Brahja në “katedër”: Kukësi është i favorizuar për finalen

Apr 4, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

Sfidat Laçi-Kukësi dhe anasjelltas kanë qenë gjithmonë të luftuara në kampionat dhe sidomos në Kupë, ku secila ka fituar nga një finale përballë njëra-tjetrës. Zv.trajneri i Dinamos, Julian Brahja, që ka provuar të veshë dy fanellat, në një prononcim për “Panorama Sport”, i ka bërë një analizë kësaj ndeshjeje që ka ngjallur shumë interes.

Brahja ne dyluftim

“E parashikoj një përballje shumë të fortë për vetë objektivat që kanë të dyja ekipet për ta fituar këtë trofe. Fitimi i Kupës së Shqipërisë është njëra rrugë që të dërgon në Europë dhe kjo bën që gara të jetë e ashpër. Duke i njohur të dyja ekipet mendoj se diferencën do ta bëjë kush ka dëshirën më të madhe për ta fituar këtë ndeshje. Laçit i duhet patjetër një fitore e më pas për të tentuar kualifikimin në Kukës”, është shprehur fillimisht Brahja, që thekson se ndonjëherë ndeshjet mes dy ekipeve e kanë kaluar rivalitetin normal.

“Laçi-Kukësi kanë zhvilluar ndeshje me rivalitet të madh gjatë këtyre viteve, ndoshta në disa ndeshje të veçanta e kanë tejkaluar masën për vetë rëndësinë që kanë pasur për arritjen e objektivave. Por, jo që ka diçka tjetër mes tyre, pasi janë dy ekipe me vlera që i kanë dhënë ton futbollit shqiptar”, ka vazhduar Brahja.

Brahja

Barazia – Për ish-qendërmbrojtësin që tashmë i ka hyrë rrugës së trajningut në ndeshjet e Kupës, nuk ka skuadra favorite. “Nuk mund të them se cila nga skuadrat mund të jetë më e favorizuar, duke parë se janë dy ndeshje për t’u luajtur. Kupa ka specifikë tjetër, ndryshe nga kampionati.

Brahja2

Sa i përket parashikimit se kush shkon në finale është e vështirë ta thuash pa u luajtur ndeshja e parë. Kukësi ndoshta është pak më i qetë në renditjen e kampionatit, pasi ka një shkëputje me vendin e tretë dhe do mundohet ta menaxhojë mirë ndeshjen në Laç, pa harruar që takimi i dytë luhet në Kukës, që i jep një avantazh të lehtë verilindorëve, gjithsesi të dyja kanë shanse të barabarta. Uroj të jetë një ndeshje e bukur dhe ‘fair play’, dhe të fitojë më i miri”, ka përfunduar Brahja.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura