Braçe: Berisha do të na arrestojë

Jul 7, 2012 | 14:03
SHPËRNDAJE
Erjon Braçe

Partia Socialiste ka reaguar dje ashpër pas depozitimit në Parlament të nismës së maxhorancës për ndryshimin e Kushtetutës. Ai i quajti amendamentet si grusht shteti dhe bëri thirrje për rrëzimin e tyre. “Sali Berisha tenton ‘grusht shteti’ në Kuvend. Propozon ndryshime kushtetuese dhe i jep të drejtë vetes tashmë: të arrestojë deputetë të Kuvendit, me votim të hapur të maxhorancës së tij politike në Kuvend. Nëse këto ndryshime miratohen, atëherë nuk ka më Kuvend. Nuk ka më as demokraci”, thuhet në deklaratën e Braçes. Sipas tij, “ka vetëm një parti që ka Presidentin – që emëron prokurorin dhe gjykatësit e lartë (këta akuzojnë dhe gjykojnë deputetët); ka Kryeministrin – që emëron ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Policisë së Shtetit (ky është organi që ekzekuton urdhër arrestet); ka kryetarin e Kuvendit – që drejton maxhorancën politike (kjo shumicë lejon arrestimin me votë të hapur në kuvend). Kjo është skema e grushtit të shtetit qyshkur partia u bë njësh me shtetin. Kjo duhet të ndalet me çdo kusht. Ndryshe nuk ka më demokraci e parlamentarizëm”.
Interpretimi i draftit
Duke u ndalur në interpretimin e dy prej propozimeve të draftit të paraqitur nga maxhoranca, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist thotë se më parë kërkohej leja e Kuvendit për heqjen e imunitetit, ndërsa tani procedimi penal mund të bëhet pa leje dhe e njëjta gjë ndodh edhe për arrestimin. “Shihini ndryshimet në nene: deputeti nuk mund të ndiqej penalisht e as të arrestohej pa leje të Kuvendit. Kërkohej që: leja e Kuvendit për procedimin penal të shfuqizohej për veprat penale të korrupsionit. PD heq: lejen e Kuvendit për procedim penal pa kufi; lejen për arrestimin e deputetit po përsëri pa kufi”, thekson Braçe në deklaratën e tij. Sipas deputetit socialist, “deputeti mund të arrestohej në kushtet e flagrancës, por kur Kuvendi konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos me votim të fshehtë heqjen e masës së arrestit. PD heq tërësisht: konceptin e ‘arrestit në flagrancë’, për të deputeti mund të arrestohet lirshëm kurdo; Kuvendi mund të kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm nëse vëren që cenohet rëndë funksionimi i tij; këtë e vendos maxhoranca politike me votim të hapur! Prej këtu demokracia është formale! Ky është ‘putinizmi’ dhe ky duhet luftuar”.

Berisha
“Unë e ftoj nga kjo mbledhje zotin Rama, i cili është përcaktuar në mënyrën më të përsëritur këto muajt e fundit të mos e dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të PS që mbron pasuritë e tij dhe aspak interesat e qytetarëve shqiptarë. Pasuritë e tij le t’i mbrojë në mënyrë ligjore, por jo me imunitetin e të tjerëve. Të bëjë zgjidhjen zoti Rama midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që ka 20 vjet që e voton dhe robtohet pas tij dhe që është jo një, por qindra mijëra”.

Rama
Pas ftesës së Kryeministrit Sali Berisha drejtuar opozitës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, reagoi kreu i Partisë Socialiste nëpërmjet një statusi në faqen sociale “Twitter”. “Këshilli i miliarderëve në PS nuk do heqjen e imunitetit vijon KM! Ligësi e gjallë, PS ka votuar çdo heqje imuniteti unanimisht, edhe për veten”, thuhet në një tjetër mesazh të Ramës. Kreu i PS tha se Kryeministri përgojon ligësisht deputetët e Partisë Socialiste, duke theksuar se është gënjeshtër që heqjen e imunitetit e pengon Tom Doshi, pasi sipas Ramës, Doshi është pa imunitet me votën e tij dhe tonën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura