Bllokohet llogaria 750 mijë euro për pastrim parash

Apr 21, 2015 | 19:21
SHPËRNDAJE

Prokuroria sekuestroi 750 mijë euro llogari bankare të një kompanie biznesi që po hetohet për shkelje të legjislacionit shqiptar. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e bërë nga Njësia Task Force e Prokurorisë për bllokimin e një llogarie me vlerë 750 mijë euro. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një llogari në emër të një kompanie shqiptare me seli në Fier, “F…Communication”, e cila po hetohet për krime të dyshuara financiare. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se hetimi për këtë subjekt ka nisur pas referimit të çështjes nga ana e Policisë së Shtetit. 
 

Prokuroria e Pergjithshme

Bazuar në hetimet e kryera prej Prokurorisë, mësohet se kompania në fjalë vetëm gjatë vitit të kaluar 2014, ka xhiruar shuma marramendëse deri në 15 milionë euro. Pikërisht këto shuma të qarkulluara nga ky subjekt janë bërë shkak për dyshime në lidhje me aktivitetin e kompanisë, e cila rezulton se është themeluar në datën 15 shkurt 2013. Objekti i aktivitetit të kompanisë sipas Prokurorisë ka qenë “shitjeblerje, tregtim të trafikut telefonik me shumicë”. 

HETIMI 

Bazuar në referimin e Policisë së Shtetit dhe informacionet e marra nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e Tiranës prej disa muajsh ka nisur hetimet në lidhje me transaksionet e kompanisë me seli në Fier. Kjo kompani, sipas hetimeve gjatë vitit 2014, ka qarkulluar sasi të mëdha impulsesh telefonike, duke arritur të qarkullojë një shumë prej rreth 15 milionë euro. Shuma në fjalë ka qarkulluar përkohësisht në kanalet bankare, por destinacioni fundor i saj ka qenë tërheqja dhe paratë janë zhdukur. Lëvizja e shumave të tilla të mëdha është bërë shkak për nisjen e monitorimit të aktivitetit të kësaj kompanie, derisa në fund dosja penale është referuar në Prokurori. 

Sipas organit të akuzës, pas nisjes së hetimeve është mësuar se kompania e dyshuar kishte si ortakë në bashkëpronësi vëllezërit D.K dhe F.K. Pavarësisht hetimit të nisur nga ana e Prokurorisë dhe vendimit për sekuestrimin e rreth 750 mijë eurove, kompania në fjalë deri ditën e djeshme rezultonte me status aktiv në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në Tiranë. Pak ditë më parë, Gjykata e kryeqytetit ka marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për bllokimin e llogarive bankare të kompanisë në fjalë. Nga kontrolli i bërë është mësuar se subjekti aktualisht kishte në banka vetëm 750 mijë euro, për të cilat është nxjerrë urdhri i sekuestrimit nga ana e Gjykatës.

NGA TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura