Bregasi: Do përkrahim çdo projekt investimi italian në Shqipëri

Feb 20, 2018 | 8:55
SHPËRNDAJE

“Ne do të përkrahim dhe do të mbështesim çdo projekt që ju do të doni të investoni në Shqipëri.” Kështu u shpreh gjatë takimit të djeshëm, kreu i BiznesAlbania, Luan Bregasi. Ai ftoi sipërmarrësit italianë të vijnë të investojnë në fushën e agrobiznesit, agropërpunimit, agroturizmit.

Luan-Bregasi-Biznes-Albania-IBNA

“Shqipëria është vërtet një vend shumë interesant, jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për kompanitë italiane që kanë më shumë se ne, traditën, eksperiencën në fushën e agropërpunimit. Shumë kompani italiane kanë ardhur, kanë investuar në Shqipëri, e tha dhe Kryeministri, gati 50 për qind e shkëmbimeve tregtare ne i bëjmë me Italinë, të importeve dhe eksporteve, por në fushën e agropërpunimit, më thënë të drejtën, nuk dallohen dhe nuk shfaqen me ambicie për të investuar në Shqipëri. Të gjitha këto incentiva, që tha ministri, janë oferta më e mirë për të gjitha kompanitë italiane për të ardhur dhe për të investuar së bashku me ne në këtë sektor të rëndësishëm. Pra, janë taksat e ulëta, janë donacionet, investimet, grandet, politikat e tjera lehtësuese”, theksoi Bregasi.

Sipas kreut të BiznesAlbania, Shqipëria është absolutisht vendi më i favorizuar për të investuar në këtë sektor, jo vetëm në Europë, por në të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor.

“Me dëshirë ju ftoj, edhe BiznesAlbania dhe sipërmarrësit e tjerë shqiptarë do t’ju japin mbështetje maksimale projekteve tuaja. E fundit, ajo çfarë ne na ka munguar dhe shumë kompani të huaja refuzojnë edhe për shkak se këtu në Shqipëri mungojnë disa profesione, dëshiroj të them se qeveria ‘Rama’ i gjeti me 3 mijë nxënës shkollat profesionale, kurse sot numërohen 30 mijë nxënës në shkollat profesionale. Unë dëshiroj të jap një lajm, që Ministria e Ekonomisë, të gjitha qendrat e formimit profesional i ka quajtur multifunksionale, që do të thotë se çdo sipërmarrës që ka nevojë për 10 rrobaqepës, për 10 vreshtarë apo 5 punonjës të një natyre të veçantë, duhet të shkojë në qendrat e formimit profesional dhe ato para që shteti i përdor për formimin profesional, t’i orientojë drejt kërkesave që ka sipërmarrja lokale e qytetit ose të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit. Edhe një herë, ju uroj suksese kompanive italiane!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura