni XXI i ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” u hap mbrëmjen e së premtes. Ky edicion, i kuruar nga “Vest and Page”, nën titullin “SiO2 – Arsyeja e Brishtësisë, Si e Shkronjëzojmë Fjalën K-U-JD-E-S kur Përballemi me Qelqin?”, u hap me një performancë të artistit Boris Nieslony, që sa më sipër e tregoi me trupin e vet. Pas çdo emri shteti, që ka kaluar përmes konfliktesh, ai thyente një pllakë xhami në kokë. Dhe kjo u përsërit derisa balli iu mbulua nga gjaku.

12246613_1664547243793358_5871539045805991949_n

Vepra e tij ishte e vetëmjaftueshme, e megjithatë artisti kishte vendosur ta plotësonte edhe me rrëqethjen që i krijohej publikut tek shihte dhimbjen fizike të tjetrit.

Paskëtaj hapësira ekspozuese mbushej nga veprat e 23 artistëve pjesëmarrës shqiptarë e të huaj. Kishte video, instilacione, videoinstalacione…, për ndërtimin e së cilave artistët ishin mbështetur te qelqi, si material apo si simbol brishtësie apo transparence.

Ambicioz “Onufri” i këtij viti, për nga emrat pjesë- marrës. Gjen aty 4 punë të Yoko Ono-s, bashkëshortes së këngëtarit John Lenon, e cila prezantohet për herë të parë me publikun shqiptar, në Tiranë, me katër punë të sajat: “A key to open a forest”, “A key to open a faded memory”, “Position piece: a hole” dhe “Season of glass”, albumin e hedhur në treg, 6 muaj pas vrasjes së këngëtarit, në mbulesën e të cilit shquhen syzet e gjakosura të Lenon-it, një gotë e mbushur përgjysmë me ujë dhe në sfond “Central Park”-u.

12278830_1664547450460004_6919903187088578400_n

Siç pritej, Marina Abramoviç dhe Ulay erdhën në Tiranë me provën e ekuilibrit “Balance prof”, një video, në të cilën dy artistët mbajnë me trupat e tyre të zhveshur një tabak qelqi. Për të vazhduar me ëndrrën e Jaume Plensa-s, pasqyrat e Dana Dal Boe, si dhe vepra nga Chris Burden, Tony Cragg, Jan Fabre, Joseph Kosuth etj. Gozhdë qelqi, që duket sikur vijnë që nga kryqëzimi i Krishtit, vula për të kaluar kufirin, të shtrembëruara nga forca e mëshuar, shenjtorë e simbole të kombit të ruajtur në formalinë…

Mure mbrojtëse allashqiptarçe, të ruajtura me copa xhami e gryka shishesh të thyera… një ide e sjellë nga dy artistë shqiptarë… Përtej interesit që ngjallte ardhja në Shqipëri e artistëve me famë botërore, pa ulur aspak përpjekjen e 7 artistëve shqiptarë, që i ishin përgjigjur konceptit të kuratorëve, shumësia e veprave në ekspozitë krijonte një lloj kakofonie. Do të kishte mjaftuar edhe gjysma e tyre për të dhënë idenë e kuratorëve dhe mundësinë vizitorit për t’i përthithur ato edhe më mirë. Nga ana tjetër, problem shkakton edhe mungesa e përkthimit në shqip të etiketave që shoqërojnë punët.

12246777_1664547177126698_2130870535525496763_n

Të gjithë titujt janë në gjuhën angleze, madje edhe kur bëhej fjalë për artistë shqiptarë. Edhe pse kuratorët janë të huaj, nuk ka përse etiketat të jenë po në gjuhë të huaj. Përveç veprës së Armando Lulajt, “The large glass”, e cila shoqërohej nga një tekst i përgatitur nga Jonida Gashi, si dhe videove, ku artistët vetëshpjegoheshin, asnjë punë tjetër nuk ka ndonjë tekst sqarues apo zbërthyes.

“Onufri” është një ekspozitë e artit bashkëkohor, e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, një institucion publik, i cili duhet të ndiqet nga një publik i gjerë, i cili jo domosdoshmërisht është njohës i artit bashkëkohor. Një tekst shpjegues do t’i vinte në ndihmë t’i qasej më shumë veprës. E gjithë ekspozita shoqërohej nga një tekst kuratorial, që të krijonte një ide nëpër të, mbi arsyen e përzgjedhjes së qelqit si material dhe simbol, por pa dhënë detaje rreth veprave të ekspozuara.

Formalinë anonime

Gjak, simbole kombëtare e fetare të ruajtura në formalinë. Vepra e Olsen Gripshit nuk kalon pa u vënë re tek “Onufri”. Kureshtjes i shtohet edhe frika se mos çarçafi i bardhë që mbulon podin, mbi të cilin janë vendosur vazot, po të ngatërrohet nëpër këmbë e po thyen “identitetin e konservuar”.

Por punës së Gripshit duket se “i kundërvihet” një tjetër me bazë formaline. Është një nga ato punët që të kujton orët e biologjisë në kabinetet e famshme të para viteve ’90, në mos janë marrë nga të tillë. Është një grup vazosh me specie deti të ngordhura, që ruhen në formalinë.

Vepra me titullin “Courtesy of a friend” është firmosur me “Anonymous”. Në listën e 23 artistëve të përzgjedhur dhe miratuar nga kuratorët, e publikuar tashmë prej kohësh, nuk renditet ndonjë artist apo grup artistësh nën këtë “emër”. Kuratorët, të cilët edhe vetë preferojnë të bëjnë një bashkim emrash, duhej të kishin njoftuar për praninë e një artisti tjetër, me emër arti “Anonymous”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura