Breshëria mbi banesën e mikut të Aldo Bares, gruaja dhe e bija u shpëtojnë mbi 50 plumbave. Dyshohet se…

Feb 1, 2018 | 20:00
SHPËRNDAJE

Bashkëshortja dhe vajza e ish-anëtarit të “Bandës së Lushnjës”, Arjan Aliço, u kanë shpëtuar për mrekulli plumbave pasi shtëpia e tij u sulmua me breshëri kallashnikovi.

banda-e-lushnjes

Në vendin e ngjarjes, Policia sekuestroi rreth 50 gëzhoja, ndërsa ngjarja ndodhi më orët e para të së martës. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në distancë në drejtim të banesës, brenda së cilës ndodheshin vajza 26 vjeçe dhe e shoqja e Arjanit, Alma Aliço. Në muret e shtëpisë duken qartë shenjat e lëna nga plumbat.

Bashkëshortja e Arjan Aliços, i cili njihet edhe si mik i Aldo Bares, ka rrëfyer në Polici tmerrin e përjetuar. E pyetur nga oficerët, Alma Aliço ka thënë se ka qenë e përfshirë nga paniku në ato momente dhe nuk ka parë asgjë sa u takon autorëve. Sipas saj, 30 minuta pasi ajo ka fikur dritat e shtëpisë, rreth orës 02:30, janë dëgjuar të shtënat.

Mësohet se ajo u ka thënë efektivëve se ka frikë për jetën e saj dhe të vajzës, pasi dyshon se autorët po e mbajnë në përgjim dhe po survejojnë lëvizjet. Duke folur për ngjarjen, bashkëshortja e Arjan Aliços është shprehur se, plumbat i kanë dëmtuar asaj të gjithë shtëpinë, pasi nga muri kanë depërtuar edhe në brendësi, duke lënë shenja të dukshme në dyer dhe mobilie.

“Qëlluan nga rruga, siç e shikoni, u shpua dera tej përtej. Pastaj e gjithë shtëpia brenda u pushtua nga plumbat. Që nga korridori deri te banja. Ç’të të them, çfarë ka shtëpia brenda, është prekur tejpërtej nga plumbat. Ishte e papritur dhe e tmerrshme”, ka thënë Alma Aliço.shtepia-alicaj-lushnje3 shtepia-alicaj-lushnje2

Breshëria e plumbave ka prekur dhe një fqinje të familjes Aliços. Gruaja e moshuar, që banon në katin e dytë, ka thënë se ishte llahtarisur nga zhurma, që fillimisht iu duk si fishekzjarr.

“M’u duk se ishin fishekzjarr, por kur në dritaren time hyri një plumb, e kuptova që ishte armë. U detyrova të rri shtrirë derisa të sigurohesha që çdo gjë mbaroi. Na kanë bërë me hije. Shyqyr që ishte natë se plumbi mund të më zinte nëse do isha duke punuar nëpër shtëpi. Policia të bëjë diçka se jemi bërë me zemër”, shprehet e moshuara A.A., e cila më pas ka lajmëruar Policinë, pa ditur arsyen dhe shënjestrën e sulmit.

Ndërkohë, pak minuta më vonë, në sallën operative është bërë telefonata e dytë nga vetë familja e Aliços. Banorët i kanë thënë Policisë se kanë dëgjuar një automjet të xhironte gomat fill pasi u dëgjua breshëria e kallashnikovit.

Policia ngriti postblloqe në daljet dhe hyrjet e qytetit, ndërkohë që grupi hetimor ka ngritur dyshime se kjo ngjarje mund ta ketë burimin në plagosjen e ndodhur në vitin 2616 në Lushnje, ku Arjan Aliço goditi mbi 10 herë me thikë Julian Sulën. Sipas dyshimeve të para, autorët mund të kenë dashur të trembin familjen në fjalë, por edhe t’i dërgojnë ndonjë mesazh kryefamiljarit të burgosur. Aktualisht, Aliço vazhdon të vuajë dënimin.

53-vjeçari akuzohet për tentativë vrasjeje dhe plagosje të rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim me të birin e tij, Xhino Aliço, i cili është në kërkim.

shtepia-alicaj-lushnje

Arjan Aliço mori pjesë në masakrimin e Artur Dajës

Arjan Aliço, ish-anëtari i bandës së Aldo Bares, u arrestua në qershor 2016, me akuzën e tentativës së vrasjes dhe plagosjes së rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim me të birin e tij, Xhino Aliço, 25 vjeç. 53-vjeçari, i akuzuar dhe për pjesëmarrje në vrasje gjatë trazirave të vitit 1997, qëlloi mbi 10 herë më thikë Julian Sulën.

Ngjarja ndodhi në Lushnjë, më 8 qershor, pas ndeshjes ShqipëriZvicër, në një pikë bastesh. Aliço dhe 36-vjeçari Sula, person me precedent penal, debatuan fillimisht mbi ndeshjen e futbollit duke përfunduar më pas në përdorimin e armës së ftohtë.

I plagosuri sipas Policisë, rezulton se në vitin 2010 ka kryer vjedhje me armë të një personi. Lidhur me plagosjen e tij, Policia bëri të ditur pas ngjarjes se, erdhi pas një konflikti banal në lidhje me lojtarët, në ndeshjen që ndiqnin në një pikë bastesh në qytetin e Lushnjës.

Pas arrestimit, Aliço i tha Policisë se gjithçka ndodhi pas një përplasjeje të fortë dhe se ishte i detyruar të nxirrte thikën për vetëmbrojtje, pasi në të kundërt, Sula do ta qëllonte atë. Në kërkim për këtë ngjarje u shpall dhe bashkëpunëtori i Aliços, i biri, Xhino Aliço, 25 vjeç.

Aliço njihet edhe si një ndër anëtarët e Bandës së Lushnjës, që ka qenë i pranishëm në ngjarjen e bujshme të vrasjes së Artur Dajës, kur koka e tij shëtitej nëpër qytet. Aliço është një prej emrave që me vite qëndronte në dosjen e policëve, prokurorëve dhe gjykatësve që u morën me “Bandën e Lushnjës”.

Ngjarja që spikat është ekspozimi i tij në grup, duke shëtitur me një kokë të prerë. Siç shkruhet në dosjen hetimore, më 21 tetor të vitit 1998, në fshatin Grabian të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor të shpërndara.

Viktima nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit. Në epokën e Alfred Shkurtit (Aldo Bares), ku Lushnja kishte një komisariat paralel, anëtarët e organizatës i drejtoheshin shefit me nofka të tilla si: “I madhi”; “Profesori”; “Kryetari” etj., ku Arjan Aliço, ka pasur një rol jo të vogël. Për të Prokuroria kërkoi 6 vjet burg për pjesëmarrje në vrasje. Pas arrestimit në prill 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda e la me masë të lehtë sigurie.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura