Brexit dhe më tej epidemia referendare

Jul 1, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

arben ciciARBEN CICI

Brexit-i i plotë ndodhi pardje, në darkë. Dhe jo sipas numrit më të madh të të dëshiruarve për të dalë jashtë. Krejt e kundërta dhe pa referendum. Ishulli më pak i populluar europian, me popullsi sa 1/15 e Londrës, i cili vetë i ka thënë, që prej tri vitesh, jo Bashkimit Europian, e shtyu Anglinë e futbollit të madh, kundër dëshirës së saj, jashtë Euro 16-s.

Dëgjova se Roy Hodgson, pak përpara se të jepte dorëheqjen nga trajner i Kombëtares së Anglisë, kishte pasur një ide të kërkonte referendum për t’u rifutur në Euro 16. Pastaj i thanë që vetëm me fatin nuk mund të luash dhe kundër rrymës nuk mund të lundrosh, edhe sikur të jesh edhe detar i zoti edhe britanik i mirë. Brexit-i nxori jashtë Europës së Bashkuar Mbretërinë e Bashkuar, me dëshirën e saj dhe me referendum. Që prej asaj dite, që ishte e premte, por jo 13, flitet vetëm për Brexit-in. Për Brexit dhe referendum.

Gjithandej, këtu, atje, andej, larg, afër. Nga Amerika në Londër, nga Brukseli në Berlin, Paris, Romë, madje- madje edhe në Tiranë. Gjithandej përmbi dhe përposhtë Mesdheut flitet vetëm për Brexit. Nga Kina nuk ka lajme se është folur për këtë ngjarje, më thonë. Me sa duket, të gjithë i kapi në befasi dhe befasia ka mënyra të ndryshme përjetimi, ndjesie dhe reagimi. Të paktën 17 milionë veta gëzojnë.

Të tjerë (janë shumë) përdorin lëvizjet e gojës, të syve, të kokës, disa të veshëve, të duarve, të shpatullave ose të të gjithë trupit, për të treguar referendumin-exit sipas mënyrës së tyre dhe për të nxituar drejt shpëtimit dhe sa më larg gjëmës që ndodhi! Dëgjova që disa e kishin pasur me të vjella, disa me marrje mendsh e disa me marrje fryme, njësoj si të ishin në muajin e shfaqjes së parë apo të ditëve të fundit para çlirimit.

Shumë të tjerë dallohen nga zhurma e diarresë së fjalëve dhe ideve, simptoma këto të një virusi të rrezikshëm epidemik. Nuk e di sa janë ende duke belbëzuar dhe sa janë në ekstazë zemërate, sa ulërijnë, sa nënqeshin dhe sa shtrëngojnë dhëmbët e kërcënojnë. Nuk e di sa mbetën të frustruar, po dëgjova për këngë vaji, të shkulura flokësh dhe çjerrje fytyre. Një rapsod ishte në mëdyshjen e madhe mes vajit e gëzimit dhe nuk i bënin gishtat e i ishin ngrirë vargjet.

I detyruar, i kishte kërkuar ndihmë me whatsapp një labi të polifonisë gjirokastrite, i cili e kishte zhgënjyer se i ishe përgjigjur në viber. Çoroditje e paparë. Refe-re-ndum. I dilte vetëm nota re e muzikës, por i ngatërrohej më tej pentagrami. Stres gjithandej, mllef e tërbim, thirrje për hakmarrje dëgjon ngakënd. Disa të mëdyshur, të lodhur, të rraskapitur, edhe në Tiranë, a thua se i kanë rënë me biçikletë gjithë Britanisë së Madhe apo kanë numëruar votat kundër gjithë natën (zakon shqiptar ky).

Takova një sanguin të lashtë. Ai ishte në re, jashtëzakonisht i kënaqur nga referendumi britanik. Të nesërmen kishte hequr menjëherë dorë nga alkooli, duhani, droga, kumari, por i kishte hipur dëshira e madhe të hidhej me parashutë nga Llogoraja. Nuk fliste fare dhe çdo veprim e pohonte ose e mohonte me lëvizjen e kokës. Komshiut tim flagmetik nuk i pushon goja. Për çdo gjë kërkon të flasë dhe të japë mendim.

Ndonëse punon hidraulik në të zezë, pas referendumit, ka dëshirë ta dëgjojnë kur flet për argumentet pro dhe kundër mbjelljes së palmave gjatë rrugës Tiranë-Rinas dhe mundësisë që lopët holandeze t’i kapë virusi “gjuha blu”. Sipas tij, virusi kishte ardhur nga Mesdheu me një anije britanike, e cila ishte mbytur në Detin e Veriut në shekullin XVII dhe tani kishte shpërthyer duke rrezikuar epideminë e gjësë së gjallë në të gjitha vendet e ulëta, madje edhe në vende të ftohta skandinave.

U përpoqa në fakt të merrja lajme post referendare nga Zvicra, por nuk më erdhën. Nën zë më thanë që Zvicrën e ka kllaptuar një melankoli referendare gjithëpërfshirëse. Kjo, me sa duket, ka qenë edhe arsyeja e humbjes me Poloninë në Euro-16. Një nga shqiptarët që luajnë me Zvicrën më dërgoi një sms në Telegram, ku më thoshte se nuk i ka parë asnjëherë zviceranët kaq të menduar, melankolikë dhe të pakënaqur nga qetësia dhe ajri i pastër që kanë paratë, largohen si përherë në drejtim të Fushë-Krujës, dhe si përherë aty djegin makinën e zhduken…

Gjëja bëhet edhe më e pabesueshme kur mendon se vetëm një ditë më parë ekranet televizive u çanë me pamje që tregonin “gatishmërinë e lartë” të Policisë së Shtetit, në Aeroportin e Rinasit, për shkak të atentatit terrorist në aeroportin e Stambollit. Nga pamjet e kronikave televizive dukej qartë se Aeroporti i Rinasit ishte “blinduar” me forca speciale dhe trupa komando, me qen e roje, me kontrolle të “imta” të çdo personi të dyshuar që mund të kërcënonte sigurinë e aeroportit.

Një shef i këtyre forcave madje dha një intervistë ku shpjegonte gjerë e gjatë arsyen e këtij përqendrimi forcash dhe mënyrën se si ata po garantonin aeroportin nga çdo tentativë akti terrorist. Me siguri banda e grabitësve ose ka qenë e zënë me përgatitjen e grabitjes, ose nuk e merr seriozisht propagandën qeveritare për rendin. Ka dhe një mundësi të tretë dhe kjo sado e pambështetur në fakte dhe e paverifikueshme, për momentin duhet marrë në konsideratë.

Ka mundësi që grabitja të jetë bërë pikërisht nga segmente të shtetit dhe ata nuk kanë qenë aty një ditë më parë për të ruajtur aeroportin, por për të garantuar suksesin e grabitjes. Hipotezë e çmendur, po a nuk jetojmë në një realitet të çmendur? A nuk po përjetojmë gjëra të paimagjinueshme? A nuk po na e thonë ditë për ditë në turi se këtu mund të ndodhë gjithçka? Dhe pikërisht për këtë arsye kemi të drejtë të mendojmë se vjedhja në aeroport mund të jetë vepër e atyre strukturave që kanë për detyrë mbrojtjen e aeroportit.

Jeta është më krijuese sesa ne krijuesit, thoshte një shkrimtar. Shteti shqiptar është më batakçi se ç’do ta parashikonte edhe mendja më perverse – do të thosha unë. Nga të fundit që dëgjova është se Londra do të mbajë referendum për të mbetur In-BEsë, në një vend që do të jetë Out-BE-së. Formulë ideale, e kopjuar menjëherë nga ca çuna të “Bllokut” në Tiranë që po mbledhin firmat për referendum.

Ata po kërkojnë referendum Out për të gjithë qentë e pashoqëruar në “Bllok” që nuk janë të pajisur me badg biometrik me foto dhe me shenjat e putrave. Dhe gjithandej e për çdo gjë po kërkohet referendum. Duket si magjia e zbritur për të lehtësuar shoqërinë dhe njerëzimin nga problemet dhe nga pamundësia për të gjetur zgjidhje.

Referendumo-mania ka hyrë në kapilarët e shoqërive dhe ka prekur edhe mendjen e atyre që u duhet më shumë të analizojnë, të vlerësojnë dhe të gjejnë formula më pak “tragjike”, të japin optimizëm dhe shpresë se e nesërmja vërtet do të jetë ndryshe, por nuk do të jetë apokaliptike. Njerëzit janë të lodhur nga “NOSTRADAMUSET e Shekullit të Ri”.

Shpëtimi si gjithmonë vjen nga Out, pavarësisht sëmundjes “outreferendum”: Një institut i pavarur shkencor, jo OJF, ka njoftuar në faqen e tij, por nuk ka bërë transparente donacionet, se kanë filluar eksperimentet kundër virusit “referendum-mania”, pavarësisht origjinës dhe ADN-së.

Do të jetë i vlefshëm, nëse del me sukses, për të gjitha racat, kombet dhe besimet. Sipas tyre, vështirësia e vetme mbetet një specie shumë e trazuar, në gjak dhe në histori, e cila ka reaguar negativisht ndaj virusit eksperimental. Kjo është e vetmja mëdyshje e tyre. Shpresojmë ta gjejnë edhe këtë enigma mjekësore, shumë akute këto ditë.

E dyta përçapje është ajo zvicerane. Një grup peshkatarësh zviceranë kanë filluar të mbledhin firmat për një referendum lokal kundër organizimit të këtij referendumi me të drejtë heqjen e të drejtës së referendumit nga Kushtetuta zvicerane. Në grupin e tyre është edhe një gjuhëtar i shquar, që di shumë mirë edhe shqip dhe ndjek të gjitha lajmet nga hapësira shqiptare, i cili kërkon të hiqet nga fondi i fjalorit zviceran dhe nga përdorimi në Zvicër i termit “referendum”.

Argumenti i tyre është që referendumi kohët e fundit është përfolur kaq shumë, sa i ngjan një këpuce të keqpërdorur që duhet të çohet ose te këpucari, ose në një vend ku mund të riciklohet për një përdorim të ri. Dilemë e madhe duket!

*Ambasador

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura