Bota e vogël, nami i madh

Sep 8, 2014 | 15:06
SHPËRNDAJE

Pushimet, sido qofshin, janë të mira edhe ashtu, pa pasur bonuse të tjera. Sigurisht që s’ka pse i refuzon kush edhe në dalçin, por ngelen prapë pushime. Nuk të qëllon dhe aq rrallë të dëgjosh njeri që si fazë parapërgatitore, në vend që të blej (nuk di) krem a këpucë a vaj ulliri, të bluaj me vete se ku mund të ishte vendi që të shkonte e këto t’ia blinin të tjerët. Jo të njohur, jo! Bujarë të rastësishëm, kundrejt të cilëve nuk do të shpëtosh (ndofta as do doje) krejt pa detyrime.
Vetëm se, të vjen përherë çudi se sa pak botë është katandisur. Sikur të ndjekin nga pas ngado që shkon. Fare pa qëllim, hë!
Kështu i ka ndodhur një aktoreje shqiptare, siç thotë vetë, e famshme. E panjohur nuk është, por edhe fama ka ca kritere. Nejse… Ajo ishte prezantuar si e tillë në një butik në Turqi, gjatë pushimeve të kësaj vere. Malli ishte imitacion nga më i miri. “Cavalli” nuk është as ndonjë firmë e shquar për diskretizëm kështu që edhe besohet… Kështu pra, preja ishte gjetur, duheshin zgjedhur vetëm ornamentet që të plotësonin pushimet e ëndrrave e të të kthenin në Tiranë me valixhet që nuk i kishe kur u nise.
Deri këtu, Ok! Por, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm të mos lërë gjurmë! Le të jetë në Turqi, se ja ku është… arnaut të tjerë ka sa të duash. Fati i qëlloi një të vojture që shkeli te i njëjti dyqan që kishte shkuar “diva” që kishte bërë kërdinë në blerje.
Vetëm se, kjo tjetra, ishte matur disa herë për të blerë një fustan që, në fund, i rrinte pak i ngushtë…
Si për ta nxitur, shitësi i kishte treguar shumëgjuhësh se një patriote e saj, aktore e madhe në vend, kishte vetëm pak orë që ishte larguar me disa çanta, ndërsa ajo, s’po vendoste dot asgjë. Tregtari nuk shpërfilli as dy rusët që shoqëronin vajzat shqiptare teksa bënin pazar dorëshpuar. Të gjithë panoramën, për të fituar pak nga fama e klientes, e kishte fiksuar në një fotografi të cilën ia kishte treguar “të vobektës”.
Ajo, sigurisht e kishte njohur sepse siç thamë, vajza nuk ishte krejt anonime. Disa role në teatër, në një mënyrë apo një tjetër, i kishte fituar. Sikur turku të mos kishte qenë aq i gojës e të kishte kursyer atë punën e rusëve, vajza do ishte edhe më e duartrokitur, por ja që, goja shpëton. Pastaj, shkon në një gojë tjetër. Sigurisht që protagonistja, këtë gjë nuk ka se si ta dijë sepse është duke sfiluar me koleksionin e ri vjeshtë-dimër të pas-verës. Mund edhe mos ta lexojë, ose të bëjë sikur të mos e kuptojë, por të jenë të vëmendshme shoqet… Të dinë ku ta bëjnë pazarin. Bota kaq është, e vogël. Fama, e madhe…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura