Bregasi: Mbështesim projektin, të shëndoshen financat e UKT-së

Jul 27, 2017 | 7:40
SHPËRNDAJE

Luan Bregasi, një prej përfaqësuesve të së majtës në këshill, njëherësh kreu i “Biznesalbania”, në emër të sipërmarrësve dha opinionin e tij pro rregullimit të çmimit të ujit, çka përkthehet në më shumë të ardhura dhe investime afatgjata.

Luan-Bregasi-Biznes-Albania-IBNA

“Dua të shpreh opinionin e të gjithë sipërmarrësve që e mbështesim këtë projekt. Ka ardhur koha që të shëndoshen financat e Ujësjellës Kanalizimeve që të rritet dhe cilësia e jetës së qytetarëve të Tiranës”. Për Bregasin, sipërmarrësit, ose ata që ditët e fundit janë etiketuar si oligarkët që nuk paguajnë, janë burimi kryesor i të ardhurave në buxhet, por jo vetëm.

“Një nga argumentet që kam dëgjuar për të mos rritur çmimin e ujit ishte sepse oligarkët duhet të paguajnë më shumë, pasi sipas tyre, ata nuk paguajnë. Më duhet të sqaroj se klasa e sipërmarrësve i jep shtetit 80% të të gjithë buxhetit dhe 85% të të punësuarve i ka sektori privat. Oligarkët do ta mbështesin këtë projekt dhe 20 lekë të vjetra për 1 mijë litra ujë mendoj se nuk janë shumë”.

Kreu i “Biznesalbania”, Bregasi, ka një përgjigje për ata që janë kundër rregullimit të çmimit të ujit, i bindur se edhe me këtë projekt do të ndodhë njësoj si me të tjera që hasën në kundërshtime. “Në rast se vërtet njerëzit e ndiejnë si kosto, do ndërgjegjësohen të konsumojnë më pak ujë. Unë personalisht e mbështes dhe inkurajoj këtë projekt kaq të rëndësishëm, i cili do ta ketë bëmën njëlloj siç u bë parku i lojërave të fëmijëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura