Bordi i Transparencës rriti sërish çmimet/ Një litër naftë në Shqipëri, dy herë më shumë se në Amerikë!

Aug 12, 2022 | 7:52
SHPËRNDAJE

Partia e Lirisë ka akuzuar qeverinë për vendosjen e çmimit të lartë të naftës përmes Bordit të Transparencës.

nafta

Edmond Panariti, tha dje se në Shqipëri çmimi i naftës është dyfish më i shtrenjtë se në Amerikë.

Teksa sjell një shembull, Panariti sqaron se 1 litër naftë në SHBA është më pak se 1 dollarë, ose 120 lekë. Ndërsa në vendin tonë, Bordi fiksoi çmimin prej 220 lekë litri. “Për herë të parë, 1 gallon naftë në Amerikë sot e enjte 11 gusht, u shit poshtë 4 dollarë. 1 gallon ka rreth 3,8 litra.

Pra sot, një litër naftë në tregun Amerikan është pak më shumë se 1 dollar, ose 120 lekë litri. Po sot bordi fiksoi çmimin e naftës te ne, në 220 lekë litri. Pra, rreth dyfish më shtrenjtë për shqiptarët e varfër”, shkruan Panariti.

Edhe sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka ka reaguar pas rritjes së çmimit të naftës dhe benzinës me vendim të bordit të transparencës.

Ajo shprehet se kur çmimet ulen në bursë, bordi pret disa ditë dhe vazhdon talljet duke reflektuar uljen me 1 lek ndërsa kur ato nisin të rriten, bordi bën sytë katër për të rritur direkt kostot e shitjes së karburanteve. Ish-deputetja ironizon vendimin e bordit, duke e quajtur atë proaktiv që nuk i zë gjumi për t’i grabitur shqiptarët.

“Kur çmimet e naftës, benzinës dhe gazit ulen në bursë, bordi i hajdutërisë pret 3-4 ditë dhe bën sikur reflekton uljen e tallet duke e ulur me 1 lek. Aman nëse ndodh që çmimi i karburanteve të rritet në bursë, bordi i bën sytë e veshët ketër dhe i rrit çmimet direkt me 8 lekë. Bord proaktiv, nuk ke ç’i thua, nuk i zë gjumi për t’ua futur shqiptarëve!”, shkruan Silva Caka.

RRITJA E ÇMIMIT

Bordi i Transparencës njoftoi dje çmimet e reja të karburanteve të vendosura në mbledhjen e saj të fundit, duke i rritur ato.

Sipas vendimit, nga dje në orën 18:00, deri në mbledhjen e ardhshme nafta do të shitet me jo më shumë se 221 lekë për litër, benzina me jo më shumë se 202 lekë për litër, ndërkohë që gazi do të shitet me jo më shumë se 80 lekë për litër. Këto shifra tavan, shënojnë një rritje të çmimit të naftës në treg me 5 lekë për litër, nga 216 lekë që tregtohej para vendimit.

Po ashtu, rritje pësoi edhe çmimi i benzinës, e cila u rrit me 2 lekë për litër, pasi deri përpara këtij vendimi ajo shitej në treg me 200 lekë. Në njoftimin e Bordit të Transparencës theksohet se:

“Vendimet e Bordit të Transparencës të datës 11 gusht 2022, janë si rezultat i rritjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran të datës 10.08.2022, ku benzina u rrit me + 23$/ton dhe gazoili u rrit me + 45 $/ton nga data 08.08.2022”.

Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë tërheqë vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi pasi në të kundër do të përballen me pezullim aktiviteti.

Ky institucion thekson se është në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.

Nga ana tjetër, shumë qytetarë kanë shprehur ankesat e tyre se bordi reagon me shpejtësi vetëm kur ka rritje të çmimeve në bursa, ndërsa uljet i kanë konsideruar qesharake.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura