Botuesit kërkojnë lehtësira për librin, Ministria e Financave s’lëshon pe

Sep 18, 2019 | 21:13
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Ditën e djeshme, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit publik mbajti seancën dëgjimore me Shoqatën e Botuesve në lidhje me problemet që shqetësojnë sektorin e librit në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi, krahas kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, dhe botuesit Gëzim Tafa, ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës (Edlira Dani, drejtore në Drejtorinë e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator si dhe Kozeta Angjeliu, drejtore e Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit të Kulturës).

70509684_2317703458489905_7367825974617964544_n

Ndërsa nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë u përgjigj për problematikat e nxjerra në pah nga botuesit, drejtori i Përgjithshëm, Nikolla Lera. E pranishme  gjatë debatit, ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ndër pikat shqetësuese që prekin palët e interesit, vuri theksin mbi TVSH-në e shitjes së librit, të rritur me 6% në 31 dhjetor të vitit që lamë pas, pa asnjë konsultim paraprak. Një hap i tillë kishte krijuar shqetësim për librarët, veçanërisht për mungesën e sqarimit në lidhje me stokun. Po ashtu, Kryetari i Shoqatës kërkoi ulje të tatimit mbi 15 % në burim, për punën krijuese.

Diçka e tillë, sipas tij, është një domosdoshmëri edhe për faktin e të ardhurave modeste të personave që preken nga ky ligj, dhe mungesën e mbështetjes dhe stimulimit nga ana e shtetit. Lidhur me uljen e taksave u përgjigj drejtori i Përgjithshëm i MFE, i cili tha se nuk do të ketë asnjë ulje të tatimeve mbi librin. “Nëse ne fillojmë e japim stimuj fiskalë për librin, do kërkojnë edhe sektorët e tjerë”, tha Lera. Për sa i përket kërkesës së Shoqatës, që 5 kopjet e botimeve të reja që dorëzonin falas në Bibliotekën Kombëtare, të reduktoheshin në 1, siç ndodh më së shumti në vendet Perëndimore, u përgjigj përfaqësuesja e MK-së.

70635444_559359768134736_3634817302047752192_n

Dani bëri me dije se shtëpitë botuese do të duhet t’i dorëzojnë 3 kopje BK-së dhe dy kopje bibliotekave publike. Diçka e tillë nuk u prit mirë nga Ymeri, i cili tha se nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre, do t’i drejtohen Strasburgut. “Nuk pranojmë në asnjë mënyrë! Bëni rishikimin që të mos shkojmë nëpër Gjykata Kushtetuese apo në Gjykatën e Strasburgut, e mandej të kërkojmë të na paguani 5 kopjet e 30 viteve me radhë.

Ky quhet shpronësim! Ju që jeni juriste, duhet ta dini mirë se ç’do të thotë kjo fjalë. Pasi po diskutojmë për pasurinë private të shtëpive botuese, që shteti nuk ka asnjë të drejtë t’ia marrë duke përdorur dhunën e ligjit”, u shpreh Ymeri. Kryetari i Shoqatës së Botuesve foli gjithashtu për mungesën e informimit dhe të transparencës për atë çka po ndodh me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL ka për synim të ndjekë dhe zbatojë projektet në fushën e librit sipas programit qeverisës të ministrisë përgjegjëse për librin).

70510195_467524187168860_4138670768923869184_n

“Kemi një vit që presim të hapet Qendra Kombëtare e Librit, ende s’e dimë pse nuk është hapur”, tha Ymeri. Përfaqësueset e MK-së u shprehën se në këtë rast flitet për politika, të cilat janë në vijim. “QKLL është në fazë implementimi, shumë shpejt do të përfundojë”, tha Dani. (Në këtë pikë nuk mungoi as ndërhyrja e ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila vuri në dyshim interesin e botuesit Ymeri për QKLL (pasi, sipas saj, nëse kështu do të ishte Kryetari i Shoqatës ndoshta do të kishte kontribuuar edhe financiarisht). Përfaqësueset e MK-së theksuan faktin se gjatë këtyre viteve ky institucion ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të pasur tatime minimale mbi librin. “Kemi qenë gjithmonë të predispozuar për të implementuar lehtësira, MK ka dhënë kontributin e saj për atë çka në dorë në fushën e librit, por disa pika e tejkalojnë kompetencat. MK ka kërkuar një çlirim në zero, si të procesit të librit, ashtu edhe shitjes së tij”, tha ndër të tjera Dani.

Ministria e Financave përgjigjet për librin, kërkesat mbeten të paplotësuara

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Nikolla Lera, u përgjigj dje lidhur me kërkesat që paraqiti Shoqata e Botuesve për librin. Sipas tij, “çmimi i shitjes së librit që do t’i faturohet konsumatorit, mbetet më e vogël se 20%-shi që prodhuesit paguajnë në blerjen e imputeve të tyre për prodhimin e librit”. Ndryshe nga librarët, që pas vendimit për të rritur me 6% tatimin në shitje, u shprehën se kjo do të shpjerë në rritjen e çmimit të librit, Lera u tha: “Nuk ka asnjë arsye që çmimi i librit të rritet”, madje, sipas tij, duhet të ulet.

Për sa u përket thirrjeve të shpeshta publike të librarëve për t’u sqaruar nga Ministria e Financave në lidhje me atë që do të ndodhte me stokun (ka pasur paqartësi nga ana e tyre nëse shtesa e TVSH-së duhet të aplikohej edhe mbi librat stok, çka sjell humbje të konsiderueshme për ta) përgjigjja publike e MFE-së, 9 muaj pas ndryshimeve në ligj, përmes Lerës, është: “Problemi i pazgjidhshëm lidhur me ligjin e datës 31 dhjetor ishte stoku. Por në të gjitha rastet kur ka ndryshime ligjore, është e pamundur të zgjidhen të gjitha çështjet e stokut, sepse ne nuk kishim as mundësi fizike e as teorike që të bënim inventarizimin e çdo botimi, në çdo cep të Shqipërisë brenda një periudhe të shkurtër. Pra, ajo ishte një fazë që nuk mund të rregullohej.

69638124_481732386031864_5759379216395141120_n

Sipas Lerës, rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar me 6%, aplikohet edhe në vendet e tjera të BE-së. “Ne e kishim të përjashtuar dhe nga tarifa e reduktuar, që varion nga 4-9 %, e ne zgjodhëm 6%. Nuk më duket e pranueshme që të shkojmë te tarifa 0%. Pse duhet ta bëjmë këtë?

A do të shumëfishohen shitjet po e ulëm me 6% çmimin e shitjes së librit? Duhet të jenë mekanizma të tjera ato që stimulojnë shitjet e librit e jo thjesht stimuj fiskalë”, tha Lera. Një hap i tillë për lehtësimin e taksave për librin, sipas drejtorit të përgjithshëm të MFE, nuk mund të ndërmerrej, pasi do të ndikonte edhe te sektorët e tjerë. “Nëse ne fillojmë e japim stimuj fiskalë për librin, do kërkojnë edhe sektorët e tjerë si bujqësia, infrastruktura, arsimi etj., që në kuadrin e uljes së barrës së tyre fiskale do të shohin si rrugë heqjen e tatimeve të cilat kanë pasoja në financat publike të këtij vendi. Nuk gjykoj se 6 % tarifë e reduktuar është ajo që do zgjidhë çështjen e librit”, tha ai.

Edhe për tatimin me 15% për punën krijuese, Lera e bëri të qartë se nuk do të ketë lehtësira. “Ne kemi kërkesa pa fund. Një intelektual thotë që pse të paguaj unë 23% të pagesës, se bëj punë intelektuale. Një punonjës i mesëm thotë se pse duhet të paguaj 13% tatim mbi pagën”, tha ai, duke theksuar se të tilla ulje do të cenonin buxhetin e shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura