Bonuset e Strehimit, afat i ri për aplikimet

Jun 23, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Shtyhen deri më 30 shtator aplikimet për familjet që duan të përfitojnë nga bonuset e strehimit.

RAMA MBLEDH QEVERINE - Kryeministri, Edi Rama duke folur gjate mbledhjes se pare te qeverise e cila eshte votuar sot ne parlament me 82 vota pro dhe 55 vota kunder.

Qeveria ka ndryshuar dje vendimin për miratimin e procedurave, të kritereve dhe përparësive duke e zhvendosur me pothuajse dy muaj afatin e dorëzimit të kërkesave.

“Përjashtimisht për vitin 2016, edhe në rastet kur njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë fonde të miratuara në buxhetin e tyre për bonus strehimi, buxheti i shtetit do të përballojë deri në 50% të qirasë, ndërkohë që pjesën e mbetur e përballon qytetari që përfiton bonusin e strehimit. Bashkitë paraqesin kërkesat për bonus strehimi brenda datës 30 shtator 2016”, specifikohet në vendim.

Për përllogaritjen e bonusit të strehimit që mundësohet nga shteti merren në konsideratë të ardhurat mujore që familja siguron.

Për ta konkretizuar, nëse një familje ka 30 mijë lekë të ardhura mujore dhe i duhet të paguajë 15 mijë lekë qiranë, atëherë bonusi që ofrohet nga shteti do të jetë 6 mijë lekë. Diferencën prej 9 mijë lekësh e paguan vetë familja.

Vendimi përcakton se në të gjitha rastet mbështetja financiare që ofrohet nga shteti nuk mund të jetë më e lartë se 50 për qind e vlerës së qirasë.

Në buxhetin e miratuar për këtë vit janë vetëm 100 milionë lekë të vjetër që do të përdoren për bonuset e strehimit, që u vijnë në ndihmë familjeve të pastreha. Në radhën e përfituesve nga programi janë përfshirë emigrantët e rikthyer, punonjësit e Policisë, si dhe familjet e policëve të rënë në detyrë.

Ndërkohë prioritet do të vazhdojnë të kenë personat me aftësi të kufizuara, ata që kanë statusin e jetimit, si edhe komuniteti rom.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura