Bomba në makinën e biznesmenit Suli, në pranga 2 blerësit e kartës së telefonit

Feb 13, 2016 | 9:12
SHPËRNDAJE

Dy të ndaluar për eksplozivin e vendosur në makinën e biznesmenit Nuredin Suli, në parkingun e një qendre tregtare. Policia e Tiranës njoftoi mbrëmë se ka vënë në pranga dy persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me këtë atentat që nuk u realizua, pasi lënda plasëse ra nga mjeti i Sulit.

nuredin-suli
Nuredin Suli

Edhe pse nuk janë konsideruar autorët që e vunë eksplozivin e telekomanduar poshtë “Benz”-it të biznesmenit, policia dyshon se Julian Hamollari, 29 vjeç, banues në Tiranë dhe Musa Çerpja, 53 vjeç, banues po në Tiranë, kanë lidhje me ngjarjen e rëndë.

“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohen të kenë lidhje me ngjarjen e datës 09.02.2016, ndodhur në “Qendrën Kristal”, ku është tentuar të vritet me lëndë eksplozive shtetasi Nuredin Suli”, bëri të ditur Policia e kryeqytetit, e cila po heton për zbardhjen e motiveve dhe personave që deshën eliminimin e biznesmenit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se njëri prej këtyre personave ka siguruar në treg kartën e telefonit që shërbeu për ta lidhur me bombën e përgatitur për atentatin. Kjo kartë ishte futur në punë vetëm një ditë më parë. Sipas Policisë, Hamollari dhe Çerpja janë persona që me dëshminë e tyre mund të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e atentatorëve.

Por, me gjithë shoqërimin e tyre dhe marrjen në pyetje, asnjë prej tyre nuk ka qenë bashkëpunëtor. Të paktën kështu deklaron policia, e cila ka bërë ndalimin, duke i kërkuar Prokurorisë së Tiranës të kryejë për ta hetimet me akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Nga ana tjetër, deklarohet se po punohet për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Atentati ndaj biznesmenit Nuredin Suli ishte përgatitur për t’u realizuar më 9 shkurt.

Një sasi lënde plasëse, në të cilën ishte fiksuar një kartë telefoni, do të aktivizohej me anë të një thirrjeje, në momentin kur Suli do të hipte në makinën e parkuar si çdo herë. Por, sapo ka nisur lëvizjen mjeti, pakoja e eksplozivit ka rënë nga mjeti.

Ende nuk është sqaruar nëse autorët e kanë shmangur vetë shpërthimin, pasi pakoja ra nga makina apo nuk është arritur të realizohet thirrja telefonike që do të shpërthente eksplozivin C4.

Makina e biznesmenit ishte parkuar gjatë natës në parkimin e qendrës tregtare, ku në një apartament pranë jetonte dhe Suli bashkë me familjen.

Motivet e këtij atentati janë lidhur me përplasjen me familjen Sulo nga Fieri, anëtarët e së cilës në vitin 2011 i vranë vëllanë pas një konflikti. Në polici u morën në pyetje dhe familjarët e palës tjetër, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar që kishte gisht me ngjarjen.

ETLEVA DELIA

Videoja e atentatit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura