Borrell kontaktoi mbrëmë Kurtin dhe Vuçiçin/ BE: Jemi të gatshëm për një takim në Bruksel në çdo kohë

Sep 22, 2021 | 8:20
SHPËRNDAJE

Bashkimi Europian shprehet i gatshëm që të ndërmjetësojë një takim Kosovë-Serbi, pas situatës së tensionuar mes dy vendeve, pasi kryeministri Albin Kurti, vendosi reciprocitet në targat serbe, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës.

borrell

Deklarata është bërë nga Peter Stano, zyrtar i lartë për informim nga Bashkimi Europian, kur është pyetur nga Klankosova.tv, nëse BE pritet të thërras takim urgjent mes dy palëve të dialogut.

”Ne i nxisim të dyja palët që të përdorin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë’’, është shprehur ai.

Po ashtu Stano ka thënë se nga Bashkimi Europian, janë duke punuar  në mënyrë aktive për të adresuar situatën e krijuar në të gjitha nivelet.

Ai përmendi madje që Josep Borrell ka pasur bisedë telefonike mbrëmë me kryeministrin kosovar Albin Kurtin por edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

”Përfaqësuesi i Lartë Borrell ishte në kontakt me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti mbrëmë, dhe Përfaqësuesi Special i BE -së Miroslav Lajčák është ende në Beograd duke vazhduar punën me të dyja palët”.

”Ne thamë tashmë dje se liria e lëvizjes është një gur themeli i Bashkimit Evropian. Si e tillë, ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon”.

Zyrtari i lartë thotë se Bashkimi Europian po vazhdon të monitorojë vazhdimisht situatën në terren.

”Ne u bëjnë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë”, theksohet në përgjigjen e Stanos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura