Braçe për Ben Blushin: S’i lë shokët në mes të një beteje

Apr 27, 2015 | 14:40
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Grupit të PS-së, Erion Braçe, në një shkrim në faqen e Facebook, i ka dhënë përgjigje debatit të nisur nga socialisti Ben Blushi për “funeralin e Rilindjes”.

Erion Braçe

Braçe sqaron se atij i intereson e majta dhe pavarësisht se respekton mendimin e çdo kujt, sipas tij, kurrë nuk do t’i lejonte vetes të përçante këtë grup qëllimisht. Sipas socialistit, partia duhet të riorganizohet, mobilizohet dhe duhet të ketë mbledhje të përhershme të forumeve.

“Nuk ka diskutim që Partia kërkon riorganizim, mobilizim, përtëritje, përfshirje, zgjerim, pjesëmarrje, solidaritet, kujdes, debat, propozime, votim; as që e çoj në mendje në duhen mbledhur forumet apo jo. Ky duhet të jetë organizmi i një partie, i përditshëm. Dhe thënë këtë po ua jap një përgjigje: Unë kurrë nuk do t’i lija shokët në mes të një beteje, s’e bëj dot, s’do ishte e drejtë, as e ndershme. Këtë nuk e them sot, nuk kam asnjë arsye që të më lidhë me të sotmen”, shkruan Braçe.

ERION BRAÇE

Përgjigje? Për të Majtën po, për llafe jo!! Po shoh se thuajse e gjithë media e shkruar, me vullnet të lirë e liri të keqpërdorur (si shpesh), më ka vendosur përballë një kolegu, deputet i PS. Nuk habitem!! Çdo ditë, nga e hëna e kësaj e jave e në vijim, ka pasur një përpjekje të sforcuar për t’i vënë deputetët e PS në ndjekje apo përballë asaj që ishte shkruar në gazetën “Panorama”.

Për mua nisi të hënën, pak para mbledhjes së Grupit me pyetjen: Çfarë mendon ti për “funeralin e Rilindjes”? Natyrisht që nuk u përgjigja dhe s’e kam bërë as dje dhe jo vetëm për shkak se e shoh të tepërt të bëhem pjesë në debatin: “kutia është ambalazh apo ambalazhi është dhe kuti!!” Jo! Për arsye tjetër. Unë mendoj se çdokush ndër deputetët e PS, si çdo qytetar xhanëm, ka të drejtë të ketë mendimin e tij, ta shprehë atë lirisht, në forume e në publik. Duhet të jetë i lirë dhe i mbrojtur në këtë të drejtë, i pa sulmuar dhe i pa relativizuar. Por, kjo vlen për të gjithë nëse flasim për një grup parlamentar.

Unë për vete, nuk do t’ia lejoja kurrë vetes ta ndaja këtë grup qëllimisht, ta bëja dysh e pastaj të etiketoja për të sulmuar, shpërfillur, përçmuar, goditur, rrëzuar secilën prej dy gjysmave e çdokënd që kam listuar në to. Ta vendosja veten mbi kolegët e mi as që e çoj ndërmend. Mimozë, kjo nuk më bën “sehirist”, por të barabartë dhe etik në një familje si kjo ku bëj pjesë. Ndaj duke ju përgjigjur çdo rreshti të gazetave të sotme po e përsëris: Nuk i jam përgjigjur kërkujt dje, asnjë kolegu, për arsyet e mësipërme por edhe për shkak se nuk kam as kohë e as dëshirë, nuk është puna ime të merrem me llafe!! Kur shkruaj për zonën time thjesht promovoj atë zonë, ata njerëz, atë punë e atë produkt nga puna që më pëlqen pafund.

Dhe në atë zonë, unë nuk “vërej” Aristir; unë nuk jam vëzhgues në zonë, unë jam deputet atje, punoj atje, kam një kontratë pune me ata njerëz dhe mundohem ta përmbush. Në anën tjetër, nëse dikush është i interesuar që të dëgjojë mendimin tim, padiskutim që do i përgjigjem, por jo për sa më lart dhe asfare për kolegët e mi; PER PARTINE DHE PER TE MAJTEN PO! PER LLAFE JO!

Nuk ka diskutim që Partia kërkon riorganizim, mobilizim, përtëritje, përfshirje, zgjerim, pjesëmarrje, solidaritet, kujdes, debat, propozime, votim; as që e çoj në mendje në duhen mbledhur forumet apo jo. Ky duhet të jetë organizmi i një partie, i përditshëm. Dhe thënë këtë po ua jap një përgjigje: Unë kurrë nuk do t’i lija shokët në mes të një beteje, s’e bëj dot, s’do ishte e drejtë, as e ndershme. Këtë nuk e them sot, nuk kam asnjë arsye që të më lidhë me të sotmen.

Kjo është parimore dhe këtë e kam thënë qysh herët. Nuk ka lidhje me luftën për pushtet edhe në parti (normale dhe nëpër parti), por me funksionimin e saj. As që më intereson e para, nuk është interesi im (nuk e kam bërë as në 2000-n, kur partia u hap mu si sot, ndaj atyre që sot delegjitimojnë atë që u hapi rrugën vetë atyre vite më parë); më intereson e dyta, për aq sa politikën e shoh si shërbim publik dhe partinë si një instrument për këtë.

Më intereson E MAJTA!! Për të flasim kur të doni, për të ju jap përgjigje në çdo kohë sepse është thelbi, është përmbajtje. Kur dje thashë se jam socialist, nuk e bëra për të sulmuar kënd. E bëra për t’ju ftuar në atë që përbën interes.

Interes nga ky kënd, nga e Majta, është ekonomia, zhvillimi dhe rritja e saj bashkë me njerëzit, sipërmarrësit dhe punëtorët, liria e tyre, aksesi në burimet natyrore dhe liria për të marrë pjesë në transaksionet në treg, thyerja e monopoleve dhe demokratizimi i ekonomisë, përfshirë një reformë të thellë në menaxhimin e pasurisë natyrore kombëtare, që sot ende është nën kontratat e kufizuara dhe ekskluzive që na la mu aty Sali Berisha; nuk ka më justifikim, nga kontrata të tilla në naftë, krom, bakër, energji nuk po fiton edhe publiku, por vetëm një grusht kompanish. Interes nga ky kënd, nga e Majta, është prodhimi i përgjithshëm kombëtar, rritja e tij dhe përfitimi publik prej tij;

Ekonomia po del pak nga pak nga ngërçi, vjet ishte viti i parë me rritje dhe mbi 1%, por ne duhet të adresojmë shqetësimin e madh që sjell në vëmendje faktin se rritja po shkon sërish në një grusht sektorësh dhe kompanish-bankash, telefonia, nafta etj; prandaj edhe dje i mëshova fort bujqësisë e turizmit, sa më shumë të rriten ato, aq më i gjerë do jetë përfitimi ndër qytetarë. Interes nga ky kënd, nga e Majta, është taksimi; kemi vendosur tatimin progresiv të të ardhurave dhe askush nuk e përmend këtë si fakt, instrument që ka lënë më shumë të ardhura nga puna pas taksave te punëtorët, mësuesit, edukatorët, mjekët, infermierët, nëpunësit, policët, ushtarakët, zjarrfikësit etj.

Por nuk e kemi vendosur plotësisht këtë regjim mbi përfitimet nga sipërmarrja, veçanërisht ajo që vijon të jetë me normë të lartë fitimi, por edhe mbi përfitimet e tjera nga qiratë, depozitat, aksionet, dividentet; sot debati jo vetëm në të majtë është tamam këtu, te pabarazia që po thellohet nga normat e larta të përfitimit nga kapitali, qiratë, depozitat, aksionet, dividentet në raport me të ardhurat nga puna.

Interes nga ky kënd, nga e Majta, është puna; puna si e drejtë themelore e njeriut e jo më si një nga elementet e tregut, e mbrojtur dhe e paguar realisht; kemi bërë përpara në legalizimin e punës, mbrojtur dhe me sigurimet ligjore, por s’kemi për gjithçka që mundemi; duhet të hapim një debat të gjerë për pagën minimale për punëtoret, rritjen dhe mbrojtjen e saj me ligj.

Interes nga ky kënd, nga e Majta, është arsimi; kemi bërë edhe këtu shumë kur gjithçka që kishte me edukimin ishte kthyer në biznes matrapazësh, shumica banale, që shkatërruan sistemin; unë nuk e fsheh, jam tërësisht i interesuar për arsimin publik; shkoj dhe më tej edhe pse ky është mendimi im personal që vjen prej bindjeve të mia: duhet të hedhim hapat e duhur për të mbuluar nga taksimi i përgjithshëm shkollimin e lartë të të rinjve dhe mbuluar një më një shpenzimet e drejta e ligjore, pra pa korrupsionin që gëlon të universiteteve publike.

Interes nga ky kënd, nga e Majta, është shëndetësia; e di që ka pakënaqësi dhe zhurma e saj mbyt tërësisht efektin e asaj që po bëhet mirë në këtë sektor; me barnat që janë më shumë e që kushtojnë më lirë; me kontrollin falas si hap i parë drejt mbulimit universal; përtej asaj që thërret Berisha, ai për vete e bën këtë kontroll aq sa shpesh më duket se po mbron interesat e biznesit privat në shëndetësi, reklama e të cilit për këtë kontroll buçet me shifrat marramendëse që duhet të paguash.

Interes nga ky kënd, nga e Majta, është skema e solidaritetit social; kemi larguar para, shuma që kishin mbytur qartë të varfrit, duke i nxjerrë jashtë skeme; por ka ende shumë të varfër aty jashtë saj, të pambrojtur e pa shërbime; duhet reformë e plotë në këtë skemë, duhet të jetë më e gjerë dhe konkrete, duke përfshirë pagesat për ushqimin bazë, shëndetin përfshirë vaksinimin, arsimimin gjithashtu.

Interes nga ky kënd, nga e Majta, është korrupsioni, konflikti i interesave dhe përfitimet e paligjshme; kam folur herët për këtë dhe ndarja e politikës nga biznesi është thelbi; do bëj më shumë politikanë të flasin për sa më sipër sepse çështjet e mësipërme prekin tërësisht interesa biznesi, ndaj debati shkon te “kutia si ambalazh dhe ambalazhi si kuti” Janë shumë çështjet për të cilat duhet të flasim.

Dhe Qeveria kurrë nuk e ka fshehur dëshirën, përpjekjen, veprimin në përballje me to!! Ia ka dalë?! Ta arrijmë bashkë ndryshimin përmes tyre, kështu vlen dhe për çdo qytetar, me të cilin jemi nën kontratë!! Unë vazhdoj të besoj te e Majta punëtore!!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura