Bregu ndryshe nga PD edhe për votimin elektronik, ja çfarë thotë

Jan 27, 2017 | 7:37
SHPËRNDAJE

Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, nuk e sheh votimin elektronik si zgjidhjen kryesore për t’i kthyer klasës politike besimin te njëri-tjetri.

majlinda-bregu

Në fjalën e saj në Parlament, kryetarja e Komisionit të Integrimit theksoi se nuk ka një sistem zgjedhor apo votimi që i bën zgjedhjet të pavjedhshme, të pamanipulueshme, të pakontestueshme, raporton “Panorama”.

“Unë e kam të vështirë të besoj se zgjedhjet janë pika e ndryshimit. Unë nuk besoj se është shpikur një sistem zgjedhor apo votimi që i bën zgjedhjet të pavjedhshme, të pamanipulueshme, të pakontestueshme. Nuk besoj se ka ndonjë sistem zgjedhor a votimi që na bën ne të kemi besim te njëri-tjetri. Ja, zgjedhjet me letër dhe përgatitjen e listave do ta bëjë Sajmir Tahiri. Hartimin e softit për votim elektronik, p.sh., mund ta fitonte kompania INTEL e Ilir Beqes, energjinë elektrike mund ta presë Damian Gjiknuri. Pa gjë s’do të ngelej në manipulim as Milena Harito. Nuk jam e bindur se votimi elektronik dhe besimi i ndërsjellë politik ecin bashkë. Por jam e bindur se cilado qoftë forma e votimit, qeveria dhe kryeministri kanë vetëm një detyrë: marrjen përsipër të përgjegjësisë për kryerjen e zgjedhjeve me standarde”, tha Bregu.

Deputetja demokrate deklaroi se klasa politike në Shqipëri, më shumë sesa për Reformën Zgjedhore, është e interesuar për ecurinë e telenovelës brenda koalicionit qeverisës. Sipas Bregut, më shumë sesa opozita, prishjen e martesës politike mes “çiftit qeverisës” mund ta prishnin vetëm ata vetë.

“Askush nuk beson sot se zgjedhjet sjellin politika për qytetarët, madje aq e vërtetë është kjo, sa dhe media ka qejf vetëm këtë telenovelën e martesës a rimartesës, apo divorcit të mundshëm mes shemrave politike të koalicionit qeverisës sot dhe jo se çfarë rrezikon kjo situatë. Rrezikon pa dyshim destabilitet parazgjedhor. Apo pas? Ose të dyja bashkë. Dhe më vjen keq, por edhe pse do të doja që destabilitetin mes çiftit politik që drejton vendin ta shkaktonte opozita, nuk jemi aq të aftë sa ju për këtë. Fati juaj politik mund të jetë një fund i tmerrshëm ose një tmerr pa fund, ju takon juve ta ndani. Për sa kohë do të mbani peng njëri-tjetrin, peng do të mbeten ata që presin prej jush”, deklaroi Bregu.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura