Blushi zbret në bazë: Rilindja vetëm me të pasurit, 90 % janë të varfër

Apr 25, 2016 | 8:02
SHPËRNDAJE

Deputetët “rebelë” të Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, kanë vijuar dje turin e takimeve me socialistët e “zhgënjyer” të qytetit të Dibrës, duke prezantuar platformën e tyre “Shqipëria mbi partinë”.

blushPjesë e diskutimit me socialistët e këtij qarku ka qenë dhe ideja për krijimin e një partie të re, por që mësohet se Ben Blushi është shprehur se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë lëvizje politike. Por gjatë takimit me përkrahësit e tij, ai është shprehur se: “Çdo veprim do ta bëjmë të matur dhe në kontakt me qytetarët”.

Po ashtu, Ben Blushi ka thënë se Rilindja po qeveris mjaft keq vendin dhe këtu nuk ka shpresë për të jetuar. “Në qoftë se dhunojnë kolegët brenda partisë, në qoftë se grabisin votat brenda partisë, a ka shpresë për njerëz normalë?”, ka theksuar Blushi. Duke folur për gjendjen ekonomike në vend, deputeti i majtë tha se çdo fëmijë që lind në maternitetin e Peshkopisë ka një borxh prej 2500 eurosh.

“A ka shkuar ky borxh për Rrugën e Arbrit? Po të kishte marrë Rama borxhe për Rrugën e Arbrit, do t’i jepnim të drejtë të gjithë. A e dini çfarë kanë bërë? Rilindja numëron pishinat në Durrës, palmat në Aeroportin e Rinasit, stadiumet që lyen, shatërvanët. Harxhon para për luks, jo për rrugë. Kjo është arsyeja që Rruga e Arbrit nuk do të bëhet. Nuk kam besim se Rilindja do ta bëjë Rrugën e Arbitrit, por Rruga Arbrit mund të jetë një nga dy apo tre investimet strategjike të Shqipërisë”, u shpreh ai.

MINISTRAT

Deputeti Blushi kritikoi ministrat dhe deputetët socialistë se nuk takohen me qytetarët, se kanë humbur lidhjet me njerëzit në nevojë.

“Rilindja ka një problem tjetër. Nuk e njeh Shqipërinë. Keni parë ndonjë ministër të vijë dhe të flasë me ju, të ulet të bisedojë për problemet që keni? Po deputetë të PS-së a keni parë? Nuk e bëjnë këtë gjë. Për këta ka rëndësi ndriçimi në mes të Tiranës, pllakat majolike në Durrës, kulla në Korçë, stadiumi në Elbasan. Cila parti mbron të varfrit? I mbron Rilindja? Unë them që jo. Rilindja është vetëm dhe vetëm me të pasurit, në qoftë se është edhe me ata. I mbronte PD-ja të varfrit? Sigurisht që jo, se edhe PD-ja këtë varfëri mbolli që Rilindja po e vazhdon dhe po e korr. Rilindja nuk merret me asnjë punë, sepse nuk merret me njerëzit. A keni dëgjuar Edi Ramën të rrijë me një të varfër? Po Shqipëria është 90 për qind e varfër. E keni parë me kë rri? Vetëm me njerëz që kanë pare. I ka shokët vetëm të pasur. Ka ardhur koha që ta vëmë Shqipërinë mbi partinë. E kam të sigurt se do të dalin këto të Rilindjes dhe do të thonë: Blushi pati takim me demokratët në Dibër. E dini përse e thonë këtë? Rilindja ka një problem të madh. Rilindja di të numërojë lekët, por s’di të numërojë njerëzit. Prandaj Rilindja nuk bën asnjë punë. Ajo nuk merret me njerëzit, sheh vetëm e vetëm lekët. Rilindja nuk sheh sa të varfër ka, nuk sheh sa të papunë ka, nuk sheh sa të pa shpresa ka, nuk sheh sa korrupsion ka”, përfundoi Blushi.

HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura