Braktiset Durrësi, operatorët: Ky sezon, më i varfri

Jul 6, 2015 | 12:56
SHPËRNDAJE

Pushuesit tradicionalë kosovarë, të cilët plazhin e Durrësit e kanë zgjedhje të parë, këtë sezon turistik po mungojnë. Fundjava e parë e muajit korrik që shënon edhe pikun e sezonit, e ka gjetur plazhin të braktisur nga pushuesit më “besnikë” që janë shtetasit kosovarë dhe maqedonas. E shtuna e javës së parë të korrikut të linte përshtypjen e një fundjave të majit, pasi numri i pushuesve ishte i papërfillshëm. E njëjta situatë paraqitet edhe te prenotimet e hoteleve buzë Adriatikut. Operatorët turistikë paralajmërojnë falimentimin, për shkak të rënies së numrit të prenotimeve nga ana e turistëve dhe vizitorëve. Sipas tyre, ky sezon konsiderohet më i varfri i dekadës së fundit.

Thuajse të gjitha hotelet, restorantet dhe plazhet private të ngritura buzë Adriatikut janë të pashfrytëzuara. Infrastruktura e papërshtatshme, muaji i Ramazanit dhe moti i paqëndrueshëm, duken si shkaqet e braktisjes së bregdetit të Durrësit, i cili nis nga “Ura e Dajlanit” deri në Plepa. Korriku shihet si muaji i shpresës për bizneset që mbahen me turizmin, por ky i këtij viti po i çon drejt falimentimit. Sali Elezi nga Kosova, i cili prej disa vitesh zhvillon aktivitetin privat të hoteleri-turizmit, në sektorin “Apolonia”, tregon se prenotimet kanë rënë me 60 për qind në raport me sezonet e kaluara. “Të paktën në tre vitet e fundit është ndier rënia e shtetasve, të cilët pushimet verore i kalojnë në plazhet e Durrësit, por ky vit është shumë herë më i dobët se ai i sezonit të kaluar.

Prenotimet kanë pësuar një rënie drastike me 60 për qind krahasuar me sezonit e fundit, të cilat kanë qenë më konstante. Muaji i Ramazanit dhe infrastruktura e dobët që ofron ky bregdet, po ndikojnë në braktisjen e plazheve nga pushuesit tradicionalë që janë shtetasit kosovar dhe maqedonas. Shpresojmë që 15-ditëshi i dytë i korrikut dhe muaji gusht të jenë më të mbarë, në të kundërt kemi falimentuar”, u shpreh Elezi. Ndërkohë, ata pak pushues që po frekuentojnë aktualisht plazhin e Durrësit po përballen me një sërë problemesh.

“Nuk shikoj asnjë përmirësim në infrastrukturë. Është për të ardhur keq që edhe në 2015 ne të diskutojmë mungesën e tabelave orientuese, koshave të mbeturinave, shërbimet higjeno-sanitare, siguri në plazhe, apo edhe shërbime të tjera më elementare. Nëse nuk do të ketë ndonjë përmirësim, edhe unë vitin tjetër do ta braktis, sikurse kanë bërë të tjerë bashkëkombës të mi”, shprehet një pushues nga Kosova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura