Bllokohet Gjykata Kushtetuese, flet kryetari: Ja cila mund të jetë zgjidhja, emërimet…

Mar 24, 2018 | 18:21
SHPËRNDAJE

Pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të shkarkuar gjyqtarin Fatos Lulo, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka hyrë zyrtarisht në kolaps.

Tashmë, Gjykata më e lartë e vendit ka mbetur me 5 anëtarë dhe ajo nuk mund të marrë në shqyrtim asnjë çështje, pasi për të quajtur të vlefshme një mbledhje, duhen minimalisht 6 gjyqtarë.

Bashkim-Dedja-e1339139707880

Nga Gjykata Kushtetuese dha dorëheqjen para vetingut, anëtari Besnik Imeraj, ndërkohë më herët është larguar Vladimir Kristo, të cilit i kishte mbaruar mandati prej disa vitesh. Ndërsa më parë dha dorëheqjen dhe gjyqtari Sokol Berberi.

NGËRÇI

Ngërçin në Gjykatën Kushtetuese e ka konfirmuar vetë kreu i këtij institucionit, gjyqtari Bashkim Dedja. Në një prononcim për “Opinion”, Dedja tha se gjyqtari, i cili është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nuk mund të marrë pjesë në asnjë mbledhje të Kushtetueses, pa marrë më parë një vendim Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por ai theksoi se problematika mbetet te pengesa që i është krijuar tashmë Gjykatës Kushtetuese.

“Neni 32 i ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese parashikon se seancat gjyqësore zhvillohen me 6 anëtarë, në mënyrë që të quhen të vlefshme, ndërsa ligji për rivlerësimin kalimtar, neni 62, parashikon se në rast se subjekti i rivlerësimit ankimon vendimin në Kolegjin e Apelimit, gjyqtari pezullohet deri në marrjen e vendimit, ndaj gjatë kësaj periudhe ai nuk mund të marrë pjesë në vendimmarrjen e GJK-së qoftë në shqyrtimin, apo në marrjen e vendimit”, tha dje Bashkim Dedja.

Kjo, sipas Dedjes, mund të funksionojë vetëm në ato raste kur kolegji është unanim. “Kolegjet janë prej tre gjyqtarësh dhe shqyrtojnë paraprakisht çështjet nëse i plotësojnë kriteret për të kaluar në seancë gjyqësore apo jo. Në rast se vetëm një nga anëtarët ka mendim ndryshe, çështja kalon në shqyrtim në mbledhje të të gjithë anëtarëve”, u shpreh ai.

ZGJIDHJA

Për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese ka aplikuar një numër i konsiderueshëm juristësh, avokatësh, gjyqtarësh dhe prokurorësh, por secili prej tyre duhet t’i nënshtrohet më parë procesit të vetingut. Për Bashkim Deden, zgjidhja do të ishte emërimi i gjyqtarëve të rinj pa kaluar vetingun, por për këtë vendim duhet të marrë legjislativi. “Kjo mund të jetë zgjidhje oportune, që emërimet të bëhen pa kaluar vetingun, por kjo është zgjedhja e atyre që bëjnë vlerësimi dhe këtu anashkalohet Kushtetuta. Iu takon atyre që kanë vullnetin për ta bërë një gjë të tillë. Nëse zbatohen kriteret ligjore kushtetuese, atëherë kjo gjë nuk mund të ndodhë”, tha Dedja.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura