Brexit, “tërmet në BE”

Jun 26, 2016 | 12:17
SHPËRNDAJE

AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELIanastas_angjeli

Ajo që sondazhet parashikonin, ndodhi. Referendumi në Britaninë e Madhe i tha “JO” qëndrimit të mëtejshëm të Britanisë së Madhe në BE, duke shfaqur për momentin një krizë paniku, “një tërmet në BE”.

Si para dhe tashmë pas referendumit, politikanë dhe analistë kanë dhënë dhe po japin mendime për shkaqet dhe pasojat e “Brexit”, skenarë të ndryshëm deri në katastrofikë për zhvillimet e ardhshme të Britanisë së Madhe, të vetë BE-së, pse jo dhe në nivel global, po përfliten.

NJË DITE PAS REFERENDUMIT

Dita e postreferendumit në Britaninë e Madhe ishte shokuese për politikën e saj dhe për BE-në. Kryeministri Cameron deklaroi dorëheqjen e tij. Konservatorët shpallën “triumfin” e tyre për “fitoren e pavarësisë së Britanisë së Madhe”, BE-ja u trondit nga kjo ”plagosje”, shprehu shqetësimin e vet dhe tregoi se në procesin e integrimit nuk ka vetëm zgjerim, por edhe “cungim”.

Tregjet financiare ndërkombëtare po përjetojnë ditët më të këqija, duke u tronditur thellë (gjë që kish filluar që nga 10 qershori i këtij viti), paundi britanik, duke u zhvlerësuar si asnjë herë tjetër, që nga viti 1985 humbi krenarinë e vet.

Investitorët dhe biznesi u përfshi nga paniku dhe pasiguria. Spekulantët “vigjilentë në vëzhgimin e tyre”. Tregjet financiare reaguan ndjeshëm, menjëherë me ulje, pas rezultateve të deritanishme të referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Në Japoni treguesi Nikkei ishte sot në mëngjes minus 7,1 për qind. Në Hong Kong treguesi Hang Seng ishte minus 4,5 për qind. Në Kinë, indeksi Shanghai Composite Index ishte minus 1,19 për qind.

Në Australi indeksi S&P/ASX200 ishte 3,8 për qind. Në Indi treguesi Bombay Stock Exchange ishte minus 3 për qind. Në Londër minus 6,1 për qind. Frika se britanikët do të largohen nga Bashkimi Europian e çoi sot sterlinën në nivelin më

të ulët pas më shumë se 30 viteve. Ajo ishte sot në nivelin nën 1,3 dollarë, për herë të parë që prej vitit 1985. Sidoqoftë, guvernatori i Bankës së Anglisë (BoE), Mark Carney, reagoi menjëherë duke deklaruar se institucioni ishte i gatshëm të injektonte 250 miliardë sterlina (326 miliardë euro) nga fondet shtesë për të siguruar likuiditete të mjaftueshme për funksionimin e tregjeve, pas fitores së Brexit”.

Banka Qendrore britanike është gjithashtu në gjendje për të financuar likuiditete të konsiderueshme në valutë të huaj, në rast nevoje”, shtoi Carney në një intervistë televizive.

NJË GJYKIM I FTOHTË

Sidoqoftë, në qoftë se situata analizohet në mënyrë të ftohtë, vihet re se, me gjithë rreziqet dhe sfidat (ekonomike dhe politike) që përmban dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, skenarët apokaliptikë janë një ekzagjerim dhe ja sepse: -Negociatat për daljen e mundshme të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do të zgjasin deri në vitin 2019.

Themi të mundshme sepse, sipas ekspertëve ligjorë, ky referendum është këshillues dhe jo mandatues. Pra, ajo çka do të ndodhë pas rezultatit të referendumit të djeshëm është një çështje politike dhe jo ligjore. (Ekspertët marrin si shembull referendumin e vitit 2011 në lidhje me reformën elektorale. Referendumi në fjalë përmbante detyrimin e qeverisë për të marrë hapat ligjorë të duhur. Referendumi i djeshëm nuk e përmbante një klauzolë të tillë.)

Pra, sidoqoftë Mbretëria e Bashkuar nuk do të dalë në mënyrë të menjëhershme nga Bashkimi Europian. -Në planin ekonomik, situata është po aq komplekse sa në planin politik. Rreziqet që lidhen me zhvillimet e brendshme në BE mbesin të konsiderueshme. Kjo çështje gjithashtu paraqet rrezik edhe për ekonominë e Britanisë së Madhe.

Sipas paralajmërimit të bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, “Brexit” do të shkaktonte probleme të mëdha jo vetëm për Britaninë, por edhe për Europën, veçanërisht në fushën tregtare, shumë mar rëveshje do të rinegociohen, çka do të thotë pasiguri për investitorët. Efektet ekonomike të një daljeje ka të ngjarë të jenë negative dhe thelbësore për Mbretërinë e Bashkuar. Politikat duhet të jenë të drejtuara në mbështetjen e stabilitetit dhe reduktimin e pasigurisë.

Shpenzimet për infrastrukturë janë rritur në buxhetet e fundit, por përpjekje të mëtejshme mund të bëhen në këtë drejtim, duke pasur parasysh që nevojat në këtë fushë janë ende të larta, duke pasur parasysh se investimet publike janë nën mesataren në ekonomitë e tjera të avancuara. Shpenzimet e larta të infrastrukturës mund të financohen nga reformat në taksa dhe në pensione. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian nënkupton mijëra migrantë në brigjet britanike brenda natës, ka paralajmëruar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të hënën.

Zëdhënësi i Kryeministrit britanik, David Cameron, ka thënë se dalja e Britanisë do të minonte marrëveshjen dypalëshe midis Francës dhe Britanisë, e cila u lejon forcave britanike të kryejnë kontrolle kufitare në tokën franceze dhe të ndalojnë shumë emigrantë. “Nëse Britania lë Bashkimin Europian, nuk ka garanci se këto kontrolle do të mbeten në fuqi”. “Nëse këto kontrolle nuk ekzistojnë, nuk do të ketë asgjë që do t’i ndalojë njerëzit të kalojnë kanalin, të arrijnë në Kent (juglindje të Anglisë) dhe të kërkojnë azil”, ka shtuar ai.

Marrëveshja kufitare “Le Touqet” është nënshkruar në vitin 2003 nga ministrat e atëhershëm e Punëve të Brendshme të Britanisë dhe Francës, David Blunkett dhe Nicolas Sarkozy. Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk, ka paraqitur disa propozime për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda Bashkimit Europian.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për punë- torët migrantë të BE-së dhe mbrojtje për vendet që nuk përdorin monedhën euro. Kultura është një tjetër rrezik që duhet marrë parasysh nëse ndodh “Brexit”.

Sipas shoqatës “Creative Industries Federation”, krijimtaria artistike i sjell rreth 84,1 miliardë paund ekonomisë britanike dhe tregu më i madh i eksporteve britanike në fushën e kulturës është BE-ja. Në këtë fushë bëjnë pjesë edhe tregtia e objekteve artistike dhe tregu televiziv. Brukseli po i financon projektet kulturore dhe filmike mes vendeve të BE-së për periudhën 2014-2020, me rreth 1,46 miliardë euro.

Po ashtu, BE-ja ofron edhe ndihma strukturore, p.sh. për teatrot rinore dhe projektet teatrale si “Platform Shift Plus”, ku marrin pjesë të rinj britanikë, gjermanë, norvegjezë, italianë dhe nga disa vende të tjera. Dalja nga BE-ja nuk do t’i pezullonte menjëherë projekte të tilla, por në rast të një “Brexit”-i, Komisioni i BE-së duhet të diskutojë për raste të tilla.

Pasojat e “Brexit”-it do të ishin dogana, taksa dhe viza për artistët britanikë që do të duan të punojnë në vendet e BE-së. Shteti që preket drejtpërdrejt nga kjo dalje e Britanisë së Madhe është Gjermania, me të cilën marrëdhëniet tregtare janë në nivele të konsiderueshme. Britania është partneri i 5-të më i madh i Gjermanisë, Ndërsa për Britaninë, Gjermania është partneri më i madh tregtar përpara SHBA-ve.

Gjermania ka shprehur keqardhje nga vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur Bashkimin Europian (BE) dhe ka nxitur vendet anëtare të dëshmojnë unitet për të parandaluar thellimin e krizës në Europë, raporton “Anadolu Agency” (AA). Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, përmes një postimi në “Twitter” shprehu shqetë- simin e tij për daljen e Britanisë nga BE-ja. “Një ditë pikëlluese për Europën”, shkroi ai. Qytetarët e Britanisë së Madhe në një referendum historik votuan për daljen e vendit nga BE-ja, që ka ngjallur brengë në kryeqytetet europiane për të ardhmen e BE-së.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, shprehu respektin për vendimin e votuesve britanikë, ndërsa për rezultatin tha se nuk ka qenë i dëshiruar për të. “Europa duhet tani të qëndrojë e bashkuar.

Ne tani duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën nga ky vendim i marrë nga miqtë tanë britanikë”, tha ai duke shtuar se do të jetë në kontakt të ngushtë me fuqitë e mëdha ekonomike mbi situatën. Prandaj, si rezultat i ndërvarësisë së madhe ekonomike, skenari më i mundshëm është negocimi i një marrëveshjeje të re. Kjo nuk është një gjë e panjohur për Bashkimin Europian, i cili ka nënshkruar marrëveshje të tilla me Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshteinin (pra me vendet e Hapësirës Ekonomike Euopiane) dhe Zvicrën.

Një marrëveshje e tillë do të siguronte lirinë e tregtisë së mallrave (ndoshta me përjashtim të disa produkteve bujqësore), të shërbimeve, të kapitaleve etj. Në një rast të tillë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdonte të ishte pjesë e tregut të përbashkët, por jo e politikave të përbashkëta. Një gjë e tillë është praktikisht ajo çka synonte Mbretëria e Bashkuar. Se sa do të arrihet një gjë e tillë, do të jetë produkt i negociatave midis Londrës dhe Brukselit. Pra, edhe në këtë aspekt priten negociata shumë të gjata.

-Një fushë ku mund të ketë problem të dukshëm (pas vitit 2019) është buxheti i Bashkimit Europian. Mbretëria e Bashkuar nuk do të kontribuojë në buxhetin e BE-së dhe si rrjedhojë do të ketë problem në financimin e politikave të përbashkëta si p.sh.: politikat agrare, për zhvillimin, për kërkimin etj. (Kjo gjë në njëfarë mase mund të minimizohet sado pak me pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në fondin e Hapësirës Ekonomike Euopiane dhe të kontribuojë në të njëjtën mënyrë si Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshteini për pjesë- marrjen e tyre në tregun e përbashkët. Sidoqoftë, një gjë e tillë mbetet për t’u negociuar). -Kriza në tregjet financiare ndoshta nuk do të zgjasë shumë. Sidoqoftë, Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e Eurozonës.

PROBLEMI MË I MADH, AI POLITIK

Si rrjedhojë, problemi më i madh mbetet ai politik dhe jo ekonomik. Një dalje e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian do të dërgojë një mesazh për vendet e tjera që projekti europian nuk është i pakthyeshëm.

Dhe në një periudhë të tillë kur BE-ja ka rreth 7 vite që përpëlitet në krizë financiare, politike dhe institucionale, vetëm që do t’i shtonte problemet. E djathta ekstreme në shumicën e vendeve të BEsë do të ketë tashmë një argument më shumë në favor.

Por edhe brenda Mbretërisë së Bashkuar mund të ketë efekte politike jo të dëshirueshme. Londra, Skocia dhe Irlanda e Veriut mund të shtojnë kërkesat për shkëputje.

PO SHQIPËRIA?

Ekonomia shqiptare direkt për momentin ndikohet jo konsiderueshëm nga “Brexit”, për shkak të peshës jo të madhe që zënë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Britaninë e Madhe.

Ndërkaq, problemet e tronditjes së tregjeve financiare të kursit të këmbimit të paundit dhe monedhave të tjera (euro, USD), në varësi të kohëzgjatjes nuk mund të mos kenë implikimet e veta në shkëmbimet tregtare, gjendjes së kredive, rezervës valutore, depozitat, çka kërkojnë rritjen e “vigjilencës” nga organet përkatëse.

Ndërkaq, politikisht, destinacioni ynë është një destinacion i paracaktuar qartë drejt integrimit të plotë europian. Por edhe sot përtej disa zërave që mendojnë nëse kjo do të jetë e mirë apo jo, personalisht jam i bindur se reformat e suksesshme dhe tregues realë të rritjes ekonomike janë ato që tejkalojnë çdo hije dyshimi që ngrihet jo për shkak të BE-së, por për arsye tona të brendshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura