“Borxhi publik ende i lartë, të nisë konsolidimi”

Sep 29, 2015 | 13:30
SHPËRNDAJE

Borxhi publik mbetet ende një pikë shqetësuese për Bankën Botërore, duke pasur parasysh nivelin ku ndodhet Shqipëria. Në raportin e fundit të bërë publik dje, thuhet se edhe për vitin 2015 do të ketë rritje të borxhit, duke shkuar në 73.2 për qind.

Mbledhja e Qeverise
Mbledhja e Qeverise

“Borxhi publik parashikohet të rritet lehtë në 73.2 për qind të PBB-së në vitin 2015 nga 72.5 për qind të PBB-së në vitin 2014. Ai mbetet ende në nivele të larta dhe varet nga konsolidimi fiskal dhe rifinancimi i riskut”, thuhet në raport.

Sakaq Banka i referohet zotimit të qeverisë për të ulur nivelin e lartë të borxhit, i cili në vitin 2019 parashikohet që të shkojë në nivelin 57.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ajo që Banka nuk ka marrë parasysh në raport është mënyra si ka zgjedhur qeveria të financojë deficitin e saj.

Sipas Bankës, pjesa që kërkohet do të merret jashtë vendit, por gjasat janë që financimi të merret brenda në kushtet kur interesat kanë qenë relativisht jo të favorshme.

“Deficiti fiskal ka të ngjarë të arrijë në 5.1 për qind në vitin 2015, për shkak të vazhdimit të pagimit të detyrimeve të prapambetura nga qeveria gjatë muajve në vijim. Deficiti fiskal do të financohet kryesisht nga fondet e jashtme, përfshirë dhe investimet e huaja direkte, ndërsa pjesa e financimeve të brendshme është në rënie”, thuhet në raport.

Qeveria ka nisur dje zyrtarisht takimet me investitorët në Europë për Eurobonin, i cili maturohet në fillim të nëntorit. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se nëse do të gjendet situatë e leverdishme, atëherë emetimi mund të variojë nga 300 milionë në 500 milionë euro. Deutsche Bank dhe JP Morgan do të jenë edhe dy udhëheqëset e transaksionit.

Shqipëria del për herë të dytë në tregje pas Eurobonit të parë të marrë në vitin 2010 në vlerën 300 milionë euro. Ditëve të fundit interesi shënoi mbi 10 për qind në tregjet e kapitalit, çka mund t’i detyrojë Financat që të fokusohen tashmë në tregun e brendshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura