Blushi shpërthen në Kuvend për eksodin: Qeverisim shumë keq!

Apr 24, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi tha nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë se pikërisht parlamenti është një nga arsyet që shqiptarët po ikin nga vendi, pasi sipas tij po qeverisen shumë keq. Blushi tha se Shqipëria është përballë një emergjence kombëtare, pasi në 25 vite është larguar 1/3 e popullsisë. Deputeti u shpreh se është e turpshme që shqiptarët po diskriminohen vetëm se janë të varfër, e për këtë arsye po marrin rrugët e emigrimit duke zvogëluar në shifra alarmante popullsinë e vendit. 

Blushi në Kuvend

Fjala e Blushit në Kuvend:

Besoj se edhe ju, ashtu si unë ditët e fundit duke parë frikat e braktisjes së Shqipërisë, keni arsye po aq sa unë që të jeni të dëshpëruar. Besoj se shumë prej jush në këtë sallë kanë arsye t’i bëjnë pyetje vetes: Si ka mundësi që shqiptarët po ikin në këtë masë? Çfarë i shtyn të lënë Shqipërinë, të lënë të djeshmen dhe të nesërmen? Të lënë shtëpi, katandi, pasuri që vunë për 25 vjet? Burra, gra, fëmijë dhe pleq nga Veriu, nga Jugu, gjejnë vetëm një rrugë, një derë daljeje që të ikin nga Shqipëria.

Sa herë pa pasur shumë arsye për gjatë shekullit që të ikin, dhe kjo është arsyeja që kemi ngelur popull i vogël. Dhe ne këto situata i kemi zgjidhur keq. Kanë ikur nga lufta, kanë ikur nga fatkeqësi natyrore, ik nga komunizmi në vitin ’91, ikën nga lufta në vitin ’97, sepse kishin një qeveri represive, që hoqi të paktën 50 mijë shqiptarë burra dhe gra, u tha ikni, këtu nuk jetohet, ose merrni armët. Po unë nuk besoja se do të përsëritej prapë kjo gjë.

Nga ’97 e këtej shumë gjëra nuk mund t’i besoja, shumë ditë kam qenë i trishtuar si shumë prej jush, por nuk besoja dot se do të kishin shqiptarët në vitin 2015 kaq shumë arsye për të ikur! Dhe pyetja është pse. Pse ikin kaq shumë shqiptarë? Pse ikin më shumë se serbët, malazezët, maqedonasit, më shumë se bullgarët, më shumë se grekët që e kanë papunësinë 25%? Janë populli më i varfër në Europë, në raport me atë që ishin.

Se sigurisht nuk mund të jenë më të varfër se ne. Ky Parlament për fat të keq është një arsye, ky Parlament, kjo e enjte, çdo e enjte, është një arsye. Se dhe sot nuk u fol për ta, edhe sot ne bëmë garë kush ka zbuar më shumë njerëz nga Shqipëria, e majta apo e djathtë, PS-ja apo PD-ja. Por në fund fare, kush është rezultati, në 25 vjet kemi humbur një të tretën e popullsisë. Më gjeni një vend në Europë, jashtë Europe, në Amerikën Latine, në Afrikë apo ku të doni?

Ka luftë gjysma e Afrikës, në Lindjen e Mesme, në Palestinë përditë vriten nga bombat… Ka luftë në Nigeri, e kanë marrë terroristët Nigerinë, Sirinë… Po nuk kanë humbur 1/3 e popullsisë. Kemi qenë 1.7 milionë banorë kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, 4 milionë në vitin ’91. Komunizmi rend shumë më i poshtër, i padrejtë, por na la katër milionë banorë, 2.8 milionë banorë jemi sot. Kemi humbur 1/3 e popullsisë në 25 vjet. E dini pse? Mendojnë se s’ka diell këtu? Apo s’ka bukë, apo s’ka ujë për të pirë. Apo ka ndonjë malarie apo epidemi? Jo, s’ka. Qeverisim shumë keq!

Në qoftë se doni të kuptoni si e kemi qeverisur Shqipërinë në këto 25 vjet si klasë politike, shihni shifrat e emigrimit, 1/3 e 1 milion banorëve, 1 milion banorë kanë ikur. Dhe vetëm për një arsye: jetojnë keq. Nuk persekutohen për shkak të fesë, nuk persekutohen se janë burra apo gra, për shkak të gjinisë. Persekutohen vetëm si të varfrit. Ne jemi shoqëri shumë liberale për fat të mirë, dhe e thashë nuk persekutojmë asnjëri, as për fe, as për gjini, as se je nga Jugu apo Veriu, as se je fshati. Kemi filluar të persekutojmë për fat të keq për shkak të varfërisë, apo për shkak të mungesës së pasurisë.

Je i varfër shërbehesh keq, je i varfër nuk ke shkollë, je i varfër nuk merr të drejtë në gjykatë. Je i varfër nuk blen ilaçet e duhura, je i varfër nuk ke mundësi transporti, je i varfër merr më pak pension, je i varfër diskriminohesh. Edhe ky është problemi që kemi sot, po ngremë një standard të keq në Shqipëri, po diskriminojmë të varfrit. Kjo është arsyeja pse po ikin, për turpin tonë. Për turpin tonë të përbashkët! Nuk është tretur asnjë popull si ne, asnjë luftë s’ka tretur asnjë popull siç është tretur Shqipëria në 30 vjet.

Unë besoj se duhet ta kuptojmë të gjithë bashkë, dhe këtu nuk kam dalë fare të merrem me qeverinë dhe këtu nuk kam dalë fare se dikush mund të ketë merak që dua të merrem me qeverinë. Nuk është punë qeverie kjo. Besoj se gjithkush prej nesh duhet të kuptojë se kosto e atyre që ikin është më e madhe në qoftë se ikin. Në qoftë se ata rrinë këtu dhe ne bëjmë çmos për t’i mbajtur, kostoja për shoqërinë do të jetë më e vogël.

Emigracioni është një kosto më e lartë për ne, e dini pse? Në qoftë se dikush mendon se ikin të varfrit dhe kështu rregullohet papunësia, e ka gabim. Sa më e vogël është Shqipëria, kostoja është aq më e lartë për ne që mbetemi këtu. Toka nuk do punohet, s’ka fuqi punëtore, pasuritë që kemi vënë në 25 vjet do të zhvlerësohen, tregu jonë do të zvogëlohet, sepse nuk investon njeri në një treg që sot është 2.8 milionë banorë.

Po ua them me bindje se jam marrë me këtë punë, në qoftë se vazhdon kjo situatë braktisjesh dhe mungesë të lindjeve, sepse po lindim më pak seç vdesin dhe shifrat po afrohen, ka mundësi që Shqipëria për 20-30 vjet mund të përgjysmohet për fat të keq. E a na vlen ne ky vend?! U duhet kalamajve tuaj një vend që përgjysmohet për 20 vjet, më shumë se çdo komb tjetër? Unë besoj se kjo është e padrejtë dhe besoj që është e padrejtë dhe duhet që këtë kosto ta përballojmë sot. Duhet të ndajmë kosto për të varfrit. Nuk na vlen një i varfër që ikën dhe një i papunë që ikën.

Duhet ta mbajmë këtu me çdo kusht, po sigurisht jo duke i bllokuar pasaportën në kufi. Edhe ky është një diskriminim më vete. Se për çdo të varfër që i bllokohet pasaporta në kufi, e di çfarë mendon ai: që vetëm të pasurit kanë mundësi të dalin nga Shqipëria, të varfrit jo. Një diskriminim i ri që po bëjmë ditët e fundit. Duhet t’i ndajmë kostot. Unë mendoj se sot ka arsye për të vënë alarmin, sepse kjo në fakt është një emergjencë kombëtare.

Është emergjencë kombëtare fakti që Shqipëria po shpopullohet, po zvogëlohet, po përgjysmohet, dhe nuk ka atë që thashë në fillim, nuk ka asnjë popull që ka humbur kaq shumë popullsi në 25 vjet. Dikush më thotë si bëhet kjo? Unë nuk e di si bëhet, por di një gjë, ka nevojë për solidaritet. Kjo nuk është një shoqëri solidare, një buxhet solidar, nuk i jepet aq sa duhet një të varfri me çdo kosto. Dikush thotë jo, sepse ne duke i dhënë para të varfërve nxisim papunësinë dhe parazitizmin. Nuk është e vërtetë. Më mirë të nxisim parazitizmin sesa emigracionin.

Më mirë të rrijë këtu një parazit sesa të rrijë si parazit në Gjermani, apo në Francë apo Angli sepse ky vend bëhet i pa jetushëm në qoftë se s’ka njerëz. Diku e kam thënë, jam marrë me këtë punë; Pesimizmi që ka kapur Shqipërinë është armiku jonë më i madh. Është pesimizmi pse ikin. Nuk është se lexojnë në ka ardhur një qeveri më e mirë pas 23 qershorit, është më e mirë pa dyshim, por prapë ata janë pesimistë. Mendojnë që nesër nuk do të jetë më mirë, dhe ky është fatalitet kombëtar.

Duhet ta ndryshojmë këtë fatalitet kombëtar, duke e ndryshuar këtë mentalit, duke u bërë më solidarë si shoqëri, duke i dhënë atyre më shumë. Duke rritur pagat pse jo, duke rritur asistencën sociale, duke investuar më shumë në zonat e varfra. Duke rritur pensionet, duke luftuar korrupsionin, duke bërë një shoqëri më të drejtë, e cila nuk i jep arsye atij që është i varfër që mundësia e vetme që ka është të trashëgojë varfëri.

E dini pse ikin ata që kanë kalamaj, ka vetëm një problem ai që është i varfër. Kanë frikë, kanë frikë se fëmija i tij do t’i ngjajë dhe nuk ka dhimbje më të madhe për një baba apo një nënë, në qoftë se beson se djali i tij do të jetë po aq i varfër sa ai. Çdo njeri do që t’i ngjajnë fëmijët, me përjashtim të të varfërve. Vetëm të varfrit kanë frikë se fëmijët e tyre mund t’u ngjajnë sepse varfëria e trashëguar është fatale, është e dhimbshme.

Në qoftë se një i varfër beson se babai i tij ka qenë i varfër, ai është i varfër, nipi i tij do të jetë i varfër, fëmija do të jetë i varfër, kushëriri do të jetë i varfër, shoqëria ka vdekur. Nuk ka shpresë. Dhe kjo është arsyeja pse ikin sot. Unë besoj se ka akoma mundësi, megjithëse nuk jam shumë optimist në këtë rast që diçka mund të ndryshojë. Sepse në qoftë se diçka nuk ndryshon, të jeni të bindur, të varfrit para se të ikin do të vijnë në këtë Parlament dhe do na nxjerrin të gjithëve jashtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura