“Bordet e karburanteve, mekanizma antikushtetuese”/ Eksperti i ekonomisë për Panorama TV: Shërben vetëm për të mbushur arkën e shtetit

Jan 25, 2023 | 15:45
SHPËRNDAJE

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi e konsideron bordin e transparencës së çmimit të karburanteve si një mekanizëm antikushtetues për të kontrolluar tregun vendas.

Sipas tij, funksionimi i këtyre bordeve është një mënyrë “djallëzore” për të mbushur arkën e shtetit. Në një intervistë për Panorama TV, ai tha se me anë të këtij mekanizmi, shteti dhe biznesi janë vendosur “kundër” konsumatorëve.

Zef Preçi: Janë një numër mekanizmash që rëndojnë barrën ekonomike të familjeve shqiptare. Rreth 70% të familjeve shqiptare janë të kërcënuara nga varfëria. Problemet që lidhen me mekanizmat e kontrollit të çmimeve, janë probleme serioze.

Ada Hazizolli: Si e konsideroni vendimmarrjen e bordit të transparencës?

Zef Preçi: Krijimi i bordit dhe funksionimi i tij, është një mënyrë djallëzore. Mbart përgjegjësinë e qeverisë për rregullimin e taksave dhe të ardhurave, por që nuk kanë përgjegjësi shtetërore. Ky bord shërben për të ndihmuar arkën e shtetit. Funksionimi i këtij bordi, për mendimin tim ka qenë antikushtetuese. Deri në ditët e sotme, nuk jemi njohur se kush nga kompanitë që t’i jetë imponuar vendosja e çmimit. Në çdo ekonomi janë tre palë, shteti, biznesi dhe konsumatori.

Nëse nuk ruhet balanca në treg, as shteti s’merr të ardhurat, as konsumatori nuk paguan aq sa duhet. Nëse bëhen dy palë bashkë kundër një të trete, pra shteti me biznesin kundër konsumatorit, atëherë është e dëmshme. Janë qytetarët që janë varfëruar, ka evidenca se konsumi ka prirje të ngushtohet.

Ada Hazizolli: Si mund të zgjidhet kriza e karburanteve? A është një zgjidhje heqja e taksave?

Zef Preçi: Duhet thënë që jo çdo ulje takse nuk ul çmimin fundor. Për të ulur çmimin duhet nxitur konkurrenca. Duhet parë si funksionojnë marrëdhëniet e kompanive, me shumicë me pakicë. Rama tha se do të hapë minierat e qymyrit. Ka ndonjë evidencë, ndonjë program qeveritar që të realizohet kjo? Kjo duhet thënë edhe për përpunimin e naftës. Këtu ka hapësirë për politika shtetërore që të përdorin naftën. Janë disa taksa që për mua janë parazitare, taksa e bashkisë dhe taksa e parangjyrosjes. Shkojnë afërsisht sa 20% e çmimit. Të merren një sërë politikash që merren me prodhimin vendas, me prodhimin e lëndëve alternative.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura