Brexit është fillimi i një bote të re

Jun 25, 2016 | 13:10
SHPËRNDAJE

enio civiciENIO CIVICI

Nga ky moment, kënga e Adele me titull “Hello from the other side” sapo ka marrë totalisht një tjetër kuptim. Atë që vështirësisht e pengoi politika e elitave brukseliane duket se e realizoi demokracia matematikore, e cila me vetëm 2% të votave i ka dhënë një prizëm kryekëput tjetër të ardhmes britanike, të ardhmes europiane, të ardhmes botërore.

Ky nuk është shkatërrimi i Europës dhe botës që njohim, ky është agimi i botës së re. Vendimi referendar i daljes nga Bashkimi Europian, edhe pse Britania më parë nuk kishte aderuar në dy platforma sistemike të BE si regjimi “Schengen” dhe përdorimi i monedhës euro, përsëri erdhi si një rrufe në qiell të pastër për Brukselin zyrtar.

Por përtej heshtjes alarmante të liderëve të Europës kundrejt këtij vendimi, mbetet thelbësore t’i përgjigjemi pyetjes:

Kush e deshte largimin? Sipas analizës së votës në referendum, shifrat janë këto: Nga 18 deri në 24 vjeç vota ishte mbi 70% pro qëndrimit, nga 24 deri në 49 vjeç vota fliste për një epërsi të lehtë të qëndrimit, nga 49 deri në 64 vjeç vota ishte mbi 20% pro largimit nga BE dhe mbi 65% gjithçka fliste për largim.

Pse mosha mbi 50 vjeç kërkoi largimin nga BE?

Sepse ky brez është pikërisht ai i cili e mbolli, ushqeu dhe nuk kapërdiu dot projektin më të madh të integrimit në botë, atë europian. Pavarësisht se nëpërmjet fjalëve të para të Churchill, dashurisë franko-europiane të gjeneralit De Gaulle dhe fuqisë së pakontestueshme të dëshirës amerikane për stabilitet në kontinentin e vjetër, bashkimi shumë politik dhe pak ekonomik nuk e shpërbleu këtë brez.

Nuk ofroi një sistem të mbrojtur dhe fleksibël pensionesh, nuk garantoi të ardhura të rritura edhe pas 5 dekadash, nuk siguroi fuqizimin e industrive prodhuese dhe mbi të gjitha nuk ofroi kurrë një dorë të palëvizshme vendimesh politike. Ishin pikërisht këto arsyet që e detyruan brezin e plakur të guxojë dhe të vendosë për të ardhmen e brezit të ri duke argumentuar se eksperienca nuk është emocion. Përtej koncepteve shoqërisht të kontestueshme shfaqen dhe argumentet ekonomikoligjore si arsye dhe mbi të gjitha pasoja të këtij vendimi.

Çfarë do të thotë në aspektin ekonomik ky largim?

Traktatet sistemike europiane si ai i Maastrichtit apo i Lisbonës nuk arritën të adoptohen rregullisht nga vendet anëtare, duke krijuar amullinë e të privilegjuarve ku të mëdhenjtë si Gjermania apo Franca faleshin ndërkohë që të vegjlit si Greqia apo Portugalia linçoheshin. Kjo sjellje padrejtësisht perceptive ngjante me konceptin e bankave “too big to fail” dhe për pasojë nuk mund të ofronte një sistem të ndershëm të tregut, ashtu si kërkon drejtimi liberal britanik për kushte të barabarta loje. Pavarësisht rënies kaotike të vlerës së sterlinës përballë euros apo dollarit, pavarësisht goditjes së indeksit financiar FTSE, pavarësisht amullisë politike në Londrën zyrtare, në fund, është pikërisht Bashkimi Europian i godituri i madh financiar i këtij vendimi dhe jo Britania. Në përfundim të panikut fillestar, me një industri tregu shumë më të zhvilluar se pjesa tjetër europiane, në fund dhimbja mbetet kontinentale dhe jo ishullore. Ishin pikërisht fjalët e Presidentit Juncker që e vërtetojnë këtë fakt: “Pavarësisht keqardhjes së pafundme të kësaj zgjedhjeje, ne e respektojmë vendimin e referendumit”. Ekonomia është zemra e zhvillimit, por politika është shpirti i saj.

Cila është përplasja politike që solli largimin?

Dy koncepte, dy histori, dy udhë zhvillimore: Liberale dhe Social Demokrate. E para si gur themeli i lirisë së tregut, taksave të ulëta, konkurrencës së pashpirt dhe shpërblimit vetëm nga fitorja. E dyta e bazuar në barazi të pajustifikuar sociale dhe deri diku fetare, taksa të larta për ata që fitojnë dhe përfitime për ata që nuk janë të suksesshëm, nivel aritmetikor i konkurrencës dhe mbi të gjitha përfitime shtetërore edhe për të humburit. Në këtë përballje jo vetëm ideologjike, fëmijët e Margaret Thatcher dhe kushërinjtë e Ronald Reagan nuk preferuan të heqin dorë nga një model, i cili po tregon se është më i suksesshëm në përballimin dhe kapërcimin e krizës financiare të vitit 2008.

Çfarë ndodh me Bashkimin Europian tashmë?

Në këtë pikë, BE zyrtare dhe popullore ka vetëm dy alternativa dhe asnjë opsion tjetër të mesëm. Integrim total fiskal dhe politik deri në përqafimin e sistemit federalist ose shpërbërje dhe rikthim në shtetkombet që kemi njohur përherë ndër shekuj. Alternativa e parë është pozitive në pikëpamjen strukturore ekonomike të kontinentit, pasi më në fund, ajo që flitej që në fjalimet e para të Jean Monnet dhe Robert Schumann, si baballarët e ashtuquajtur “pragmatistët internacionalistë”, mund të bëhet realitet. Nëse ndodh, Bashkimi Europian do të ketë vetëm një nivel taksash, vetëm një ministër Financash dhe vetëm një Kryeministër apo President. Në këtë kontekst kjo alternativë do të përfshijë pashmangshmërisht dhe përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor si përgjigje ndaj presioneve lindore të aneksimit të një pjese gjeografikisht tradicionale të kontinentit Europian. Në anën tjetër, alternativa e dytë, ajo e rikthimit te shtet-kombet historike do të rikthejë frikën e konkurrencës së egër ekonomike dhe ushtarake, do të rrisë pritshmëritë e të frikshmes luftë të tretë botërore dhe patjetër do të nxjerrë përfundimisht kontinentin e vjetër nga vendimmarrjet e rëndësishme globale.

Cili duhet të jetë pozicioni i Shqipërisë në këtë zhvillim të ri botëror?

Preferoj të mos vë në diskutim asnjë nivel inteligjence të popullit britanik. Nëse një popull, i cili i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë globit shpikjet dhe teoritë më zhvillimore të mundshme, pas angazhimit 40 e kusur vjeçar në ndihmë të ëndrrës europiane, mendon se ky projekt është i dështuar, atëherë një popull shumë pak i informuar dhe me eksperiencë më të shkurtër duhet vetëm të dëgjojë dhe jo të flasë. Përballë retorikës deri diku boshe të politikës 25- vjeçare për një integrim europian, i cili justifikonte pothuajse çdo politikë dhe çdo vendim, ky nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse moment reflektimi. Deri tani integrimi europian është alternativa më e mirë, por kjo ndoshta mund të mos jetë alternativa më e mirë në muajt në vazhdim. Asnjë kostum me kravatë apo karrige pushteti nuk është e justifikuar te Bashkimi Europian për vendimet e ardhshme që do të marrë në Shqipëri. Në këto kohë kërkohet maturi dhe mbi të gjitha mbështetje në mendimin e njerëzve të thjeshtë si kasaforta më cilësore e elementëve përzgjedhës të rrugës së ardhshme.

Tashmë pritet vetëm fitorja e Donald Trump dhe bota e re perëndimore po bëhet fakt. Ndoshta nuk është zgjedhje e mirë, por duket se po bëhet e pashmangshme. Nëse ndryshon sjellja e Perëndimit ndaj botës, patjetër që do të ndryshojë dhe sjellja e botës kundrejt Perëndimit. Gjithçka është shumë e afërt, nuk lejohet asnjë gabim, për më tepër nga një faktor pak i rëndësishëm për planetin si Shqipëria. Gjithsesi e re nuk do të thotë dramatike dhe me siguri filmi i ardhshëm i 007 do të jenë 2 orë pritje në sportelin e pasaportave për James Bond.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura