Blushi-Kumbaro, debat për Kodrën për varrin te liqeni

Feb 10, 2016 | 14:18
SHPËRNDAJE

“Gjykojmë se piktori Ibrahim Kodra është një piktor i standardit shumë të lartë. Kemi gjithashtu gjykimin se ky piktor ka bërë një përcjellje të kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Meriton për këtë gjë nderimin e institucioneve publike dhe nderimin e komunitetit”.

ishem3

Kështu u është përgjigjur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Jashtëm parlamentar dje, në lidhje me çështjen e zhvarrosjes së eshtrave të Ibrahim Kodrës. Biseda është zhvilluar në formën e një debati mes deputetit të PS-së Ben Blushi dhe ministres Kumbaro.

Edhe pse çështjet e Kulturës nuk i përkasin këtij komisioni, Blushi ka shprehur interesin për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje, duke parë ndjeshmërinë e banorëve të Ishmit, të cilët me ç’rast janë ngritur në protestë. “Pse duhet ta bëjmë pis një njeri si Ibrahim Kodra, duke bërë një konflikt mes qeverisë dhe atyre banorëve. Duhet folur dhe u duhet shpjeguar njerëzve pse po bëhet kjo gjë, nëse do të bëhet kjo gjë”, është shprehur Blushi.

Ministrja Kumbaro ka treguar në mënyrë kronologjike se çka ndodhur me varrimin dhe plotësimin e vullnetit të Kodrës, prej vitit 2006, kohë kur ende nuk ishte hapur testamenti i mjeshtrit. “Ka 3-4 javë që u është bërë e njohur dhe po ashtu kemi 10 ditë që jemi në komunikim me banorët, duke iu shpjeguar të gjithë situatën juridike.

Dhe në këtë kontekst, duke nderuar një figurë të veçantë të arteve pamore, jo vetëm për faktin që është shqiptar, por si i tillë ka bërë një emër shumë të mirë në artin pamor në Europë, u gjykua që ishte në nder të kësaj figure që të varroset në atë zonë ku ne kemi varre monumentale të memorialëve të njerëzve të kulturës. Në atë zonë ndodhen figura të tjera të kulturës shqiptare si Faik Konica dhe vëllezërit Frashëri”, ka thënë Kumbaro.

Deputetët Blushi e Jozefina Topalli u interesuan po ashtu për testamentin e Kodrës dhe sipas Kumbaros, disponohen të gjitha dokumentet që vërtetojnë dëshirën e fundit të Kodrës.

Në të vërtetë në testamentin e firmosur nga Kodra, në të gjallë të tij, nuk ekziston ndonjë pikë ku flet për prehjen e eshtrave të tij, por një vit pas vdekjes së mjeshtrit, avokati i ekzekutuesit ligjor të testamentit, përcaktuar nga vetë Kodra, ka shprehur se vullneti i piktorit ishte të varrosej “në një vend të bukur në Tiranë ose Durrës”. Një debat mes Blushit dhe Kumbaros ka ngjallur edhe vendimi për ta vendosur Kodrën pranë Frashërllinjve dhe Konicës.

Blushi ka ngritur pyetjen “Ju besoni se i ndjeri ka të njëjtën peshë kulturore me ata që janë në atë zonë?”.

Kumbaro ka dashur të anashkalojë krahasimin mes figurash, duke u shprehur se “Ne kemi detyrën të kemi provën juridike të shprehjes së amanetit. Kemi detyrën të bëjmë administrimin në aspektin juridik të shprehjes së vullnetit të të ndjerit. Kemi gjithashtu gjykimin se piktori Ibrahim Kodra është një piktor i standardit shumë të lartë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura