Bregdeti i Durrësit i mbuluar me leshterikë, pa investim në pragsezon

Apr 26, 2015 | 14:26
SHPËRNDAJE

DURRES – Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga çelja zyrtare e sezonit turistik veror, institucionet vendore dhe qendrore nuk kanë marrë asnjë masë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës. Vija bregdetare prej 68 kilometrash, që me ndarjen e re territoriale pritet të menaxhohet nga Bashkia e Durrësit, nuk është gati për të pritur pushuesit, ndonëse një pjesë e tyre kanë nisur ta frekuentojnë.

Plazhi i Durresit me leshterike

Të ngarkuar me fushatën elektorale, vendorët duket se kanë lënë pas dore rehabilitimin e vijës bregdetare, duke mos ndërmarrë asnjë iniciativë për pastrimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së përgjithshme turistike. Edhe pse muaj prill konsiderohet si koha e përshtatshme për të ndërhyrë në zonat turistike, institucionet po e neglizhojnë atë.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Kepi i Rodonit deri te Shkëmbi i Kavajës, askush nuk është angazhuar për pastrimin e mbetjeve urbane e heqjen e leshterikut, që kanë pushtuar të gjithë zonën turistike. Plotësimi i vijës bregdetare me nyjet higjienosanitare, siç janë dushet dhe banjat publike mungon.

Pavarësisht se është një problem i mbartur ndër vite, institucionet kompetente ende nuk kanë nisur punën në terren, duke vënë në rrezik mbarëvajtjen e këtij sezoni të ri turistik. Ndërsa vera duket e afërt dhe plazhet kanë nisur të frekuentohen, në asnjë prej zonave turistike nuk ka nisur puna për pastrimin dhe dezinfektimin e rërës.

Papastërtitë qëndrojnë në të njëjtat parametra me ato të stinës së dimrit që lamë pas, ndërsa sinjalistika turistike që shërben për orientimin e vizitorëve mungon. Pushues nga Durrësi, Tirana dhe rrethe të tjera të Shqipërisë, si dhe të ardhur nga treva të ndryshme shqipfolëse kanë çelur përgjatë kësaj fundjave sezonin turistik, edhe pse nga ana e Bashkisë së Durrësit ende nuk është bërë hapja zyrtare e tij. l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura