Brexit si përpjekje për rol të ri botëror të Britanisë së Madhe

Jun 26, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

arian starovaARIAN STAROVA

Kur dëgjon larminë e arsyetimeve që bëhen në biseda dhe qëndrimet publike të gjithfarë politikanëve dhe ekspertëve bashkë me shkrimet e këtyre dy ditëve në lidhje me të ashtuquajturën votë-Brexit të Britanisë së Madhe, një përfundim i parë shumë i saktë mund të nxirret pa ngurruar fare.

Ai është se po hidhet një “mal me baltë” mbi votën-Brexit, e cila po vishet në mënyrë të tepruar me ndjenja të çastit dhe jetëshkurtra. Ajo ishte votë e popullit britanik, që i di më mirë se të gjithë punët e veta dhe, prandaj, duhet respektuar, siç po shprehen edhe të gjithë aktorët kryesorë të politikës euroatlantike.

Ajo ishte rrjedhojë e një debati publik të dendur, mirinformues dhe të mirëmbuluar nga folësit e ndryshëm dhe mediat. Dhe, së fundi, a nuk ka qenë përherë “as brenda, as jashtë BE-së Britania e Madhe”, por nuk kemi dëgjuar ndonjë shqetësim kaq alarmues? Madje, Kryeministri Cameron ia njihte vetes si meritë shpëtimtare për britanikët këmbënguljen e tij për të mos hyrë kurrë në “zonën euro’.

As përmendjet mediatike zhurmëmëdha të rënieve-pikiatë të bursave nuk përbëjnë kurrfarë argumenti për shqetësimin e tejfryrë të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Si çdo treg, edhe bursat pasqyrojnë edhe lëkundjet më të vogla të besimeve njerëzorë mbi zhvillimet e ardhshëm, por ato mbeten përherë treguese të ndikimeve të pavetëdijshme, të ditëpërditshme dhe afatshkurtra të politikës mbi ekonominë. Sepse, në fund të fundit, nuk janë emocionet e bursave ato që e përcaktojnë politikën apo gjeopolitikën botërore.

Ndoshta në këto ditë duhet të rikujtojmë, për të mos e harruar më, se Britania e Madhe është pjesë e “Komunuelthit të Kombeve” të përbërë nga 53 shtete anëtare me rreth 2,3 miliardë banorë në krye të të cilit është Mbretëresha Elizabetë e Mbretërisë së Bashkuar, apo e Britanisë së Madhe.

Kjo organizatë ndërqeveritare shtrihet prej Kanadasë deri në Zelandën e Re, duke qenë e pranishme nëpërmjet shteteve të saj anëtare në të gjitha kontinentet. Britania e Madhe është, pra, pjesë e një grupi shumë më të madh të shteteve, sesa Bashkimi Europian.

Zhvillimet e sotme në botë, të shoqëruara me rritjen e paparashikueshmërisë së sigurisë së saj ndoshta e kanë bindur Britaninë e Madhe që të kërkojë dhe të ofrojë një gjeopolitikë të re botërore, gjithnjë në shërbim të vlerave të larta të paqes, qytetërimit dhe demokracisë.

Besoj ia vlen të kujtojmë fjalët e William Hague-ut që në vitin 1999, në cilësinë e udhëheqësit të Partisë Konservatore mbi rolin botëror të Britanisë së Madhe: “Ne po e lidhim Britaninë me rajonet me zhvillim më të shpejtë të botës, …duke dendësuar lidhjet tona jo vetëm me Kinën, por edhe me Indinë, Indonezinë, Turqinë, Brazilin dhe pjesën tjetër të Amerikës Latine.

… Ne i mbështetim interesat tona duke mos e lejuar Bashkimin Europian që të veprojë jo në dobinë tonë, por edhe duke u siguruar se ai punon në dobinë tonë në tregti dhe në tregjet e lira … Ne po e zgjerojmë praninë tonë diplomatike … po përjetojmë jetë të re në aleancat e vjetra të lëna pas dore si ato me Australinë, Zelandën e Re dhe Japoninë, si dhe po punojmë për të rifuqizuar atë institucion madhështor që quhet Komunuelth. … Ne jemi trashëgimtarët e një kombi me përparësi të papërsëritshme në botë, me një marrëdhënie të papërsëritshme me Europën, marrëdhënie të papërsëritshme me Amerikën dhe Komunuellthin.

Ne kemi përparësitë gjigante të gjuhës sonë, traditave tona demokratike dhe të hapura, qëndrueshmërisë sonë politike dhe historisë sonë të tregtisë dhe diplomacisë në të gjithë globin. Ne kemi forcat më të mira të armatosura në botë, të vendosura në të gjithë globin. Ndërsa bota bëhet gjithnjë e më konkurruese … për ne britanikët duhet të ketë më shumë kuptim që t’i zgjerojmë, shtrijmë dhe kapitalizojmë përparësitë tona, sesa t’i lëshojmë ato.

Duhet të ketë kuptim që të mos i zbatojmë rregullat dhe rregulloret e vendeve të tjera, por të heqim qafe sa më shumë prej atyre që kemi vetë. Duhet të ketë kuptim që të mos e kthejmë Europën në një kështjellë kundër së ardhmes, por të ndërtojmë një Europë, e cila shkon deri tek Europa Lindore dhe pjesa tjetër e botës.” Ndërsa më pas, në vitin 2010, Hague, tani në cilësinë e sekretarit të Punëve të Jashtme, shprehej: “Politika e jashtme është trajtim i konflikteve të sotme, parandalim i konflikteve të reja, trajtim i ndryshimeve klimatike, nxitje e tregtisë së lirë, lartësim i vlerave tona dhe mbrojtje e vazhdueshme e të drejtave të njeriut jashtë vendit, po ashtu siç bëjmë në vendin tonë. Janë të gjitha këto gjëra, por është edhe diçka tjetër – energjizimi i lidhjeve dhe aleancave tona në një mënyrë të gjerë dhe të qëndrueshme për të sjellë mundësi e krijuar horizonte të reja për britanikët për dhjetëvjeçarët që do të vijnë …

Në këtë këndvështrim, kanë rëndësi vende si: Kina, India, vendet e Gjirit Persik, Amerika Latine dhe Azia Juglindore.” Nëse këto të vërteta do të vijojnë të jetë udhërrë- fyese të politikës britanike edhe në vitet që do të vijnë (për të cilën unë vetë nuk kam kurrfarë dyshimi), atëherë vota-Brexit sot duhet lexuar si rikthim më i fuqishëm i Britanisë së Madhe në rolin e saj si aktor botëror, në një kohë të vështirë dhe gjithnjë e më të paparashikueshme. Dhe kjo nuk i sjell asgjë të keqe Europës dhe mbarë botës, sepse në fund të fundit, Britania e Madhe ka qenë përherë faktor botëror zhvillues dhe qytetërues. Prandaj, mendoj se vota e Britanisë së Madhe për të dalë prej Bashkimit Europian jo vetëm që nuk ishte votë mallkimi për Europën, por i ka hapur edhe Europës dhe botës horizonte të reja gjeopolitike.

Përmes fjalëzimeve publike të rrëmujshme dhe të shqetësuara të këtyre ditëve, brenda dhe jashtë Europës, është thënë edhe diçka tjetër e madhe, krejt e qartë dhe me shumë vlerë: Është shprehur nevoja që Bashkimi Europian të reformohet, riorganizohet, së cilës unë do të doja t’i shtoj (me thjeshtësinë e një shqiptari, i cili ndonjëherë ka të drejtë të shprehet edhe për punët e Europës, megjithëse gjendja e punëve të vendit të vet është një sfond punëprishës për të) edhe nevojën që Bashkimi Europian të forcojë më shumë lidhjet kushtetuese ndërmjet vendeveanëtare të tij.

E thënë ndryshe, Bashkimi Europian ka nevojë të përshpejtojë ecjen e tij drejt shndërrimit në Shtetet e Bashkuara të Europës. Rruga për të shkuar drejt këtij caku madhor gjeopolitik nuk është aspak e lehtë, sepse kalon përmes braktisjes politike të përkatësive dalluese kombëtare dhe interesave kombëtare përkatëse, çka duket se është ende e parakohshme.

Duke thënë këtë, nuk mendoj aspak se dalja e Britanisë së Madhe ka krijuar rrezikun e mundësisë së daljes së vendeve të tjera jashtë Europës së Bashkuar, se kjo do të përngjante me “marrjen nga rryma” e ndjenjave të çastit që po vijnë vërdallë gjithandej. Ideja që kam më shumë në mendje është gjithnjë ajo, e cila i shërben shndërrimit të Bashkimit Europian në një grup të shteteve të zhvilluara që flasin dhe veprojnë përherë si një shtet i vetëm, që bëhet gjithnjë dhe më i fuqishëm si aktor botëror.

Prandaj vota-Brexit duhet vështruar edhe si një katalizator i ecjes së shpejtë të Europës së Bashkuar në rrugën e lartpërmendur. Dhe unë besoj se kjo do të ndodhë, siç besoj se do të jetë proces i ngadaltë dhe i vështirë. Prandaj edhe shqiptarët nuk kanë pse të shqetësohen nga fjalëzimet-jehonë (që në të vërtetë nuk janë fjalë të atyre që po i thonë, por të të tjerëve), që po dëgjojmë të na thuhen nëpër media nga gjithfarë “sipërfaqësore”, të cilat po krijojnë pa vetëdije rrethana mendore të pathemelta, sikur po Bashkimi Europian nuk ka të ardhme. Për shqiptarët, anëtarësimi në Europën e bashkuar mbetet synim madhor gjeopolitik. Madje, kjo që ndodhi me Britaninë, mund ta lehtësojë dhe ta shpejtojë rrugëtimin tonë drejt tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura