Bordi i BB miraton dy projekte me vlerë 266 mln euro për Shqipërinë

Mar 29, 2015 | 15:59
SHPËRNDAJE

Bordi ekzekutiv i Bankës Botërore ka dhënë miratimin e tij për dy projekte të tjera për vendin tonë, me një vlerë totale prej 299.5 milionë euro. I pari në listë është ai i garancisë e bazuar në Politikat për Financat Publike, në mbështetje të një huaje komerciale.

Drejtoresha e BB në Tiranë, Tahseen Sayed

Vlera e kësaj garancie është 200 milionë euro dhe falë saj, qeveria mund të dalë të kërkojë borxh pranë investitorëve, por mund të sigurojë një interes më të ulët për shkak të mbështetjes nga BB.

“Garancia e bazuar te Politikat për Financat Publike për një hua komerciale mbështet reforma kryesore që janë kritike për Shqipërinë për të ruajtur hapësirën fiskale për rritje, dukë lejuar investime dhe ofrimin e shërbimeve sociale që lidhen me uljen e varfërisë.

Garancia do të reduktojë kostot për huamarrje të Shqipërisë, do të lehtësojë nevojat për fonde të qeverisë dhe rreziqet, si dhe do të çlirojë burime të bankave komerciale për kreditimin e sektorit privat”, tha Doerte Doemeland, kryeekonomiste në Bankën Botërore dhe Drejtuese e Projektit.

Projekti i dytë ka të bëjë me sigurinë rrugore dhe ndërhyrjen në një rrjet prej 1334 kilometrash rrugë kryesore për t’i sjellë ato në standarde.

Mbështetja e Bankës Botërore për këtë projekt është me 65.9 milionë euro, kurse totali i gjithë projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore bazuar në Rezultate është 128.47 milionë euro. Vetë qeveria shqiptare do të financojë në këtë projekt 62.57 milionë euro.

Lajmi u botua sot ne Gazeten Panorama Print 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura