“Bombola gazi, armë e granata dore”/ Policia jep njoftimin zyrtar për operacionin në veri të Kosovës: 8 të arrestuar e 10 në kërkim! Ja sa efektivë u plagosën

Oct 13, 2021 | 18:31
SHPËRNDAJE

Policia e Kosovës ka dhënë versionin zyrtar të aksionit të sotëm në veri të vendit. Sipas bluve të vendit fqinj, qëllimi i saj ishte luftimi i kontrabandës së mallrave në disa zona.

Por situata është tensionuar në veri teksa policia thekson se aty grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar dhe kanë krijuar bllokim të rrugëve me mjete të ndryshme.

Ata kanë përdorur bombola gazi, granata dore dhe armë zjarri që të pengonin policinë. Si pasojë kanë mbetur të plagosur 10 efektivë policie me lëndime në trup, 7 prej tyre shqiptarë dhe 3 zyrtarë serb.

Në përfundim të operacionit, policia ka arrestuar 8 persona për kontrabandim mallrash dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Po ashtu janë sekuestruar dhe mallra të ndryshme të kontrabanduara me vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Njoftimi i policisë:

Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion dhe qytetarëve të asaj zone”, thuhet në njoftimin e policisë.

Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë,  është raportuar se (10) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (7) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (3) zyrtarë te nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.

“Si rezultat i veprimeve profesionale të zyrtarëve policorë deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona të dyshuar për kontrabandim me mallra, dhe (10) persona tjerë të dyshuar janë shpallur në kërkim policor.Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, thekson më tej policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura