Botohet pas vdekjes “Alfabeti i tranzicionit” i Gilman Bakallit

Oct 11, 2017 | 9:29
SHPËRNDAJE

Së sallën Aula Magnat të Universitetit Europian të Tiranës, dje pasdite, nuk kishte asnjë mungesë! Edhe autori i librit që po promovohej “Alfabeti i tranzicionit”, ishte aty!

uet

Gilman Bakalli ishte aty me mendime, te të gjithë. Ishte në sytë e së shoqes, Irena Bakalli, në mendjet e studentëve dhe në projektet e botuesit të “Uet Press”, Henri Çilit. Ky është libri i parë që mban autorësinë e tij, e të cilin, ndoshta, do ta kishte botuar njësoj vetë, por sot e bëri këtë Irena, e vetme, njësoj sikur Gilmani të kishte qenë aty, me të, duke shkëmbyer mendimet, siç bënin gjithmonë.

“Nuk do të doja të isha këtu bashkë me ju, as nuk mund të them që ndihem e lumtur, thjesht po mësoj të bëj kompromise në kërkim të një ekuilibri të humbur. Si qenie egoiste që jemi, mund të them që kjo është një ndër arsyet, sigurisht jo e vetmja, që më ka nxitur të jem pjesë aktive, ndonjëherë edhe e bezdisshme për bashkëpunëtorët, në realizimin e botimit të këtij libri dhe do vazhdoj të jem edhe për botimet e tjera të mundshme. Nuk e di se si dhe se kur do ta kishte realizuar botimin e këtij libri Gilmani. Në mungesë të luksit për të marrë vendime bashkë, më duhet të vendosja vetëm. Kjo është lehtësia e papërballueshme e të vendosurit vetëm. Dëshiroj shumë që Gilmani të m’i aprovojë vendimet e mia dhe duke e njohur mirë, jam e bindur për këtë. Ju falënderoj!”

uet1

Irena nuk i ka të shumta fjalët që do të ndajë me të tjerët dhe kjo nuk ndodh vetëm sepse ca kujtime, kur njeriu i dashur nuk jeton më, nuk janë aq të lehta për t’u ndarë, Jo! Ajo është e tillë, e tërhequr, krejt e kundërta e të shoqit, por aq e zonja për ta nxitur e mbështetur atë në të gjitha vendimet e veprimet që bënte. Prandaj edhe Irena Bakalli u kënaq duke dëgjuar të tjerët, kolegë e miq të të shoqit, që ishin në këtë përvjetor të parë të largimit të tij nga jeta, për ta kujtuar me një libër.

“Gilman Bakalli ishte dhe mbeti profesori ideal, ai arketip, që shërben të krijojë strukturat ose kolektivat universitare si struktura elitare të shoqërisë. Kishte një formim universitar të kompletuar, edhe pse në dukje eklektik: me një profesion të ri në shkencat e komunikimit, duke ardhur nga linguistika, pas studimeve të mëparshme në shkencat gjeologjike. Me metodën e tij të kërkimit filozofik, nëpërmjet dialogut, ai ishte një sokratian, sokratian në kuptimin e njohjes së thellë të filozofisë e të njohjes së kulturës në tërësi. Ashtu si filozofi i Athinës, ai kërkonte “të nxirrte” nga studenti ato mendime që janë krejt personale, ndryshe nga ata që duan t’u imponojnë pikëpamjet e tyre të tjerëve, me anën e retorikës dhe artit të bindjes. Si pjesë integrale të kësaj metode, ai përdorte batutat e shkurtra dhe të mprehta”, shkruan në pasthënien e librit botuesi Henri Çili.

Sipas tij, Bakalli ishte një profesor i përsosur, profesor frymëzues, profesor, i cili për studentët është një frymëzim me një mënyrë për t’iu qasur botës në një formë të re, përtej skolastikës, përtej funksionalizmit, përtej lidhjeve të akademisë me tregun e punës.

libri

“Më kujtohen shumë prej hipotezave të tij, një nga të cilat në lidhje me tregun e punës: “dija në vetvete që nuk ka nevojë për lidhje me tregun e punës dhe, pa pasur nevojë për lidhje me botën praktike, e lidh studentin master shumë më tepër me botën e punës sepse i krijon një overview të përgjithshëm mbi botën”.

Ai ishte i mbrujtur me tiparet e një njeriu që kishte lexuar e që kishte përkthyer e që vazhdonte të lexonte pafundësisht e të përkthente; komunikimi me të, ishte një kënaqësi më vete”.

Ai kujton bisedat me Gilman Bakallin, të cilat ishin gjithnjë të gjalla, konceptuale e të strukturuara, duke krijuar kështu nocione të reja e mënyra të reja për vështrimin e botës. “Si bashkëbisedues i kulturuar, ai mund të konsiderohet një mendje e bukur, një mendje e pajisur me atë dije, që përbën bazën për një profesor sui generis, të dashur nga studentët dhe kolegët”, shkruan Çili.

I – Intelektual Moralist i angazhuar politikisht

GILMAN BAKALLI

….Çfarë duhet të bëjë intelektuali? Të mbajë distancë nga ngjarjet politiko-sociale? Apo të pozicionohet qartazi? Sociologu francez Pierre Bourdieu përmend dy premisa që duhet të përmbushë një intelektual për të qenë i tillë. Ai duhet, së pari, t’i përkasë një fushe autonome (d.m.th. të pavarur nga ekonomia dhe politika) të dijes e të kulturës.

Gilman-BAKALLI

Dhe, së dyti, duhet t’i aplikojë në një situatë konkrete politiko-sociale dijet e fituara në lëmin e tij. Të jesh intelektual nuk do të thotë, pra, thjesht të dalësh në publik dhe të marrësh një pozicion moralist apo të nënshkruash një listë prej 10 a 20 intelektualësh pro një lëvizjeje politike apo në mbrojtje të një grupi të caktuar social.

Për sa i takon pozicionimit të intelektualit ka dy linja argumentimi: për disa, intelektuali konfirmohet si i tillë vetëm nëpërmjet angazhimit të tij në politikë, si mbrojtës i çështjeve sociale, qofshin këta mbrojtja e të drejtave të grave, homoseksualëve, të pastrehëve apo të papunëve. Kurse për disa të tjerë, vlera e intelektualit matet me aftësinë e tij për reflektim kritik, matet me distancën e tij relative ndaj sferës së politikës dhe ekonomisë. Këta të fundit shohin tek autonomia e intelektualit ndaj politikës kushtin themelor për krijimin e një dijeje të pakorruptuar.

Kjo ide qëndron edhe në themel të parimit të pavarësisë dhe autonomisë së universiteteve. Mirëpo duke qenë se universitetet tona janë kthyer në qendra arsimore ku mbisundon logjika ekonomike, ata janë zbehur në rolin e tyre si qendra të prodhimit të mirëfilltë intelektual.

Kjo i ka hapur rrugë triumfit të tipit të intelektualit si moralist i angazhuar politikisht. Sot, vendin e analizës dhe kritikës intelektuale të shoqërisë e ka zënë një diskurs moral, i cili përqendrohet kryesisht tek dallimi midis së mirës e të keqes. Dialektika komplekse hegeliane e zotërisë dhe shërbëtorit, e cila ka inspiruar gjenerata të tëra intelektualësh francezë, gjermanë e amerikanë është zëvendësuar nga një dualitet i ngurtë, asimetrik e moralist midis fajtorit dhe viktimës. Aktualisht, çdo diskutim publik rreket të gjejë se kush është fajtori dhe cila është viktima.

Pjesa tjetër është e qartë: fajtori duhet demonizuar e dënuar, viktima duhet simpatizuar e vajtuar. Qysh me J’accuse…! të Emile Zolá, intelektuali është instanca, në të cilën pritet të ndahet shapi nga sheqeri duke përcaktuar se ç’është e mira dhe e keqja dhe kush është fajtori e cila është viktima. Ky imazh i intelektualit si përfaqësues i vetëdijes së kombit kërkon që intelektuali, artisti apo shkrimtari të shfaqin përgjegjshmëri të lartë ndaj realitetit. Në fakt, për një cilësi të tillë, nuk duhet të jesh doemos intelektual; mjafton vullneti i mirë.

Sigurisht atëherë që aty ku ndodh një padrejtësi, intelektuali, bashkë me të tjerë, mund të ngrejë zërin; sigurisht që intelektualë të shquar mund të ofrojnë emrin e tyre për të mbështetur fushata sensibilizuese apo aksione të shoqërisë civile. Në këto raste ama, intelektualët nuk ndryshojnë edhe aq nga sportistë të suksesshëm, biznesmenë të njohur, politikanë me popullaritet apo “yje” televizive.

E padurueshme është situata kur, nuk është kompetenca intelektuale ajo që dominon hapë- sirën publike, por gishti moralizues. Fakti që në Shqipëri as artistët, shkrimtarët apo shkencëtarët nuk ia kanë dalë të shfaqen në publik si intelektualë të mirëfilltë, por vetëm me gjeste moralizuese, ka krijuar një situatë në të cilën nuk gjykohet më, por paragjykohet, nuk ka analizë, por rrëfime emocionale.

Pareshtur dalin njëra pas tjetrës figura publike, të cilat janë të zemëruara, të indinjuara, të turpëruara, që fyejnë dikë, akuzojnë një grup apo kërkojnë dorëheqjen e dikujt. Angazhim apo distancim atëherë? Intelektuali që bëhet këshilltar i kryeministrit, bashkë me nuhatjen e tij politike, dëshmon edhe shpirtin e tij të korruptueshëm. Pa asnjë hezitim duhet të konsiderojmë intelektual atë individ që i reziston tundimit të pushtetit e praktikës. Pjesa tjetër janë moralistë penetrues dhe protagonistë mediatikë. E mira do ishte që këta të fundit të heshtnin.

(Shkëputur nga libri “Alfabeti i tranzicionit”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura