Brenda një zone tektonike aksesh pushteti

Jun 3, 2018 | 12:35
SHPËRNDAJE

redi shehuREDI SHEHU

Të gjitha mediat u fokusu an me të drejtë në një ndër  etapat më të rëndësishme të procesit integrues të Shqipërisë, siç ishte edhe rekomandimi që Komisioni Europian dha për Shqipërinë lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ngjarjet që po ndodhin së fundmi janë një fytyrë e re e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku gjeopolitika dhe fuqia e qendrave të pushtetit po lëviz me shpejtësi dhe Shqipëria, e ndodhur në një zonë tektonike aksesh pushteti, rrezikon të çorientohet politikisht dhe ekonomikisht.

Tashmë, procesi integrues në BE ka kaluar fazën e vet të normalitetit dhe po futet në një poçes sforcimi, i cili vjen pikërisht si pasojë e këtyre lëvizjeve të fundit të qendrave të pushtetit. Sidomos kjo, nëse flasim për Ballkanin dhe boshtet e mëdha qytetërimore, të cilat përplasen në këtë rajon. Bota përherë ka qenë e konfiguruar nga ekzistenca e disa boshteve dominuese qytetërimore, të cilat kanë qenë hegjemonikë në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor.

Në fillim u shpërfaq Europa gjatë dy shekujve të periudhës moderne deri në Luftën e Dytë Botërore si boshti dominues në botë, duke imponuar qëllimet e veta, kulturalisht, ekonomikisht dhe politikisht me anë të kolonizimeve dhe më vonë me anë të përcaktimit të kufijve. Pas LDB, u pa një rënie e Europës si bosht civilizues dhe stafetën e mori SHBA si fuqi ushtarake, ekonomike me bumin e saj ekonomik dhe politik po ashtu. Kurse gjatë Luftës së Ftohtë, boshti i Amerikës së Veriut dhe ai Bashkimit Sovjetik përbënin dy akse përplasëse me njëri-tjetrin.

Është pikërisht fillimi i Bashkimit Europian si nocion tregtar dhe më pas politik, që bëri që boshti i Amerikës së Veriut të bashkohet në boshtin e madh dominues të deri kohëve të fundit, që u quajt boshti Euro-Atlantik. Ndërkohë, akse të tjera ekonomike u krijuan në nivelin e shteteve si Kore e Jugut, Tajvan, Hong-Kong dhe Singapor dhe aksi tjetër si Malajzi, Tajlanda, Indonezia dhe Filipine.

Ahmet Davutoglu, në teorinë e tij mbi boshtet civilizuese, thekson se ato nuk janë një ambient statik, por janë një atmosferë dinamike e krijuar nga tensioni mes forcave të qendrës së boshtit dhe forcave centrifugale periferike, ku forcat e qendrës tërheqin periferitë drejt saj dhe periferitë që tentojnë të shkëputen. Pra, me një fjalë, Europa e Bashkuar dhe Amerika e Veriut përbëjnë deri në kohët e sotme qendrën e botës dhe pjesa tjetër, periferia, që rrotullohet rreth saj në formë centrifugale. Ndryshime të rëndësishme ekonomike sjellin zhvendosjen e akseve qytetërimore.

Sot, vërehet një forcim i aksit aziatik me Kinën si forcë qendërsuese. Një aks tjetër i rëndësishëm është ai rus, me një ekspansion politik dhe ekonomik të fuqishëm. Në të njëjtën kohë, një qendër e re e një aksi qytetërimor të ri në formim e sipër, që, përveç anës ekonomike, shquhet për veçantinë kulturore si forcë qendërsuese e që qendër të saj ka Turqinë e sotme. Në spektrin shqiptar, integrimi në strukturat e BE-së ka marrë formë dhe trajtë të ndryshme. Ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit, integrimi për qeverinë shqiptare është kthyer në një prioritet të shkallës së parë.

Por, në ndryshim nga vendet e tjera aspirante për t’u bërë anëtare të BE-së, Shqipëria përballet me një realitet integrues sa të veçantë, aq edhe qesharak. Të veçantë në trajtimin që BE duhet t’i bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve të shpërndarë në të gjitha vendet ballkanike që aspirojnë integrimin, dhe qesharak në politikat, strategjitë që ndjekin shpesh qeveritë dhe elita kulturore shqiptare.

Nëse do merrnim tezën e boshteve civilizuese të Davutoglusë dhe ta vendosnim në kontekstin shqiptar dhe rajonal, do të shihnim se Shqipëria ndodhet në një zonë ku aktualisht tri boshte civilizuese takohen në të njëjtin rajon. Aksi Euro-Atlantik, tashmë i rrënjosur si realitet politik, ekonomik dhe deri diku kulturor. (Ballkanin Perëndimor). Aksi rus si realitet historik kulturor dhe së fundmi edhe ekonomiko-ushtarak (Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi). Aksi me qendër Turqinë, si realitet historik e kulturor dhe së fundmi edhe ekonomik (Shqipëri Kosovë, Maqedoni)

Mirëpo, thamë që boshtet civilizuese janë dinamike përmes përplasjes së forcave të qendrës, që tërheqin nga aksi dhe atyre të periferive, që herë pas herë ushtrojnë rezistencë në kahun e kundërt. Ne ndodhemi në një zonë tektonike në gjeopolitikë siç është Ballkani Perëndimor e që Hungtington e ka quajtur “vende të shqyera”, pikërisht se këto vende, duke qenë në rolin e trefishtë të satelitit të tri boshteve civilizuese, luhaten dhe tërhiqen nga forca gravitacionale e këtyre boshteve njëkohësisht.

Serbia, Mali i zi, Maqedonia tërhiqen politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga aksi euro-atlantik. Tërhiqen kulturalisht ushtarakisht dhe deri diku ekonomikisht nga aksi rus. Ndërsa joshen ekonomikisht dhe kulturalisht (gjysma e Maqedonisë) nga aksi turk. Shqipëria, Kosova dhe gjysma e Maqedonisë tërhiqen politikisht, ekonomikisht ushtarakisht nga aksi euroatlantik, tërhiqen ekonomikisht, kulturalisht dhe pjesërisht politikisht nga aksi turk, dhe joshen nga aksi rus. Pra, të qenurit satelit i një boshti është problematik se je gjithmonë nën presionin forcës shtytëse dalëse, e cila është në drejtim të kundërt me qendrën.

Ndërsa të jesh satelit i tri boshteve njëkohësisht, të bën të jesh vend i shqyer nga të gjitha pikëpamjet. Në këtë situatë, të gjitha këto vende, në një farë mënyrë, ngrenë të njëjtën pyetje lidhur me atë se si duhet të sillen tani kur balanca e boshteve po lëkundet dhe ku të parët që fluturojnë jashtë forcës gravitacionale janë vendet periferike të tij. Ajo çka po ndodh me integrimin tashmë, ajo që ndodhi me Kryeministrin Rama në Berlin dhe çfarëdolloj debati apo hatërmbetje të ndonjë deputeti gjerman, janë në funksion të forcës së tyre gravitacionale për të mos e lënë Shqipërinë të tërhiqet sa në një bosht në tjetrin.

Analizat tona bëjmë mirë t’i përqendrojmë në këto pista duke dalë nga narrativa individuale me flokë dhe mustaqe të individëve, por të lexojmë se çfarë do të ndodhë së afërmi kur forca gravitacionale e tri boshteve është shtuar së tepërmi dhe Shqipëria nëse nuk shton peshën e vet specifike të rëndesës politike përmes aleancave të duhura dhe partneriteteve strategjike, rrezikon të hidhet tej si leckë e shqyer.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura