Blobi i javës / Nga faksi i Tiranës, te “përshëndetja” e Pejiç për Radas

Jan 31, 2017 | 19:36
SHPËRNDAJE

Më poshtë vijon përmbledhja e disa prej batutave apo deklaratave më interesante të javës së fundit për ekipet e Superiores.

Bamir Topi, ish-president i Shqipërisë: Unë nuk jam në gjendje të them sot se kush është tifoz i Tiranës. Dikur e thosha…

Nevil Dede, ish-trajner i Tiranës: Te Tirana duhet ta fusin të gjithë kokën në akull. Kur kokat janë të nxehta, besoj se nuk zgjidhin dot gjë, prandaj duhet të kthjellohen dhe të mendojnë ku kanë gabuar.

Blendi Nallbani

Blendi Nallbani, ish-kapiten i Tiranës: I kanë disa të huaj, s’kanë çfarë marrin më. Unë u sugjeroj drejtuesve të Tiranës të blejnë një autobus dhe ekipi të udhëtojë komod në transferta.

FIFA: I kërkojmë FSHF-së të na sigurojë një numër funksional faksi të anëtarit të saj, klubit Tirana.

Alban Rexha, ish-sulmues: Prodani (i referohet ish-drejtorit të Partizanit) është shëndoshur shumë këto kohët e fundit dhe i sugjeroj të bëhet drejtor kooperative, sepse në ato kohë kërkojnë të na kthejnë.

Shpëtim Duro, trajner: Në pallat i kam të gjithë tifozë të çmendur të Tiranës. Çfarë të keqe ka që Partizani të luajë në stadiumin “Dinamo”?! Boll me këto absurditete, një derbi kemi, të mos luhet edhe ai çfarë bukurie do të ketë kampionati.

Sokol Kushta, ish-sulmues: Si ka mundësi që Flamurtari merr një mbrojtës që ka qenë te Luftëtari dhe vlonjatët luajnë në Gjirokastër?! Dejvi Bregun e hodhën si leckë, kur të gjitha ekipet e donin.

Redi Jupi, ish-futbollist: Luftëtari ka një kundërsulm të frikshëm, por mos harroni se në mbrojtje luan kamerunasi Bojom, që për mua është një prej lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar në rolin e tij.

Klubi i Skënderbeut në KAS: Nëse kanë trukuar lojtarët, mos e dënoni klubin.

Pejic gol Vllaznise

Pero Pejiç, sulmues i Kukësit: Marko Radas gjithnjë më thoshte se nuk di të gjuaj nga goditja e dënimit, por e përshëndeta nga Shkodra.

Armando Cungu, trajner i Vllaznisë: Kam pritur që drejtuesit të dilnin me një qëndrim zyrtar për lojtarin kongolez, Mulemo, por tashmë e kanë bërë fakt të kryer. Nëse ka ardhur si mbrojtës i majtë, për mua nuk i bën mirë detyrat e shtëpisë.

Edi Martini, ish-sulmues: Kam frikë se me karakterin që ka Bakaj nuk do të luajë as 4 ndeshje te Vllaznia. Kartonët e kuq dhe moskërkesa e llogarisë do të na kushtojë shumë. Shpresoj të jem i gabuar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura