Braho i LSI-së: Kunati i Berishës kishte ofruar 500 mijë euro për të vrarë Doshin dhe Fufin

Mar 2, 2015 | 19:55
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho deklaroi se deputeti Tom Doshi duhet të dorëzojë provat e pretenduara për kërcënimin e jetës së tij në mënyrë që policia dhe organet e hetimit të bëjnë punën e tyre.

Spartak Braho ne Kryesine e Kuvendit te Shqiperise

Nëse kjo nuk bëhet me vullnetin e lirë të deputetit Doshi, Spartak Braho tha se provat duhet të sekuestrohen nga polica dhe prokuroria.

“Video të sekuestrohet nga prokuroria dhe policia bashkë me personat e tjerë që pretendohen”,-tha Braho. Deklarata e deputetit të LSI-së u bë nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë mbrëmjen e së hënës, ndërsa qëndrimi i tij vjen pak kohë pas deklaratës së deputetit Tom Doshi, i cili tha se disponon një video prej 37 minutash ku provohen kërcënimet për jetën.

Sipas deputetit Braho, më herët ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kryeprokurori Adriatik Llalla dhe krerët e policisë së shtetit janë vënë në dijeni të pretendimeve të deputetit socialist.

Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare i kërkoi gjithashtu forcave të rendit të marrin në mbrojtje deputetin Tom Doshi, të përjashtuar mesditën e së hënës nga radhët e grupit parlamentar të PS-së, si dhe deputetin tjetër të mazhorancës, Mhill Fufi. Për këtë të fundit, deputeti Tom Doshi ka thënë se bashkë më të është kërcënuar me vrasje. 

Deklarata e plotë për shtyp e Spartak Brahos

Me cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta.

Pasi u informova nga z. Meta për këtë çështje, u thirr Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të cilët u vunë në dijeni për informacionin dhe bisedën e bërë nga z. Doshi dhe meqenëse kjo u vlerësua si një çështje që kishte të bënte jo vetëm me një akt kriminal, që po përgatitej, por edhe me shqetësimin se po vihej në rrezik jeta e deputetëve të mësipërm, ju kërkua atyre të zbardhej menjëherë kjo çështje si edhe të viheshin në mbrojtje të dy deputetët që pretendohej se ishin të rrezikuar për jetën.

Sot, pa komentuar deklaratat e ndryshme të deputetit Doshi të bëra në kohë të ndryshme sipas rrethanave dhe situatave politike, si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoj që faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video e gjithçka tjetër të cila në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria, së bashku me personat e tjerë të implikuar në këtë çështje t’i denoncojë duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre, për t’i zbardhur së më parë. Ndërkohë i kërkoj përsëri Policisë së Shtetit të vijojë marrjen në mbrojtje të dy deputetëve Doshi e Fufi të kërcënuar për jetën, sipas z. Doshi.

Ky është një informim paraprak në respekt të opinionit publik dhe medias, pasi ne jemi këtu për të punuar në vazhdimësi së bashku.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura