Botohen kujtimet e Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Rostand”

Nov 14, 2014 | 9:29
SHPËRNDAJE

Botimet “Onufri” sjellin librin më të fundit të shkrimtarit

Që nga fëmijëria te problemet e ditës, shkruar pas largimit në Paris.

I ulur në këndin e tij të zakonshëm në kafe “Rostand”, përballë shtëpisë së tij në Paris, i kalon përpara syve gjithë jeta e tij.
Parisi i nxit kujtimet. “Mëngjeset në Kafe Rostand- Motive të Parisit” është libri më i ri i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i sapodalë nga botimi nga shtëpia botuese “Onufri”. Qysh në ditën e parë të daljes së librit në stendën “Onufri” në Panairin e Librit “Tirana 2014”, lexuesit nxituan të marrin në duar atë ç’ka shkruar më së fundi Kadare, pretendenti shqiptar i “Nobelit”. “Mëngjeset në Kafe Rostand” është një përmbledhje kujtimesh, letrash, sinopsesh, shënimesh, portretesh, që shkrimtari i madh i ka hedhur në letër, duke nisur prej ikjes së tij nga Shqipëria, në Francë, deri në muajt e fundit. “Ideja për të shkruar diçka për kafe ‘Rostand’ më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që, duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ke pasur, ose ty të duket se nuk e ke pasur, vëmendjen e duhur. Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë”, shkruan Kadare. Por, ndonëse një homazh Parisit, si shumë artistë të mëdhenj i kanë dedikuar në veprat e tyre letrare apo edhe në artet pamore, Kadare i jep këtij këndi një ngjyrim tërësisht shqiptar. Edhe pse ai është në tavolinën e tij, në kafenë parisiane, mendimet e çojnë në Shqipëri, e ngjisin kalldrëmeve të Gjirokastrës, Sokakut të të Marrëve, në shtëpinë e madhe të Kadarenjve, ku ende dëgjon kërcitjen e drurëve. Aty janë gjithë njerëzit e tij… pastaj vjen rritja, letërsia, njohja me shkrimtarët më të njohur shqiptarë, ata që kishin jetuar edhe Mbretërinë e ngjallnin një lloj kërshërie, për të vijuar me studimet në Moskë, shokët e klasës… Është një udhëtim përgjatë jetës së tij, prej fëmijërisë, deri sot. Nuk mungojnë edhe portrete poetësh, mes të cilëve edhe ai i Frederik Reshpjes, udhëtimin e jetës së të cilit Kadare e jep përmes “Një prill për Fredin”. Por jo vetëm kaq. Në çdo kohë, në çdo rrethanë, Kadare ka treguar se nuk është indiferent karshi asaj çka ndodh në Shqipëri. Të parat janë mediat, që nxitojnë t’i marrin një mendim pas çdo ngjarjeje… ndërkohë që edhe vetë ai e ka thënë të vetën, ashtu si di ai, përmes veprës. Do vite më parë ka thënë se nuk do të shkruajë më letërsi, por çdo vepër që ka nxjerrë qysh atëherë, mund të lexohet me të njëjtën ëndje, si edhe çdo vepër e tij artistike. Në këtë botim të fundit ka mendime të tij për marrëdhënien e Shqipërisë me botën arabe, Ballkanin, Kosovën, Serbinë… Mes faqeve gjen edhe raportin e tij me diktaturën, ndalimet dhe censurimet e librave. Ato vijnë në formën e rrëfimeve, ndërsa një analizë e mirëfilltë, apo “autopsi” politike, por edhe tekstuale, nga ana e autorit është ajo e një dite mbledhjeje në Byronë Politike. Por nuk është një ditë dosido. Në të do të varej fati i Shqipërisë, në drejtim të hapjes me Perëndimin. Është dita e “shansit gjerman”. Një procesverbal i një mbledhjeje byroje, në dukje tërësisht banale, i parë me një distancë kohore, tregon lehtësinë dhe sharlatanizmin, me të cilin diskutohej një çështje e tillë, aq jetësore…

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura