BREXIT/ Pesë pyetjet që kanë nevojë patjetër për përgjigje

Jun 30, 2016 | 9:39
SHPËRNDAJE

E vetmja gjë për të cilën ranë dakord fushata e “Qëndrimit” dhe “Largimit” në referendumin e Britanisë, ishte se një “Brexit” do të shkaktojë një farë pasigurie.

160624_INV_BrexitInvestors

Tani që kjo ka ndodhur, pasiguria është ajo që mori Britania, teksa ndodhet në prag të kaosit politik, ekonomik dhe social. Ja pesë pyetje që kanë patjetër nevojë për përgjigje.

Kur do të largohet Britania?

Megjithëse politikanët pro qëndrimit po përpiqen të insistojnë se Britania duhet të pranojë “vullnetin demokratik” të popullit të saj, askush nuk e ka bërë në të vërtetë këtë gjë, deri tani. David Cameroni nuk vuri në lëvizje mekanizmin e “Nenit 50” për daljen nga BE-së, duke thënë se i takon pasardhësit të tij që ta bëjë këtë. Disa në Europë, mes tyre Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker dhe Kryeministri belg Charles Michel, do të donin ta detyronin që ta bënte sa më shpejt. Duke supozuar se nuk do u dalë e tyrja, ky hap do të ndërmerret në shtator ose tetor. Por, zëra të tjerë, po bëjnë thirrje për një vonesë edhe më të madhe, sidomos Jeremy Hunt, Sekretar i Shëndetësisë i cili dëshiron të negociojë një marrëveshje të re, ta hedhë atë në një votim të dytë, dhe vetëm pastaj të vërë në lëvizje mekanizmin e daljes. Do të ishte e mundur për Britaninë që thjesht të mos largohej, por politikisht kjo do të ishte shumë e vështirë.

Si do të jetë një marrëveshje e BE-së?

Mundësitë janë të shumta, por deri më tani debati kryesor është përqëndruar përreth tre pikave: së pari, a do Britania të njëjtën qasje në tregun e përbashkët evropian, si ajo që gëzon aktualisht? Së dyti, a duhet të shtyjë Britania për kufizime në migracionin në BE, dhe së treti, a është e mundur që t’i marrë të dyja? Mendimit në kontinent është se të dyja këto së bashku në një marrëveshje, do të ishte një kërkesë e tepërt, Evropa nuk mund të shihet se po shpërblen Britaninë për referendumin e saj, dhe shumëkush dëshiron që ajo të ndëshkohet. Por, David Cameroni sugjeroi në një samit të BE-së të martën, se Evropa duhet të punojë në drejtim të pranimit të të dyjave. Mendimi dominues ekonomik në Britani është që kufizimet domethënëse për lirinë e lëvizjes do të jenë shkatërruese, për ekonominë tashmë të tronditur të vendit.

Cili do të jetë Kryeministri i ardhshëm?

Partia Konservatore e Britanisë po përgatitet për një garë për udhëheqjesin, dhe fituesi do të zëvendësojë David Cameronin. Deputetët e partisë do ta reduktojnë garën në dy vetë, dhe anëtarët e partisë më pas do të zgjedhin fituesin mes të dyve. Më i mundshëm është dueli final mes Boris Johnsonit, udhëheqësi fitimtar i fushatës Brexit, dhe Theresa Mayt, Sekretarja e hekurt e Brendshme, e cila mbështeste qëndrimin, por në heshtje dhe me rezerva. Mundësitë e tjera përfshijnë Stephen Crabb, Sekretar i Punës dhe Pensioneve, i cili i lëvdon shumë rrënjët e tij mes klasës punëtore uellsiane, dhe Nicky Morgan, Sekretarin liberal të Arsimit. Këtu ka një nën-pyetje: A do të ketë edhe zgjedhje të përgjithshme? Normalisht që duhet, por Johnsoni ka thënë për The Guardian se nuk do të ndodhë, nëse fiton ai.

Cili do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i opozitës?

Teksa lideri i laburistëve Jeremy Corbyn humbi me shumicë dërrmuese një votë mosbesimi ndër deputetët e tij të martën, zgjedhjet për udhëheqjen në Partinë Laburiste nuk janë aspak të sigurta. Corbyn mund të ketë humbur plotësisht mbështetjen që kishte brenda partisë në parlament, por në mesin e anëtarësisë, ai është ende popullor. Një sondazh i BBC-së tregon se mbështetja për të në mesin e partisë është 59 për qind. Kjo është një rënie prej pesë për qind, në krahasim me anketën e fundit. Por kur i shton mbështetjen që Corbyn gëzon aktualisht tek sindikatat (duke përfshirë më të madhen e Mbretërisë së Bashkuar, “Unite”), si dhe atë nga grupi i të majtës radikale “Momentum”, atëherë kuptpon se do të jetë një garë e vështirë, për këdo që do të  përpiqet ta largojë atë.

A do e humbasë Britania Skocinë?

Nicola Sturgeon, Ministre e parë e Skocisë, ka ngritur një “këshill” ekspertësh, për ta këshilluar atë në lidhje me opsionet e Skocisë, dhe pyetja e saj më e madhe është, nëse ka ndonjë mënyrë që Skocia të qëndrojë si pjesë e BE-së, ndërkohë që pjesa tjetër e Britanisë largohet. Nëse përgjigja do të ishte që kjo është e mundur, Sturgeon e ka bërë të qartë se ajo do të kërkojë të mbajë një referendum të dytë për pavarësinë. Nëse kjo ndodh, zgjedhja për pavarësinë e Skocisë do të duket shumë më pak e rrezikshme, se sa në vitin 2014. Ndërsa Sturgeon ka pasur takime pozitive me figura të larta në Parlamentin Evropian, përfshirë presidentin e tij, Martin Schulz, ajo është injoruar deri tani nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Zëdhënësi i Tusk u tha gazetarëve se “nuk është momenti i duhur”. /Newsweek – Bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura