Bllokimi i privatizimit të Vllaznisë, sponsori Xhaferi hedh dyshime: Nuk ka ardhur përgjigja pozitive, afati i fundit ka qenë…

Mar 31, 2021 | 8:38
SHPËRNDAJE

Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, hedh dyshime për zvarritjen e procesit të privatizimit të klubit shkodran. Ankandi është bllokuar tashmë pas ankesave të kompanive të interesuara për të blerë aksionet e Vllaznisë. “Procesi i privatizimit të Vllaznisë, për fatin e keq është bllokuar në Komisionin e Prokurimeve Publike në Tiranë. Të premten e kaluar ka qenë afati i fundit që ky komision duhej të kthente një përgjigje përfundimtare për ankesat e bëra, por deri më sot një përgjigje e tillë nuk ka ardhur.

xhaferi

Unë jam i habitur nga mënyra si është menaxhuar kjo pjesë, aq sa ndoshta të lë edhe të dyshosh për këto vonesa që bëhen. Gjithsesi, shpresoj që ky proces të finalizohet sa më shpejt, sepse klubi duhet të privatizohet për shumë arsye që tashmë janë bërë të ditura. Vllaznia, ashtu si të gjithë ekipet në botë, duhet të privatizohet sepse përndryshe nëse nuk kryen një proces i tillë, sërish do të jetë në dilemë vazhdimësia e saj”, është shprehur sponsori për televizionin lokal “Rozafa” në Shkodër.

SITUATA – Pasi arritjes së marrëveshjes me Drejtorinë e Tatimeve, duke i hapur rrugën licencimit për në Kupat e Europës, Xhaferi shpreson që tashmë skuadra të realizojë objektivat në fushë. “Kemi disa muaj që ishim në diskutime me Drejtorinë e Tatimeve për të gjetur mënyrën për licencimin e skuadrës. Për më tepër, nisur edhe nga ecuria e mirë, kjo na e shtonte edhe më shumë përgjegjësinë për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështjeje. Për fat, arritja e kësaj marrëveshje erdhi në minutat e fundit për atë detyrim që KF Vllaznia kishte. Jemi brenda afatit për të dorëzuar në Federatë dhe UEFA dokumentet e fundit sepse një pjesë të konsiderueshme të asaj që na është kërkuar, e kemi dorëzuar që në muajin janar. Ka qenë një negociatë e vështirë, pasi klubi ka një borxh të trashëguar shumë të madh. Unë kam dhënë një suport, por gjithashtu Federata. Bashkë me gjendjen e dobët që ka pasur arka e klubit, ia dolëm të bëjmë realitet këtë ëndërr, sepse përndryshe do të kishte qenë shumë e vështirë për të gjithë ne që jemi përfshirë në këtë projekt. Kemi arritur të plotësojmë një pikë që për 10 vite me radhë ka qenë problemi kryesor për pjesëmarrjen e Vllaznisë në Europë. Besoj se jemi në rrugën e duhur për objektivat”, përfundoi Xhaferi.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura