Borxhi 1 mld euro/ Kina do që t’i marrë Malit të Zi një port dhe një pjesë të territorit

May 5, 2021 | 21:16
SHPËRNDAJE

Kina mund t’i marrë Malit të Zi portin e Barit dhe një pjesë të territorit për të shlyer borxhin që Podgorica ka marrë nga Pekini për ndërtimin e një autostrade që kalon mespërmes vendit fqinj. Fillimisht Kina raportohet se i ka kërkuar Malit të Zi një pjesë të bregdetit, por për momentin Pekini duket se ia vënë syrin në veçanti portit më të madh në vend.

The port of Bar, view from Vrsuta mnt

Mali i Zi i ka kërkuar dy javë më parë ndihmë të BE-së të ripaguajë një hua prej 1 miliard euro që i mori Kinës për të ndërtuar pjesën e parë të një autostrade, i cili nëse nuk shlyhet sipas ekspertëve mund të çojë në falimentimin e Malit të Zi. Ky borxh iu ofrua Malit të Zi nga Pekini si “ndihmë financiare” për ndërtimin e autostradës, ashtu siç i është ofruar për një sërë projektesh të tjera infrastrukturore.

Ministri malazez i Financave Milojko Spajić i ka dërguar një letër dërguar Bankës Kineze Exim, duke kërkuar një zgjatje të periudhës së larjes së kredisë. Podgorica thotë se i duhen të pakten tre vjet për pagimin e saj.

Letra u shkrua pasi Zëvendës Kryeministri Dritan Abazovic kërkoi ndihmë nga Parlamenti Europian në mënyrë që të çlironte Malin e Zi nga dominimi i Kinës dhe Rusisë”.

Rusia deri më tani është përgjigjur duke ndaluar të gjitha fluturimet turistike në Mal të Zi dhe Banka Kineze Exim fillimisht ka rënë dakord për kërkesën e parë dhe zgjati afatin e fundit për larjen e fondeve të kredive me një muaj. Spajiç tha se kjo lëvizje i shpëtoi vendit 128 milion euro.  Sipas kushteve të kredisë, të cilën ish-qeveria e mori në 2014, Mali i Zi duhet të shlyejë këstin e tij të parë vjetor prej 67.5 milionë dollarësh këtë vit. Afati për të përfunduar pjesën e parë ndërkohë u zgjat dy herë vitin e kaluar dhe kostoja totale është rritur në 1.3 miliardë euro.

Ndërkohë, ndërtimi është duke vazhduar me një ritëm më të ngadaltë.

Autoritet kineze thonë se nëse Pekini nuk është i kënaqur me pagesës, Kina mund të kërkojë pagimin e të gjithë principalit. Kjo mund të çojë në marrjen e portit të Barit ose një pjese të territorit të Malit të Zi dhe ndoshta edhe hekurudhës që po ndërtohet. Bari është porti më i madh i Malit të Zi si dhe qendra e Komunës së Tivarit, e banuar kryesisht nga shqiptarët. Lidhja e qytetit bregdetar të Barit (Tivarit) dhe Boljares në Serbi, në kufirin me Malin e Zi, është pjesë e autostradës Beograd-Bar. Pjesa që do të kalojë përmes Malit të Zi është investimi më i madh atje, që kur vendi fqinj fitoi pavarësinë në vitin 2006. Ajo do të përfshijë rreth 165 km rrugë, 48 tunele dhe 107 ura.

“Më shumë se 90 për qind e autostradës është e ndërtuar dhe seksioni më i rëndësishëm duhet të përfundojë deri në fund të vitit. Unë gjithashtu mendoj se do të gjendet një mënyrë qëe BE të na ndihmojë me shlyerjen e borxhit”, shprehet ministri.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, e cila ka kritikuar Viola von Cramon, ka kritikuar vendimin e Bashkimit Europian për të mos e ndihmuar Malin e Zi që të shlyejë borxhin ndaj Kinës.

Ajo shprehet në një postim në Twitter, ku ka shpërndarë një intervistë të saj për median serbe “N1”, se kjo mund të çojë në atë që është parë tashmë në Greqi, që Kina të marrë si kompensim një pjesë të bregdetit në Mal të Zi. Sipas mediave serbe, borxhi i Malit të Zi ndaj Kinës është rreth një miliard dollarë.

“Nuk jam e sigurt se është një vendim i zgjuar nga ana strategjike”, shkroi anëtarja e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në Twitter. Ajo ka akuzuar presidentin aktual të Malit të Zi Milo Gjukanovic, partia e të cilit qeverisi me vendin për tri dekada, deri para pak muajsh për shkeljen e interesave kombëtare.

Kina ka financuar ndërtimin e autostradës Bar-Boljare, e cila do të lidhë Serbinë, Malin e Zi dhe Italinë, por ky projekt ka ngritur pikëpyetje serioze në Podgoricë. Sipas një sërë ekspertësh, ndërtimi i autostradës do ta çonte vendin në një situatë shumë kritike financiare nëse Mali i Zi nuk do të ishte në gjendje të shlyente kreditë e ofruara nga Kina brenda afatit të caktuar. Ata kanë paralajmëruar madje se falimentimi i shtetit është një nga skenarët më të këqij, por edhe të mundshëm.

Një sërë ekspertësh ngritën dyshime nëse Mali i Zi duhet të përfshihej në një projekt kaq ambicioz, duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe mbi të gjitha, nëse autostrada do të jetë fitimprurëse, duke pasur parasysh se kalon nëpër një terren malor pothuajse të pabanuar.

Edhe pse rreziqet janë të mëdha, presidenti Milo Gjukanoviç mbështeti jo vetëm këtë projekt por edhe investime të tjera të ngjashme që vijnë nga Kina. Në vitin 2005, në kohën e Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Gjukanoviç ishte një nga mbështetësit më të hershëm të autostradës Bar-Boljare.

Qeveria argumentoi se ky projekt do të sillte rritje ekonomike në rajonin e pazhvilluar ku do të kalojë, përmirësimin e tregtisë me Serbinë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës malazeze. I gjithë ndërtimi është planifikuar në katër faza, e para prej të cilave është një rrugë 41 kilometra e gjatë që shtrihet në veriun kodrinor të vendit fqinj dhe do të përfundojë në maj të këtij viti.

Tre fazat e tjerat do të jenë të vështira, për arsyen e thjeshtë se shteti malazez nuk mund të marrë hua shtesë, shkruan Gazeta Si.

Projekti është financuar nga banka kineze “Exim” dhe po ndërtohet nga një kompani e madhe shtetërore kineze, e cila nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi këtë mars për të përfunduar punën e papërfunduar.

Dy të tretat e punëtorëve janë kineze dhe kompania kontraktore ka lidhur një marrëveshje me Podgoricën që materialet dhe pajisjet e importuara të ndërtimit të kalojnë pa paguar tarifa shtesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura