Brian Williams: Tirana “Smart city”, qyteti që do tërheqë njerëzit dhe investimet

Jan 21, 2016 | 12:03
SHPËRNDAJE

Ashtu si shumë qytete të tjera evropiane dhe në mbarë botën, edhe Tirana përballet me sfidën e plotësimit të nevojave në rritje dhe parashikimet për popullsinë e qytetit gjithnjë e në rritje, duke përmirësuar në të njëjtën kohë harmoninë e saj me mjedisin, dhe për t’i realizuar të gjitha këto brenda kufizimeve të mëdha financiare.

Brian  J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it
Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it

Ekzistojnë shumë përkufizime për termin “smart city”. Por ekzistojnë akoma më shumë përkufizime për termin “smart”. Në botën e sotme që ecën me ritme shumë të shpejta dhe të ndërlidhur të iPhone dhe Twitter, mendoj se “smart” nënkupton ide brilante, të reja dhe të realizueshme – nënkupton ide që lindin nga brenda Shqipërisë dhe ide të marra nga përvoja në qytete të tjera, të cilat Tirana mund t’i përshtatë shpejt. Ide, të cilat bëjnë të mundur qe qyteti te kete më shumë banorë, më shumë vizitorë, më shumë biznese, më shumë shërbime, më shumë mundësi transporti, me më pak shfrytëzim, më pak ndotje, më pak trafik, më pak zhurmë dhe kjo, ndoshta, edhe me më pak para.

Një pjesë e madhe e diskutimeve për “smart city” fokusohet në rolin e teknologjive të informacionit dhe të infrastrukturës së qëndrueshme. Në fakt, teknologjia, infrastruktura dhe sistemet e mira bashkiake janë që të gjitha të rëndësishme. Por një qytet nuk përbëhet vetëm nga asetet e tij fizike. Një qytet përbëhet nga njerëzit e tij, në veçanti të rinjtë e tij, dhe nga energjia, shpirti i sipërmarrjes, inovacionet dhe produktiviteti që krijohet nga bashkëveprimi i tyre.

Kështu, me këtë logjikë, “smart city” është një qytet që tërheq njerëzit dhe investimet, krijon ide dhe biznese të reja dhe u siguron qytetarëve të tij një jetë të kënaqshme dhe produktive. Këto qytete kanë potencialin për të krijuar industri të reja, teknologji ekologjike dhe vende pune të denja, për të cilat bota ka sot nevojë për të ruajtur rritjen dhe zhvillimin gjithëpërfshirës.

Kombet e Bashkuara punojnë për zhvillimin e qyteteve në mbarë botën me partnerë si ju, për të identifikuar zgjidhjet e qëndrueshme për sfidat urbane. Ne punojmë për t’i bërë qytetet më miqësore për fëmijët dhe më të sigurta, në veçanti për gratë. Puna jonë për efiçencën e energjisë, qeverisjen vendore efektive, përfshirjen sociale dhe aftësinë ripërtëritëse nga rreziqet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, na fokusojnë në këto qytete dhe të gjitha këto synojnë të ndihmojnë qytetet të ecin në rrugën e duhur për një të ardhme të qëndrueshme.

Shtatorin e shkuar, liderë nga e gjithë bota u takuan në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe ranë dakord për një axhendë të re zhvillimi. Kështu, u miratuan Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. E lidhur me temën e ditës së sotme, një nga Objektivat specifikë të Zhvillimit të Qëndrueshëm u dedikohet qyteteve – Objektivi 11: T’i bëjmë qytetet dhe vendbanimet njerëzore gjithëpërfshirëse, të sigurta, rezistente dhe të qëndrueshme. E thënë ndryshe, partneriteti ynë, takimi dhe puna jonë këtu sot në Tiranë është pjesë e një aspirate botërore shumë më të madhe.

Në Shqipëri kemi pasur privilegjin të punojmë me qeverinë dhe 61 bashkitë për reformën territoriale-administrative. Pikërisht, në bazë të kësaj reforme bashkia Tiranë tashmë po funksionon. Tashmë kjo do të jetë një dëshmi e madhe e përpjekjeve tuaja për të ndërmarrë reforma të thella dhe domethënëse, dhe ne do të ishim të lumtur të shihnim sesi partneriteti me OKB-në po e ndihmon Shqipërinë në aspiratat e saj drejt zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm.

Kjo konferencë organizohet mbështetur në gjashtë shtylla të zhvillimit urban: ekonomia, lëvizshmëria, jetesa, mjedisi, qeverisja dhe njerëzit.

Siç e thashë, “smart” do të thotë të bësh më shumë gjëra me ato burime që ke.  Më lejoni të tërheq vëmendjen tuaj për disa inovacione kritike që do të prezantohen gjatë konferencës së sotme, veçanërisht në fushën financiare. Vetëm pak javë më parë, Harvardi dhe Stanfordi botuan disa artikuj dhe analiza thelbësore ku citohej se e ardhmja e qyteteve mbështetet në bazën e mekanizmave financiare inovative. Ekzistojnë shumë mekanizma që nga Denveri deri në Dakar, duke përfshirë obligacionet sociale, mini-obligacionet, financimin në grup, të drejtat e transferueshme dhe të tjera të ngjashme. Jam shumë kurioz të dëgjoj nëse këto të fundit mund të zhvillohen për nevojat tona këtu në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, dhe dua të zbuloj sesi OKB-ja mund të ndihmojë për këtë çështje.

Këto qasje inovative kërkojnë angazhimin e drejtpërdrejtë të sektorit privat për ofrimin e shërbimeve urbane. Ka ardhur koha për një kapërcim brezash në fushën e efiçencës së energjisë, transportit, arsimit dhe të mundësive të punësimit që të plotësojnë nevojat e popullsisë në rritje të Tiranës. Këto sfida nuk mund të përballohen vetëm nga fondet publike. Bizneset progresive pohojnë se aftësia për të operuar në shoqërinë tonë nuk është një e drejtë, por është privilegj. Ata janë të vetëdijshëm që kontribuojnë në shoqëri me anë të vendeve të punës, taksave, kërkimeve, inovacionit dhe teknologjive – pa përmendur filantropinë dhe veprat e mira.  Ndaj, edhe unë mirëpres të gjithë ata të pranishëm këtu sot nga komuniteti i biznesit. E konsideroj praninë time këtu sot si një votë në favor të biznesit, i cili luan rolin e tij si partner i përgjegjshëm për zhvillimin e komunitetit dhe si një angazhim për të ardhmen e Tiranës.

Brian  J. Williams

Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura