Bordi i RTK-së ndalon emisionin e Naimit & Mihrijes, favorizon projekte më pak të ndjekura

Feb 4, 2012 | 13:57
SHPËRNDAJE

Me fillimin e këtij viti, drejtuesit e Radio Televizionit të Kosovës kanë vendosur që të mos vazhdojnë kontratën e disa projekteve në këtë televizion, mes tyre edhe emisioni shumë i shikuar ‘’Odeon’’, që udhëhiqej nga Naim Abazi dhe Mihrije Braha. Çifti i famshëm ende nuk ka reaguar në asnjë media.
Para disa ditësh është ndërprerë një nga emisionet më të shikuara në RTK, ‘’Odeon’’, që udhëhiqej nga çifti i famshëm Naim Abazi dhe Mihrije Braha. Drejtuesit e këtij televizioni kanë menduar se nuk është e drejtë që të vazhdohet kontrata për një emision (spektakël) siç është ‘’Odeon’’ me një shikueshmëri shumë të lartë dhe një publik prej 400 deri në 500 persona për çdo emision. Siç mësojmë, ky projekt i Naimit dhe Mihrijes është paguar nga 5 mijë euro për puntatë, ndërsa ka shumë emisione dhe programe të tjera, të cilat nuk kanë shumë shikueshmëri, por që bordi ua ka vazhduar kontratat, edhe pse paguhen me shuma marramendëse. Redaktori përgjegjës i këtij televizioni, këngëtari Ilir Shaqiri, e ka nënshkruar vazhdimin e kontratës, por e ka refuzuar bordi drejtues i televizionit. Për këtë çështje, çifti i njohur nuk është prononcuar në asnjë media, por ka reaguar publiku, i cili kërkon rikthimin e këtij spektakli në ekranet e RTK-së. Në anën tjetër, as drejtuesit e televizionit nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim në lidhje me ndonjë refuzim të këtyre projekteve, duke u arsyetuar me faktin se është e drejtë e tyre të vendosin se cili do të fitojë trasmetimin e cili jo. Por, harrojnë se janë paratë nga buxheti i shtetit dhe janë qytetarët e Kosovës, që vendosin se çfarë të shikojnë në ekranin për të cilin paguajnë dhe taksat. Kontrata për emisionin ‘’Odeon’’ ka zgjatur rreth 1 vit, por nuk do të vazhdojë më në këtë televizion, derisa drejtuesit të marrin ofertë nga ndonjë televizion tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura