Brenda 16 orëve regjistrohen katër viktima, krimi trondit vendin nga Saranda në Elbasan (video)

Aug 18, 2022 | 10:42
SHPËRNDAJE

Mbrëmja e 17 Gushtit dhe mëngjesi i 18 Gushtit kanë regjistruar brenda 16 orëve katër viktima në Shqipëri, dy atentate dhe një sherr banal me thikë që i mori jetën një personi.

Saranda, Elbasani dhe Vlora kanë tronditur opinionin publik me ngjarjet e rënda që ndodhën orët e fundit, duke i marrë jetën katër shtetasve.

Rreth orës 10 të mëngjesit të së enjtes, një atentat me dy viktima u shënua në autostradën Fier-Vlorë, pranë mbikalimit të Panajasë.

Autorët kanë qëlluar ndaj një makine në ecje, e cila më pas përfundoi në kanal. Nga ky atentat me breshëri kallashnikoi, mbetën të vrarë dy shtetas, ende të paidentifikuar, ndërsa dyshohet se është dhe një i plagosur.

Tronditet Elbasani, vritet me armë zjarri 25-vjeçari 

Një 25-vjeçar u vra me armë zjarri në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”. Viktima është Madrid Ulqinaku, i cili u qëllua me disa plumba në momentin që po tentonte të hipte në automjetin e tij që ishte parkuar anës rrugës pranë stadiumit të qytetit.

Viktima ka qenë në një lokal në zonë kur persona të armatosur e kanë pritur atë dhe në momentin që ka dalë për të shkuar drejt makinës, e kanë qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të çastit. Burimet thanë për gazetën se kanë qenë dy persona me makinë që e kanë pritur 25-vjeçarin dhe më pas e kanë qëlluar.

Pasi i kanë marrë jetën Ulqinakut, autorët e krimit janë larguar në drejtim të Bulevardit për të humbur më pas gjurmët.

Policia e Elbasanit tha zyrtarisht se bëhet fjalë për një vrasje pas një konflikti të çastit, duke identifikuar edhe autorin e dyshuar, një 20-vjeçar i identifikuar si Klajdi Shaholli.

Sherr për parkingun, vritet me thikë 41-vjeçari

Ka qenë ora rreth 18:30 kur në lagjen Nr.1 të qytetit, shtetasi Klodian Bakia është përfshirë në një konflikt me një 24- vjeçar, banues në Laç, por kamerier në qytetin e Sarandës gjatë sezonit veror.

Sherri ka nisur kur 41-vjeçari ka parkuar automjetin e tij para lokalit ku punonte i riu nga Laçi. Në konflikt e sipër për atë që lidhje me parkingun, i riu Xhanelo Tarja ka qëlluar me thikë në zemër 41-vjeçarin, i cili ka mbetur i plagosur rëndë.

Pavarësisht se u transportua me urgjencë për në spitalin e qytetit, Bakia nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. I riu njihej si djalë i sjellshëm në zonë dhe pa probleme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura