Bota përtej ‘Dhomës’, romani tronditës i Emma Donoghue

Jul 18, 2017 | 10:16
SHPËRNDAJE

Bota nuk është ajo që na rrok syri. Bota mund të ketë përmasat e një dhome të vetme, nëse nuk ke parë edhe dhomat e tjera, nëse nuk ke dalë jashtë në oborr, në lagje, në qytet, në një qytet tjetër, në një shtet tjetër. Për Xhekun, dhoma, dollapi, lavamani… ishte e gjithë bota e tij dhe përballja me idenë se jashtë kësaj bote kishte një edhe më të madhe, e bënte me dhimbje koke.

Ai ishte vetëm 5 vjeç dhe fati i kishte rezervuar të lindte dhe të rritej pikërisht brenda atyre katër mureve. Pasi është nderuar me çmime “Oscar”, pasi është shfaqur në kinematë e gjithë botës dhe nga miliona shikues, historia e 5-vjeçarit Xhek vjen në formën e një romani. Bëhet fjalë për romanin “Dhoma” (“Room”) i shkrimtares Emma Donoghue, i botuar nga shtëpia botuese “Morava”, nën përkthimin e Renato Kalemit.dhoma

Një roman që sjell jo vetëm një histori të dhimbshme, duke përshkruar dashurinë e një nëne për të birin, por mbi të gjitha është një reflektim mbi mënyrën se si e perceptojmë botën nga këndvështrime të ndryshme.

“Kur libri u realizua në një film, i cili më pas mori edhe një “Oscar” dhe u kandidua për skenarin më të mirë, ua sugjeroja gjithmonë miqve të mi. Aty nisa të lexoja edhe për autoren që e kishte shkruar, dhe jo pak herë mendoja se duhet ta sillja edhe në shqip. Por, propozimi për përkthimin e librit nga shtëpia botuese “Morava” erdhi vetëm një vit më vonë, ishte një koincidencë e bukur. Madje, shtëpia botuese më ofroi të zgjidhja midis dy titujve, por zgjodha “Dhomën”, pa u menduar dy herë.

Që pas botimit të librit, atyre që e kanë parë filmin u them se duhet ta lexojnë me patjetër librin, e atyre që kanë lexuar librin, u them se duhet ta shohin me patjetër filmin”, shprehet përkthyesi Renato Kalemi, i cili ka sjellë në shqip po ashtu librat “Vajza e mjaltit” nga Cristina Caboni (Dituria), “Shtegu Parfumeve” nga Cristina Caboni (Dituria) apo “Rrezatimi” nga Stefen King (Pegi).

“M’u deshën rreth 5 muaj për ta përkthyer. Është një nga librat më të këndshëm që kam përkthyer ndonjëherë, i cili në 5 muaj punë më ka rrëmbyer çdo mbrëmje, sepse përkthimin të tillë e shoh: një shkëputje pasionante nga puna ime e përditshme. Ky është libri i katërti që kam përkthyer, ndërkohë që po punoj për të pestin; është roman i një autori irlandez, i cili po merr një vëmendje të madhe nga kritika europiane sot”, thotë ai, pa na treguar më shumë për projektin e ri, duke na ftuar që më parë ta shohim botën me sytë e Xhekut.

Autorja e librit “Dhoma”, Emma Donoghue
Autorja e librit “Dhoma”, Emma Donoghue

ROMANI

Romani “Dhoma” flet për Xhekun, një djalë pesëvjeçar, bota e të cilit kufizohet në një zgëq tre metra katrorë. Dhoma është vendi ku ai ka lindur dhe është rritur; aty jeton së bashku me Manë. Emma Donoghue është frymëzuar nga një histori e vërtetë, e ndodhur në Austri në vitin 2008, kur Josef Fritzl u zbulua se mbante të burgosur prej vitesh vajzën e tij, me të cilën kishte lindur edhe disa fëmijë.

Një ngjarje tronditëse, të cilën ajo e ka risjellë mjeshtërisht në librin “Dhoma”, sigurisht në një mënyrë tjetër, përmes 3 personazheve: Xhekut 5-vjeçar, Masë së tij dhe Plakut Nik. Historia rrëfehet nga këndvështrimi i Xhekut, një fëmije i cili nuk e ka ndier kurrë ngrohtësinë e rrezeve të diellit, nuk ka thithur kurrë ajër të pastër dhe sigurisht, nuk ka takuar askënd tjetër veç vetes, nënës së tij dhe plakut Nik, njeriu që ka rrëmbyer dhe përdhunon vazhdimisht Manë prej shtatë vitesh. Me vendosmërinë, zgjuarsinë dhe dashurinë e paepur të nënës, Maja i ka dhënë një jetë Xhekut.

Por, ajo e di se kaq nuk mjafton… as për të, as për të birin. Sapo Xheku mbush pesë vjeç, Maja i tregon për botën e jashtme. Por ai mendon se ato janë thjesht përralla të pavërteta; megjithatë, Maja këmbëngul se ato janë të vërteta.

Por, Xheku ende s’e rrok idenë e ekzistencës së një bote të jashtme, kështu që, kur Maja i thotë se duhet të arratisen, bota e tij bëhet copash. Ajo harton një plan të vështirë arratisjeje, i cili bazohet në trimërinë e të birit, por edhe në shumë fat. Pa e ditur se është e papërgatitur që plani të funksionojë si duhet.

libri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura